Shane Goldmach, “The New York Times”
Në çdo rast Donald J. Trump ngjitet në verandën e Mar-a-Lago dhe thotë ca fjalë nga një foltore e tejdukshme, duke mirëpritur cilindo kandidat të favorizuar që po e paguan për privilegjin e mbledhjes së fondeve atje.
“Ky është një vend i veçantë,” tha zoti Trump në një mbrëmje të tillë në shkurt në klubin e tij privat. “Unë thoja “niveli zero”, por pas Qendrës Botërore të Tregtisë nuk e përdorim më atë term. Ky është vendi ku të gjithë duan të jenë.”
Për 15 muaj, një paradë nevojtarësh – senatorë, guvernatorë, udhëheqës të Kongresit dhe republikanë të të gjitha shtresave – kanë bërë rrugën deri këtu për t’u zotuar për besnikërinë e tyre dhe për të kërkuar mbështetje. Disa kanë punësuar këshilltarët e zotit Trump, me shpresën e të paturit të një avantazhi në marrjen e miratimit të tij. Disa kanë blerë reklama që u shfaqën vetëm në Fox News në Florida-n e Jugut. Disa sjellin dhurata; të tjerët thashetheme. Pothuajse të gjithë papagallojnë pretendimin e tij se zgjedhjet e 2020-ës u vodhën.
Duke punuar nga një tavolinë e madhe prej druri që të kujton atë që përdori në Zyrën Ovale, Trump e ka shndërruar suitën e vjetër të nusërisë së Mar-a-Lago në një seli hije të Partisë Republikane, duke grumbulluar më shumë se 120 milionë dollarë – një arkë lufte dyfish më të madhe se të Komitetit Kombëtar Republikan. Të dhënat federale tregojnë se PAC-u i tij mblodhi më shumë në internet se sa partia çdo ditë, hiq dy raste dy në gjashtë muajt e fundit të 2021, njëri prej të cilëve ishte pragKrishtlindja.
Dhe ndërsa presidentët e tjerë kanë hequr dorë nga skena politike, Trump ka bërë të kundërtën, duke ndjekur në mënyrë agresive një axhendë hakmarrjeje kundër Republikanëve që i kanë bërë keq atij, duke mbështetur më shumë se 140 kandidatë në mbarë vendin dhe duke i kthyer zgjedhjet paraprake të 2022 në një test të vazhdueshëm të peshës së tij elektorale.
Duke frymëzuar frikë, duke grumbulluar para, duke bërë favore dhe duke kërkuar të shtypë rivalët, Trump po sillet jo thjesht si një ndërmjetës pushteti, por si diçka më afër kreut të një makine politike të shekullit të 19-të.
“Udhëheqësit e partive nuk kanë luajtur kurrë rolin që po luan Trump,” tha Roger Stone, një këshilltar i Trump që nga vitet 1980, i cili është parë në Mar-a-Lago kohët e fundit. “Sepse ai mundet – dhe ai nuk është i detyruar nga rregullat konvencionale të politikës.”
Ky portret i Trump si një shef partie moderne është nxjerrë nga më shumë se 50 intervista me këshilltarët e Trump në të kaluarën dhe të tashmen, rivalë politikë, republikanë që kanë kërkuar mbështetjen e tij dhe zyrtarët të partisë apo strategët që po luftojnë me ndikimin e tij.
Trump qartazi e shijon fuqinë. Por ndërsa ai lë të kuptohet në mënyrë të përsëritur për një sprovë të tretë për Shtëpinë e Bardhë, pyetja e afërt është nëse ai mund të mbetet një mbretbërës nëse nuk e kërkon kurorën.
Tani për tani, ai është thelluar në detajet e pastrimit të Partisë Republikane nga kritikët, edhe nëse, në mënyrë tipike, planifikimi dhe ekzekutimi mund të jenë të harrakatur. Ai i ka përqendruar përpjekjet, pothuajse në mënyrë obsesive, në instalimin e besnikëve të palëkundur në postet kryesore të fushëbetejës – guvernatorët, senatorët, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, sekretarët e shtetit dhe prokurorët e përgjithshëm të shtetit – shpesh në vend të vetë zyrtarëve që penguan përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e vitit 2020.
Ai u ka bërë presion kandidatëve që të ndërrojnë garat në të cilat hyjnë, ka këshilluar republikanët se kë të punësojnë, është përfshirë në rregullat e regjistrimit të partive në Wyoming dhe garën e kryetarit të Kongresit të shtetit të Michigan. Ai e kushtëzoi mbështetjen për guvernatorin Mike Dunleavy të Alaskës me mosmiratimin e senatores në detyrë të shtetit, Lisa Murkowski; Z. Dunleavy u bind shpejt. Javën e kaluar, ai dha një kundër-mbështetje, duke u kërkuar qytetarëve të Pensilvanisë që të mos votojnë për Bill McSwain në zgjedhjet paraprake për guvernator, me arsyetimin se zoti McSwain nuk i kishte mbështetur në mënyrë të mjaftueshme pretendimet e tij për mashtrim në zgjedhjet e vitit 2020.
Trump nuk pranoi të intervistohej për këtë artikull.
Personat e afërt me Trump thonë se ai kënaqet nga ushtrimi i papërpunuar i pushtetit të tij. Ai dëgjon lobimin e republikanëve të lartë, si liderin e Kongresit Kevin McCarthy, dhe më pas u del kundra pa paralajmërim. Një ditë pasi zoti McCarthy e qortoi përfaqësuesen e Karolinës së Veriut Madison Cawthorn se kishte thënë se kolegët në Uashington kishin organizuart orgji dhe kishin përdorur kokainë, Trump i dha z. Cawthorn një vend të lakmuar për të folur në tubimin e tij të ardhshëm.
“Si në Tammany Hall”
Një ekonomi e tërë politike e rrethon Trump, me pronat e tij që korrin tarifa të mëdha: vetëm kandidatët dhe komitetet federale kanë paguar gati 1.3 milionë dollarë për të zhvilluar evente në Mar-a-Lago, tregojnë të dhënat. Një falangë e pëshpëritësve të Trumpit është shfaqur pranë kandidatëve që i paguajnë me shpresën për të mundësuar takime, që ata t’i tregojnë atij të dhëna dëmtuese për rivalët e tyre ose t’i japin një sondazh që tregon rritje, edhe pse ish-studentët e Trump paralajmërojnë se ai është gjithmonë i kujdesshëm.
“Nëse dikush po shet aftësinë për të marrë mbështetje të Trump për x kandidat, ata po japin një urë që nuk është e tyrja,” tha Michael Caputo, një ish-këshilltar që ende flet me Trump.
Megjithatë, ndërsa Tammany Hall, një makinë politike e qytetit të Nju Jorkut që rezistoi për gati dy shekuj, ia detyroi jetëgjatësinë përhapjes së patronazhit, Trump di të bëhet koprrac. Megjithëse ai organizon tubime për disa kandidatë, për shumë të tjerë mbështetja e tij nuk shkon më tej se një email dhe një çek prej 5000 dollarësh. Trump thuajse kurrë nuk e ka përdorur listën e madhe të mbështetësve të tij për të ndihmuar politikanët e tjerë të mbledhin para (Përfaqësuesja Elise Stefanik e Nju Jorkut ishte një përjashtim i rrallë në fillim të këtij viti). Duke u përballur me mundësinë e humbjeve të profilit të lartë, ekipi i Trump tani po planifikon të shpenzojë drejtpërdrejt për të ndihmuar disa kandidatë të dobët të mbështetur nga Trump; një transferim parash në një super PAC në Georgia ishte vetëm hapi i parë.
Taylor Budowich, një zëdhënës i Trump, tha se fokusimi vetëm në shpenzimet direkte nuk llogarit plotësisht vlerën e imprimaturit të Trump për votuesit dhe “mbulimin falas mediatik” që gjeneron. “Dikur thuhej se një mbështetje elektorale vlen sa letra në të cilën është shtypur, por tani ka një përjashtim për këtë – miratimi i Trump,” tha Budowich.
Ashti si bosët politikë në të kaluarën, Trump është fokusuar shumë në mekanikën e zgjedhjeve – kush i numëron votat, kush i certifikon ato – ndërkohë që mbjell vazhdimisht mosbesim ndaj sistemit përmes pretendimeve të rreme për manipulim votash.
Ndërsa shefi i korruptuar i Tammany-t, Tweed, u portretizua duke thënë, teksa mbështetej në një kuti votimi, në një karikaturë të famshme të viteve 1870: “Për sa kohë unë numëroj votat, çfarë mund të bësh?”
Ose, siç tha Trump për Breitbart News këtë muaj, “Ka një shprehje që numëruesit e votave janë më të rëndësishëm se kandidati dhe ju mund ta publikoni këtë shprehje”.
Përdorimi i pushtetit mbi partinë dhe shitja e trillimeve të zgjedhjeve të vjedhura shërbejnë gjithashtu për të larguar vëmendjen nga dalja e palumtur e Trump nga Shtëpia e Bardhë si një humbës.
Michael D’Antonio, një biograf i Trump, tërhoqi një paralele midis kësaj periudhe dhe një krize të mëparshme në karrierën e tij: falimentimin në fillim të viteve 1990. “Këto do të kishin qenë ngjarje shkatërruese për dikë tjetër,” tha ai. “Por për Trump-in, kjo thjesht shënoi një kthesë në metodë dhe në ndjekjen e pushtetit. Dhe ai kurrë nuk pranoi se këto ishin vërtet humbje.”
Demokratët po përgatiten për humbje në vitin 2022. Por strategët në të dyja partitë thonë se profili i madh publik i Trump paraqet një rrezik për republikanët, pasi sondazhet private dhe grupet e fokusit tregojnë se ai mbetet një shkurajues i fuqishëm për votuesit e pavendosur.
Është një histori shumë e ndryshme në zgjedhjet paraprake republikane, ku pak kandidatë seriozë dalin hapur kundër Trump. “Marrja e Partisë Republikane nga Presidenti Trump ka qenë kaq e plotë,” tha Boris Epshteyn, një tjetër ish-këshilltar i Trump që shihet ndonjëherë në Mar-a-Lago, “sa edhe RINO (Republicans in name only) po përpiqen të flasin si MAGA (Make America great again)”.
“Si gaforret në një kovë”
Asgjë nuk e jep kontrollin e Trump në parti, sa shtrembërimet e atyre që kërkojnë miratimin e tij politik. Disa kandidatë paguajnë për të marrë pjesë në mbledhjet e fondeve në Mar-a-Lago për të tjerët – duke pritur për një moment të shkurtër vëmendjeje nga Trump, ose më mirë ende, një foto. “Moment epik”, ishte mënyra se si një kandidate e Dhomës së Përfaqësuesve përkujtoi disa sekonda me Trump në Instagram.
Kur Trump ftoi kandidatët nga Miçigani që të qëndronin pranë tij në një event, zëri i një burri kumboi: “Po kandidoj edhe unë për guvernator, a mund të vij atje lart?” Ishte Ryan Kelley. “Po kandidoni për guvernator të kujt?”, pyeti Trump i hutuar. “Michigan!”, u përgjigj Kelley. Ai u ngjit, duke shtrënguar duart me një kundërshtar, Perry Johnson.
Johnson, nga ana e tij, kishte qenë një prani e përsëritur në Mar-a-Lago, duke postuar me krenari një video të zbehtë të Trump duke përshëndetur “numrat e tij të mirë të sondazheve” në një tjetër mbledhje fondesh. Madje, ai kishte blerë një reklamë televizive për mirëseardhjen e Trump në Michigan përpara një mitingu të 2 prillit.
Megjithatë, Trump e shpërfilli në tubim dhe në vend të tij lavdëroi një kandidate rivale, Tudor Dixon, e cila e kishte zhvilluar mbledhjen për mbledhjen e fondeve Mar-a-Lago në shkurt.
Në shumë mënyra, ethja e mbështetjes elektorale është një hakmarrje në jetën reale e rolit të vjetër në reality TV të Trump.
“Çfarë ishte “The Apprentice” veçse një përleshje e trishtuar njerëzish që sillen si gaforre në një kovë për t’u marrë nga ai?” tha biografi D’Antonio. “Si janë këta këta njerëz më shumë se konkurentë në luftë për miratimin e tij?”
Në një skenë të rrëfyer shpesh, Trump tërhoqi vitin e kaluar disa kandidatë për Senatin e Ohajos në një dhomë të Mar-a-Lago, ku ata filluan të sulmojnë verbalisht njëri-tjetrin ndërsa ai shikonte. “Gjërat dolën jashtë binarëve,” tha një kandidat, Bernie Moreno, i cili fajësoi rivalët e tij, jo Trump, për kaosin. Moreno e ka braktisur garën duke mos dashur të ndajë votën pro-Trump.
Pothuajse të gjithë pretendentët e Ohajos kanë shfaqur reklama duke luajtur me lidhjet e tyre me Trump dhe kanë lobuar personalisht. Jane Timken e quan veten “konservatorja e vërtetë e Trump”. Josh Mandel e quan veten “pro-Zot, pro-armë, pro-Trump”. Mike Gibbons e quan veten dhe Trump dy “biznesmenë me shtyllë kurrizore”.
Trump nuk mbështeti asnjë prej tyre, përkundrazi mbështeti autorin J.D. Vance. Në një debat përpara mbështetjes, Matt Dolan, i vetmi pretendent kryesor republikan që nuk konkurronte në mënyrë agresive për një miratim të Trump, sugjeroi se rivalët e tij po i vendosnin votuesit e Ohajos në vend të dytë. “Ka njerëz në këtë skenë që luftojnë për një votë,” tha ai, “dhe ai person nuk voton në Ohio.”
Dolan bën përjashtim. Si rregull, një audiencë me Trump mund të bëjë ose të prishë një kandidaturë. Kështuqë, kandidatët përqendrohen shumë te strategjitë.
Trump i pëlqen lajkat dhe nuk përton të shpërblejë servilët. Por të brendshmit thonë se sjellja e materialeve vizuale bindës ka rëndësi gjithashtu. Shkronjat e mëdha janë vendimtare. Me foto dhe grafika. Me ngjyra.
Ai nuk është i dhënë pas dixhitales, kështu që ne kishim printime,” tha Joe Kent, i cili që atëherë ka fituar mbështetjen e Trump në përpjekjen për të rrëzuar Përfaqësuesin Jaime Herrera Beutler të Uashingtonit, një nga 10 votat republikane pro impeachment-it.
“Unë kam nevojë të shoh sondazhet, kam nevojë të shoh financime, kam nevojë të shoh që ju fitoni një emër”, e udhëzoi Trump, siç kujton Kent.
Kur i pëlqen ajo që sheh, Trump do të dërgojë me postë fjalë inkurajimi. “Po ecën shkëlqyeshëm!”, i shkroi në janar Kent-it. “Po ecën shkëlqyeshëm!”, i shkroi tetorin e kaluar Harriet Hageman-it, e cila po sfidon Liz Cheney të Wyoming.
Kur Billy Long, një kandidat për Senat në Misuri, u takua për herë të parë me Trump vitin e kaluar, ai solli me vete një printim sondazhesh të favorshëm. Por ai e ndjeu se u mund kur, kujton ai, Trump “u zgjat dhe mori një tjetër sondazh” që Long supozonte se vinte nga një rival, megjithëse mund të kishte qenë pjesë e paketës që ekipi i Trump përgatit për takimet me kandidatët.
“Donald J. Trump do të bëjë atë që dëshiron të bëjë kur të dojë ai”, tha Long. “Nuk ka asnjë recetë sekrete.”
Precizion televiziv
Televizioni është një mënyrë popullore për t’a lobuar Trumpin, dhe disa kandidatë përpiqen duke shfaqur reklama larg votuesve të tyre. Kur Trump po qëndronte në fushën e tij të golfit në Bedminster, N.J. verën e kaluar, Jim Lamon, një kandidat për Senat në Arizona, pagoi për një reklamë në Fox News në New Jersey.
Michele Fiore, një këshilltare bashkiake e Las Vegas, njoftoi kandidaturën për guvernatore të Nevadës me një reklamë teatrale pro-Trump që u shfaq në West Palm Beach. Ajo më vonë kaloi në garën për kreun e Thesarit të shtetit, duke thënë në një reklamë tjetër se ekipi i Trump e kishte këshilluar të ulte pak stekën.
Dhe në mars, një grup që i kërkonte Trump të anulonte mbështetjen për Matthew DePerno, një republikan që kandidon për prokuror të përgjithshëm në Michigan, bleu një reklamë që sulmonte DePerno-n e cila u shfaq në West Palm Beach.
Të tjerët kanë përdorur video me precizion edhe më të madh.
Në nëntor, Blake Masters, një kandidat për Senat në Arizona, publikoi një video publike duke thënë: “Unë mendoj se Trump fitoi në 2020”, një ditë para se të fluturonte në Florida për një mbledhje fondesh në Mar-a-Lago, e cila i kushtoi fushatës së tij 29,798,70 dollarë.
Disa e kapin syrin e Trump në televizion ndërmjet reklamave.
Zv/Guvernatorja Janice McGeachin e Idaho u shfaq në programin e Tucker Carlson të Fox News qershorin e kaluar dhe lavdëroi Trump. Të nesërmen, ai e mori në telefon.
“Ishte gjëja më e lezetshme,” tha ajo, duke shtuar se “futi në bisedë” faktin se ajo planifikonte të sfidonte guvernatorin Brad Little, republikanin në detyrë, dhe kërkoi mbështetjen e Trump. Së shpejti, ajo ishte në një aeroplan për në Nju Jork për një takim në Kullën Trump. “Gjëja që doja të bëja është ta përqafoja shumë dhe t’i tregoja se sa shumë e donim”, tha ajo. “Dhe kjo është gjëja e parë që bëmë.”
McGeachin i tha Trump se Little nuk kishte luftuar mjaftueshëm për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës. Në vjeshtë, ajo loboi edhe njëherë për veten në Mar-a-Lago dhe u largua me një kapelë të kuqe të firmosur që e mban në fushatë. Pa kaluar shumë, Trump e mbështeti zyrtarisht atë – megjithëse ai kishte vetëm lëvdata për Little, i cili kishte marrë pjesë në një mbledhje fondesh në Mar-a-Lago për një organizatë jofitimprurëse të linjës Trump vetëm disa ditë më parë.
McGeachin, e cila shkaktoi bujë kohët e fundit duke regjistruar një fjalim për një tubim nacionalistësh të bardhë, shihet gjerësisht si underdog në zgjedhjet paraprake të majit.
Episodi përmbledh veçoritë e stilit të Trump si një shef partie: thyerja ndaj lobimeve intensive, vendimmarrja e rastësishme, potenciali që ai të luajë blofin dhe kërkesa që pretendimet e tij të rreme për mashtrime zgjedhore të shumëfishohen.
“Është mbështetja më e lakmuar, besoj, në historinë politike,” tha McGeachin.
Një dorë e rëndë
Duke mbajtur parasysh rekordin fitore-humbje të miratimeve të veta, Trump po i trajton gjithnjë e më shumë kandidatët republikanë si gurë shahu që duhen zhvendosur, shkëmbyer ose braktisur. Rezultatet kanë qenë të përziera.
Në Georgia, ai rekrutoi ish-senatorin David Perdue për të sfiduar guvernatorin Brian Kemp, një republikan që sfidoi Trump duke certifikuar zgjedhjet e vitit 2020. Trump i bëri presion kandidatit tjetër pro-Trump në garë, Vernon Jones, një ish-demokrat, të kandidojë për Dhomën e Përfaqësuesve, me mbështetjen e tij.
Ajo manovër funksionoi, por sondazhet kanë treguar se Perdue është pas Kemp në garën e 24 majit, një barometër i hershëm i ndikimit të Trump.
Në Karolinën e Veriut, Trump u përpoq të bënte që një aleat, kongresmeni Mark Walker, të braktiste fushatën e tij për në Senat dhe t’i hapte fushë zgjedhjes së Trump, Ted Budd, për t’u përballur me ish-guvernatorin Pat McCrory në zgjedhjet paraprake të majit. Por pasi gjykatat trazuan hartat politike të shtetit, Walker refuzoi, duke kërcënuar se do të ndajë votën pro Trump, megjithëse sondazhet tregojnë se Budd gjithsesi kryeson.
Trump ka anuluar tashmë një miratim, atë për Mo Brooks për Senatin e Alabama-s, pasi z. Brooks kishte rënë në sondazhe. Ai ka folur privatisht, për shembull, për zbutjen e qëndrimit të tij pro zonjës McGeachin.
Trump ka qenë veçanërisht praktik në rekrutimin e sfiduesve ndaj kritikëve të tij më të zëshëm republikanë, si psh znj. Cheney.
Vitin e kaluar, ai intervistoi disa sfidues të mundshëm, me shpresën për të krijuar një përballje me dy persona. Midis tyre ishte Darin Smith, një avokat Cheyenne, i cili fluturoi për në Bedminster dhe më vonë tha se i vinte keq që nuk i kishte futur më herët personat e brendshëm të Trump në listëpagesat e tij. Trump përfundimisht miratoi Harriet Hageman, një ish-zyrtare e partisë, këshilltarët e së cilës përfshijnë strategët aktualë dhe ish-strategët e Trump, Justin Clark, Nick Trainer, Bill Stepien dhe Tim Murtaugh.
“Pavarësisht nëse e don kënetën apo e urren, është realitet,” tha Smith, i cili që atëherë ka mbështetur Hageman. “Ka orbita rreth Trump.”
Ndoshta askund tjetër Trump nuk është futur më thellë në politikën lokale sesa në Michigan, i udhëhequr pjesërisht nga bashkëkryetari i partisë së shtetit, Meshawn Maddock, një aleat i ngushtë që organizoi autobusë për të transportuar protestuesit në Uashington më 6 janar 2021. Në nëntor 2020, pasi Trump thirri ligjvënësit e Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë për një takim të jashtëzakonshëm teksa kërkonte të anulonte zgjedhjet, dy legjislatorë republikanë të këtij shteti e kundërshtuan. Tani, Trump ka miratuar më shumë se gjysmë duzine kandidatësh legjislativë në Michigan për të zgjedhur bashkëshortin e zonjës Maddock, kongresmenin e shtetit Matt Maddock, si kryetarin e ardhshëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Trump nuk e fshehu dëshirën për të marrë kontrollin e posteve të numërimit të votave të shtetit, ndërsa mblodhi mbështetje për zgjedhjet e tij për Prokurorin e Përgjithshëm të Shtetit dhe Sekretarin e Shtetit, DePerno dhe Kristina Karamo.
“Mos harroni, kjo nuk ka të bëjë vetëm me vitin 2022, kjo ka të bëjë me sigurinë që Michigan të mos manipulohet dhe vidhet përsëri në vitin 2024”, tha Trump në Detroiti më 2 prill.
Theksimi i dominancës
Arka e luftës e Trump sigurisht që projekton pushtet, por është popullariteti i tij i qëndrueshëm me bazën e partisë që i frikëson më shumë liderët e tjerë republikanë.
Rrjedha e pafundme e mesazheve për mbledhjen e fondeve të partisë që përdorin emrin e Trump – dhe ndonjëherë e bëjnë të duket sikur paratë shkojnë tek ai – është dëshmi e pëlqimit të tij nga donatorët e vegjël. Sondazhet tregojnë gjithashtu se shumica e votuesve republikanë e vlerësojnë mbështetjen e tij. “Dominimi i partisë në nivelin e votuesve bazë është i paprecedent,” tha Stone, këshilltari për një kohë të gjatë i Trump.
Plotësisht i vetëdijshëm për këtë, Trump ka pohuar dominimin edhe mbi udhëheqësit republikanë të kongresit.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, McCarthy, i cili shpreson të bëhet kryetar pas zgjedhjeve të ndërmjetme, është përpjekur ta mbajë Trump mënjanë në disa zgjedhje paraprake, duke lobuar, për shembull, për ta ndaluar atë të mbështesë përfaqësuesen Mary Miller të Illinois, e cila garoi në të njëjtin distrikt me Përfaqësuesin Rodney Davis. Trump e mbështeti gjithsesi.
“Frika legjitime e McCarthy-t është se shumica do të fitohet, por që 10 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve do të rrinë së bashku dhe do të thonë: “Ne nuk po votojmë për ju apo për ndonjë gjë që dëshironi”, tha Stone.
Në Senat, Mitch McConnell i Kentakit, lideri i pakicës, nuk ka folur me Trump që kur ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, por ai gjithashtu u pajtua me të në mbështetjen e Herschel Walker për Senatin në Georgia, pavarësisht disa dyshimeve të hershme nga ekipi i tij.
Ata që janë të pakënaqur me sundimin e Trump si shef partie po kërkojnë shenja se kontrolli i tij po rrëshqet dhe disa rivalë të mundshëm të vitit 2024 – Mike Pence, Ron DeSantis, Chris Christie, Tom Cotton – janë dukur më pak të frikësuar së fundmi për të mos u pajtuar publikisht me Trump, ndërsa hetojnë për çarje të mundshme.
Garat në të cilat Trump ka mbështetur një kandidat do të studiohen për çdo zbehje të fuqisë së tij. Por fakti mbetet se shumë nga ata që ai kundërshton në zgjedhjet paraprake vazhdojnë të konkurrojnë si republikanë të Trumpit. Pak shohin një datë skadimi për dominimin e tij deri, dhe nëse ai nuk refuzon të kandidojë përsëri, në 2024, ose nuk mposhtet.
Një episod i kohëve të fundit në podkastin e Komitetit Kombëtar Republikan kapi si pengesat ashtu edhe të metat e lidhjes së palëkundur të partisë me Trump. Ishte, deri tani, episodi më i shikuar i podcast-it në YouTube – derisa faqja e hoqi për përhapjen e dezinformatave.
“Fuqia e mbështetjes suaj nuk mund të nënvlerësohet”, i kishte thënë Ronna McDaniel, kryetarja e partisë, zotit Trump, duke shtuar: “Ne kemi nevojë për ju”.