Berisha në krah të Ukrainës në prag të fjalimit të Zelinskit

Lideri historik i PD, Sali Berisha, duke folur për gazetarët jashtë sallës së parlamentit ka kërkuar largimin e ambasadorit rus nga Tirana. Gjithashtu ai kërkoi që edhe ambasadori shqiptar të largohet nga Moska.

“Ndoqëm me vëmendje dhe interes të madh dhe emocione të thella, fjalimin e presidentit Zelensky të Ukrainës, këtij vendi, kombi që po martirizohet për lirinë e Europës dhe botës, në një agresion barbar të Vladimir Putin, i cili theksoi se paraqet sot në monstër me fytyre njerëzore, një kain që ka shndërruar kombin e tij, në kainër që ekzekutojnë vëllezër, fëmijët dhe gratë dhe djegin e shkatërrojnë shtëpitë e tyre.

Qëndresa e ukrainasve është një frymëzim i madh për ata që duan dhe besojnë tek liria dhe ndjenja e saj. Siç jeni në dijeni që në ditët e para të agresionit kemi ngritur zërin në parlament për ndihma të gjithanshme ndaj këtij vendi. Padyshim Shqipëria është e rreshtuar në anën e NATO-s dhe në OKB ka dhënë ndihmesën e saj.

Ajo që më lëndon shumë dhe na turpëroi dhe sot, është qëndrimi i dyzuar i Edi Ramës, gjatë këtyre 2 muajve të sulmit barbar. Nga njëra anë dënohet sulmi, votohet kundër sulmit dhe nga ana tjetër propagandohet projekti ruso-serb i Ballkanit të Hapur që i hap rrugën influencës ruse në rajon dhe zgjeron ndikim serb.

Ishte absurd ftesa e Edi Ramës për turistët rus në Shqipëri. Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, që pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për tu rikuperuar dhe marrë veten. Kjo është një fyerje e rëndë për shqiptarët.

Dhe ju që e ndoqët fjalën e presidentit Zelenskyt, kjo ishte edhe një kërkesë e tij. Çfarë ishte ky gjest mes kësaj barbarie, një ftesë për rusët që po bëjnë luftën më të padrejtë në tërë historinë e tyre të gjatë. Ndaj dhe kërkoj me urgjencë që të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri.

Së dyti, kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska. Zvogëlimin në maksimum të të gjitha marrëdhënieve politike e diplomatike me Rusinë, si një dëshmi e një qëndrimi të papajtueshëm me këtë agresor ndaj një vendi të lire”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Lubonja: Kemi një bandë të madhe që ka krijuar një sistem për të mbajtur në pushtet Edi Ramën

Analisti Fatos Lubonja në një lidhje Skype me emisionin “Open”, tha se nga dosja Metamorfoza …

Leave a Reply