Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha në një konferencë për shtyp se, ka sjellë votën e lirë ndërsa theksoi se, Edi Rama e për ngjashmëri edhe Lulzim Basha e përzunë votën e lirë nga Shqipëria.
“Ne do e rikthejmë atë. Ky ishte zotimi ynë solemn. PD kaloi procese si kurrë më parë. Kuvende gjigande, referendume të papara, kaloi në zgjedhje ne çdo seksion, grupseksion, degë.
Së fundmi më 30 prill ajo bëri zgjedhjet për forumin më të rëndësishëm pas Kuvendit Kombëtar, që është Këshilli Kombëtar i PD.
Në të gjithë këtë proces ka pasur dominim vota e lirë. S’kemi pasur asnjë rast të vetëm se nuk ishte i drejtë numërimi i tyre.
Kjo përmbush një zotim të një rëndësie themelore. Në këtë proces është votuar apo kanë garuar për votim qindra e qindra kandidatura. Dominoi vota e lirë, arkivuam në harresë kryetarokracinë”, tha Berisha.