Kukullat një përdorimshe të farsës me president

Konferenca e sotme e kryetarëve në parlament tregoi se disa deputetë të opozitës po marshojnë në rrugë të paditur në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit. Enkelejd Alibeaj, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Flutura Açka kanë debatuar sot me shumicën qeverisë lidhur me formën dhe modalitetet për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Alibeaj arriti një ‘fitore të vogël” sepse Taulant Balla i bëri si koncesion shtyrjen e raundit të parë të votimit jo në 10 por në 16 maj. Fatmir Mediut nuk iu morr parasysh kërkesa që në këtë proces të përfshiheshin të gjithë, pra dhe partitë politike, jo vetëm grupet parlamentare, pasi socialistët kanë vënë kusht që nuk negocjojnë me Berishën. Jorida Tabakut dhe Grida Dumës, që u ankuan se socialistët e kishin nisur që më parë zgjedhjen e tyre me zarfa, as nuk ua vuri veshin kush. Ndërsa Açka as nuk foli fare.

Por, përtej kronikës së ngjarjes së ditës shtrohet një pyetje: a ka vlerë ky teatër me diskutime deputetësh? A është opozita aty për tu marrë me meskinitet datash e procedurash, apo për të folur për thelbin?

Pjesmarrja e deputetëve që luajtën rolin e aktorit në këtë farsë ka disa probleme.

Së pari asnjëri prej tyre nuk është përfaqësues i shumicës reale në opozitë. Fatmir Mediu nuk është zgjedhur me votat e tij, por me ato të PD-së në këtë kuvend. Alibeaj, Duma, Tabaku dhe Açka, nuk kanë gjithashtu legjitimitet, pasi testi elektoral i 6 marsit i nxori si përfaqësues të pakicës në kuvend. Pra ata mund të flasin në emër të një pjese të opozitës, por jo si përfaqësues të së tërës.

Së dyti, ata e humbasin edhe kredibilitn pesonal kur lejojnë që Taulant Balla të luajë arbitrin e demokratit të mirë apo demokratit të keq, deputetit që pushteti e llogarit për të gjallë dhe atij që e llogarit për të vdekur. Vija e kuqe e kësaj qeverie, që negociatat zhvillohen vetëm mes grupeve parlamentare, është një përpjekje e pacipë për të mbajtur larg Berishën dhe gjithë fluksin që e mbështet atë. Dhe bërja palë me rilindjen, rënia në kurthin e saj nuk i bën nder askujt.

Të gjithë e dinë se në të vetmin rast kur vendi ka zgjedhur një president realisht konsensual, Alfred Moisiun, ai erdhi si pasojë e marëveshjes Nano- Berisha dhe jo si produkt i bisedimeve mes krerëve të komisioneve parlamentare. Pra vazhdimi në këtë rrugë do të thotë të marrësh pjesë në ballon me maska të rilindjes.

Po le të supozojmë për një çast se deputetët që u bënë pjesë e bisedimeve sot, janë të bindur që përfaqësojnë shumicën dhe se besojnë se u takon atyre të negociojnë me qeverinë. Le të hamendësojmë gjithashtu se ata janë nisur me qëllimin më të mirë për ta nxjerrë sa më të pastër imazhin e opozitës në këtë proces.

Pra edhe sikur PD mos kish pasur probleme legjitimiteti dhe sherre të brendëshme, pra sikur për ata që ishin sot në Koferencën e kryetarëve mos kishte asnjë kontestim, përsëri ka një pyetje: A ia vlen të negociohet me Ramën, kur ai i ka vetë votat për të zgjedhur presidentin? A ia vlen të provohet sërish farsa e marrëveshjeve kur po të njëjtët njerëz e kanë akuzuar se ka shkelur edhe mbi 14o votat e reformës në frejtësi, edhe mbi paktin e majit 2017 me Bashësn, edhe mbi 14 janarin edhe mbi 5 qershorin? Pra a ka logjikë politike që të presësh nga dikush që ka shkelur dhe ligjet dhe ka ndryshuar kushtetutën për të prishur paktet, të bësh sikur do besosh se ai do realizojë një bashkëpunim, aq më tepër kur nuk i duhen votat e tua?

Pra edhe nëse naivisht besojnë se janë njerëzit e duhur që mund të përfaqësojnë opozitën në këtë proces ata të pestë nuk duhet të qenë sot aty si kukulla një përdorimshe të farsës me president. Sepse qëllimi i tyre nuk është që tu falë Taulant Balla edhe 5 ditë, por që të arrijnë një rezultat.

Cilido që e quan veten vërtet opozitar mund të ulej në një tryezë negociatash, vetëm nëse pala tjertë angazhohet për zgjedhjen e një figure konsensuale brenda tre raundeve të para (pra jo me 71 votat që i ka vetëm PS-ja). Çdo pjesmarrje tjetër, në kushtet kur kryeministri thotë: “ne i kemi votat”, është një përdorim i shëmtuar që i jep mundësinë atij edhe të zgjedhë presidentin që e ka paracaktuar vetë edhe që ta përdorë farsën e procesit për të thelluar më shumë përçarjen e opozitës.

©Lapsi.al

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …

Leave a Reply