Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se Kosova mbështet procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët rajonal që ndodhet brenda BE që është gjithëpërfshirës ndaj nuk mbështesim iniciativa të tjera paralele.
Në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman në Berlin, Olaf Scholz, kryeministri Kurti theksoi edhe një herë refuzimin e Kosovës për Open Balkan.
Kurti i kërkoi kancelarit Scholz në Berlin që të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe njohjen e Kosovës nga 5 vendet anëtare të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur si shtet.
“Pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga sa më shumë vende, duke përfshirë 5 vendet e BE që ende nuk e kanë njohur. Në këtë mënyrë të pamundësojmë krijimin e narrativave të dëmshme. Kërkova që Gjermania ta përpara liberalizmin e vizave për Kosovën. Në korrik bëhen 2 vite nga rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Tani është koha të thuhet mjaft është mjaft, pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përqendruar në njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.
“Jemi të përkushtuar të ecim shpejt dhe të kemi rezultate konkrete”, tha Kurti.