Berisha: Nesër në orën 8 të ndizen qirinj para të gjitha komisariateve 

Në konferencën e përjavshme për shtyp, lideri historik i PD, Sali Berisha u ndal te ngjarja e rëndë e vdekjes misterioze të një të riu në komisariat.

“Një i ri, 28 vjeç, Ilvi Meta, humbi jetën në rrethana misterioze në qelitë e zeza të narko-komisariatit të Kavajës. Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje këtë tragjedi njerëzore. Hyrja në qelitë e komisariatit presupozon se nuk ka vend më të sigurt për jetën e tij.

…Autopsia tregon se kishte një lak, shenjën e një laku rreth qafës, çka flet për varje. Vetëvarje apo e vari xhelati, këtë nuk e di. Nuk mund të akuzoj apo të konfirmoj se vari veten. Por Ilvi, sipas dëshmive të shokëve dhe miqve të tij, ishte një djalë i hedhur, pa asnjë lloj shenje të problemit më të vogël psikologjik apo psikik.

Ai u arrestua me një provë absolutisht të paqëndrueshme. Gjurmët e gishtërinjve të tij u gjetën në derën e një lokali ku ai pinte kafe rregullisht. Ai u akuzua sikur ka marrë derën, por nuk po merrem me veprën penale, edhe pse ajo bën një vepër minore. Por do denoncoj para jush faktin se qelitë e sotme në komisariatet e policisë janë shndërruar në biruca të zeza si qelitë e Sigurimit të Shtetit.

Nuk ka vend në Europë, nuk ka vend të lirë në botë, që në një hark kohor 5-javor, të regjistrojë vdekjen e dy të rinjve në komisariatet e policisë; Arben Mici në Kamëz dhe Ilvi Meta në Kavajë. Nuk ka ndodhur kurrë në 30 vite. Nuk ka ndodhur edhe në kohën e hetuesive më të rrepta.

A u ushtrua një dhunë dhe terror i madh psikologjik ndaj Ilvi Metës nëse ai vendosi të vetëvarej jashtë çdo dyshimi? Kavaja vuan nga një rrjet grabitësish që kanë krijuar shqetësim të madh, por kjo nuk do të thotë të vriten njerëzit në qeli. Kurrën e kurrës. A e vari atë dikush me kordonin e kapuçit? Nuk përjashtohet në mënyrë absolute. Por ajo që është po kaq e shëmtuar dhe kriminale është heshtja çnjerëzore dhe cinike e organeve shtetërore para këtyre akteve, të cilat mirëfilltasi përbëjnë vrasje shtetërore”, tha Berisha.

“Ministri i familjes, që në vend të merret me zbatimin e ligjit, është gardian i interesave të klanit kriminal Rama, drejtori i policisë heshti sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është edhe më kriminale”, theksoi Berisha.

“Duke dënuar këtë qëndrim çnjerëzor të Edi Ramës, ministrit të tij familjar Çuçit, drejtorit të përgjithshëm të policisë Nano, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të Çcuçit. Ndërkohë do i propozoj Komisionit të Rithemelimit që nesër në orën 8 para të gjitha komisariateve të ndizen qirinj në një protestë të heshtur: Stop vrasjeve në komisariate”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Si deputetët e “Vetëvendosjes” injoruan fjalimin e Ramës në Parlamentin e Kosovës

Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet një …

Leave a Reply