Nga Silvi BARDHI
Partia Demokratike është kryefjala e mediave sot. Ngjarjet rreth saj kanë kuriozitetin më të madh publik dhe pa dyshim kjo vjen si rezultat i zhvillimeve të vrullshme gjatë 7 muajve të fundit. Ngjarje të cilat kanë arritur në një përfundim demokratik në thelb.
Vota vendos shumicën.
Vota si një akt emocional, është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë. Është kjo shoqëri e cila gjithmonë shpresën e kërkon tek “aleati” i saj i përditshëm, tek opozita e vendit.
Është e vërtetë, Partia Demokratike është në momentin e saj të vështirë për t’u përballur me të gjithë potencialin e saj përballë qeverisjes më të korruptuar e më të dështuar të 110 viteve shtet.
Përse them se është në moment të vështirë?
Shumëkush i cili ka gjetur kohën të më lexojë, në mendjen e tij ose të saj do ta lidhë me konfliktin e brendshëm. Unë mendoj se konflikti nuk mund të shpiket në një demokraci për sa kohë shumica flet me votë. Data 6 Mars e zgjedhjeve lokale në 6 bashki të vendit ishte vërtetë një test brenda Partisë Demokratike. Vota vendosi, demokratët vendosën se kush e drejton Partinë Demokratike, kush e frymëzon dhe kush njeh rrugën për ta risjellë në pushtet.
Në këtë pikë, çdo gjë është e qartë. Mohimi i votës, të indentifikuar e numëruar publikisht, dëmton moralisht këdo që ngre gishtin e akuzës kundër vullnetit të lirë të demokratëve.
Demokratët janë ata të cilët nuk lidhin kontratë të ftohtë mes palëve, kontrata e tyre është shpirtërore, ndaj reagimin e kanë po aq sfidues.
Tentativa për të mohuar këtë lidhje shpirtërore mes 2 palëve, do të gjejë pa dyshim reagim.
Ndaj terminologjia e përdorur mbi ‘’konfliktin’’ nuk ekziston në bazë, por tek pak personazhë të cilët e paskan të pamundur të shohin të vërtetën në sy. E paskan të pamundur të pranojnë të vërtetën se vota foli, shumica foli.
Ky ‘’konflikt’’ nisi me hermetizimin e selisë së PD-së dhe po e njëjta mendësi vazhdon tek lista e një dore personazhesh të cilët kërkojnë të jenë ende faktorë duke dëmtuar me vetëdije procesin e saj të brendshëm.
Kjo lëvizje është e qëllimshme duke dashur të përçohet mesazh në bazën e Partisë Demokratike, e cila detyrimisht është më e ndjeshme.
Në këto kushte, opozita shqiptare gjendet në një moment të vështirë, situatë e cila kërkon së pari transparencë dhe proces të ndershëm demokratik.
Partia Demokratike zhvilloi zgjedhjet e saj me ‘’Një anëtar, një votë’’, zgjedhjet në degë, seksione, grupseksione, zgjedhje për delegatë të Kuvendit dhe së fundi për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar. Procese tërësisht transparente të cilat u ndoqën nga të gjitha mediat drejtpërdrejt, si një mesazh i qartë demokratik – Votë dhe transparencë.
Forma më e hershme e demokracisë u zbatua në vitin 508 P.E.S në Greqinë e lashtë, ku lideri dhe lidershipi u votuan me votë.
Ky parim i demokracisë mbetet edhe sot në Shekullin XXI themeli i bashkëjetesës politike dhe i mendimit ndryshe.
Respektimi i votës është respekt ndaj votuesit, qytetarit të thjeshtë i cili ka pushtetin absolut përballë ligjvënësit.
Ndaj edhe Partia Demokratike më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, bashkëpunimin politik mes vete, me qëllim, shpëtimin e Shqipërisë nga njeriu i cili për 9 vjet nuk u soll si Kryeministër por Shqipërinë e pa si një telajo në të cilën vizatoi çfarë deshi dhe si deshi.