Shuplaka nga Holanda!

Nga Erion DASHO

PJESA 2: CILËSIA E SHËRBIMIT

Në datën 16 maj, shtetasi holandez Toni Daans, këshilltar ndërkombëtar i Ministrisë së Drejtësisë, u aksidentua lehtë në Tiranë. Më saktë, ai ra në një nga gropat e rrugëve që ka lënë hapur Veliaj me shokë. Në kushte normale, ky aksident do të ishte zgjidhur shumë shpejt dhe pa asnjë pasojë. Fatkeqësisht, ai i rrezikoi seriozisht jetën Z. Daans.

Pas kthimit në Holandë, Z. Daans i drejtoi një letër të hapur kryeministrit Rama, ku renditi nëntë gabime të rënda që mjeku i vet holandez konstatoi në mënyrën se ishte trajtuar pacienti i vet në Shqipëri.

Në një status të para disa ditëve unë analizova problemi e parë që konstaton Z. Daans, mungesën totale të organizimit në Spitalin Universitar të Traumës (shih statusin e ditës së diel, datë 1 maj 2022 të titulluar SHUPLAKA NGA HOLANDA, PJESA 1: (Ç’)ORGANIZIMI).

Sot, do të analizoj problemet e cilësisë së shërbimit dhe pasojat e kësaj cilësie të dobët mbi shëndetin jo vetëm të Z. Daans, por në radhë të parë të vetë qytetarëve shqiptarë.

***

Gjatë atyre pak orëve që mori shërbim në qendrën e traumës, shtetasi holandez u diagnostikua gabim. Si pasojë e ekzaminimit me një aparat grafie të vjetër, mjekët i thanë se kishte thyer parakrahun dhe ja vendosën në gips (allçi), ndërkohë që pas ekzaminimit në Holandë u konstatua se zotëria nuk kishte asnjë thyerje.

Ndërkohë për t’i bërë gjërat edhe më keq, në epikrizën (dokumenti që i jepet pacientit kur del nga spitali) ishin shkruar gabim edhe diagnozat. Mjeku holandez konstatoi se asnjë prej diagnozave të shënuara në epikrizën e shkruar me dorë nuk qëndronte!!!

Fatkeqësisht për shërbimin shëndetësor shqiptar, historia nuk mbaron këtu. Pacientit i aplikohet një imoilizim me gips me cilësi të ulët, ndërkohë që spitali nuk kishte as fasho që dora e imobilizuar të qëndronte e varur në qafë.

Gjatë qëndrimit në spital, çarçafët e dhomës së observimit ishin të pistë, në WC nuk kishte ujë dhe as letër higjienike. Askush nuk u kujdes që pacienti të trajtohej duke i respektuar të drejtën e fshehtësisë (privacisë) dhe dinjitetit.

E fundit, por më e rënda, pacienti u lejua të largohej në shtëpi megjithë traumën në kohë dhe u lejua të fluturonte me avion ndonëse ishte duke marrë preparate për hollimin e gjakut (ç’ka mund t’i kishte shkaktuar deri edhe vdekjen gjatë fluturimit).

Ndërkohë që këshilltari i ministrit shqiptar të drejtësisë, Z. Daans i bën këto kritika publike, autoritetet e spitalit të traumës publikuan të gjithë të dhënat lidhur me trajtimin e pacientit (diçka rreptësisht e ndaluar jo vetëm me ligjin Europian, por edhe me ligjin shqiptar) duke pretenduar se kritikat e tij ishin gënjeshtra.

Si qëndron në fakt e vërteta?

***

Shërbimin në spitalin e traumës e kam përjetuar edhe si ekspert i menaxhimit shëndetësor edhe si i afërm i një pacienti. Ndërsa, për respekt të etikës profesionale, nuk mund të shkruaj për analizat që i kam bërë spitalit nga pozitat e ekspertit, kam gjithë të drejtën të flas nga pozitat e të afërmit të pacientit.

Bëhet fjalë për gati 10 vjet më parë kur një mik i afërt i aksidentuar me makinë u shtrua në spitalin e traumës. Me disa faktura të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, mjekët po bëheshin gati ta fusnin në sallën e operacionit. Ndërkohë një kolegu ynë mjek po në atë spital rekomandoi nën zë (për mos u konfliktuar me “kompetentët”) që pacienti duhej të transferohej jashtë vendit sa më parë.

Ajo që konstatuan mjekët e huaj pas transferimit atje ishte skandaloze. Askush prej tyre nuk u kujdes për thyrjet e kockave të cilat i quajtën prioritetet më pak të rëndësishme në trajtim, por u fokusuan tek dëmtimet e rënda të organeve të brendshme.

Nëse pacienti do të kishte qëndruar edhe pak orë në Shqipëri, ai me siguri do të kishte humbur jetën, ndërkohë që është gjallë e shëndoshë edhe sot e kësaj dite.

***

Episodi më sipër nuk ka nevojë për koment. Ai është përjetim personal dhe i vërtetueshëm lehtë. Përse ndodhi ai?

Së pari, ndodh sepse në spitalet shqiptare nuk ka protokolle. Sot asnjë vend i botës nuk funksionon pa protokolle sidomos në shërbime si ai i urgjencës dhe traumës ku koha është flori (“time is brain” thuhet në anglisht për situata si hemorragjia cerebrale). Në kushte kur vendimmarrja e sekondës mund të bëjë dallimin midis jetës dhe vdekjes së pacientit, protokolli dhe udhëzuesi i praktikës klinike orienton hapat që duhen marrë për diagnozë dhe trajtim.

Nëse sot pyet spitalin e traumës dhe ministrinë e shëndetësisë, ata do të përgjigjen se protokollet ekzistojnë. Problemi qëndron se protokollet nuk zbatohen nga askush, nuk janë bërë përpjekje për të trajnuar mjekët dhe infermierët për zbatimin e tyre dhe janë lënë të mbulohen nga pluhuri.

Së dyti, trauma dhe urgjenca punojnë në ekipe. Kirurgu nuk punon dot pa reanimatorin, imazheristin dhe specialistët e shumtë që plotësojnë të tërën me ekzaminime dhe konsulta. Një qendre kombëtare traume nuk duhet t’i mungojë asnjë specialist i vetëm përgjatë 24 orëve. Ndërkohë qendra jonë e traumës nuk ka mjek kardiokirurg, kurse puna në ekip është braktisur prej kohësh.

Në qendrën e traumës janë të paktë në numër edhe vetë mjekët reanimatorë rëndësinë e të cilëve shqiptarët e panë gjatë pandemisë. Mjekë të dalë në pension vazhdojnë të shërbejnë për të plotësuar nevojat.

Së treti, vetë qendra kombëtare e traumës njihet si qendër universitare, ndërsa spitali ku ajo ndodhet e ka humbur statusin universitar. Ky është skandal dhe paradoks. Në botë, spitalet që kanë qendra traume janë ndër më cilësorët edhe në çdo disiplinë tjetër. Kjo sepse puna në qendrën e traumës ndihmon të ngrihet niveli i gjithë spitalit. Ndërkohë që Spitali Ushtarak ku ndodhet qendra e traumës është kthyer në vend qokash ku politikanë (ish deputetë dhe ish kryetarë bashkish) punësohen për “sevap”.

Së katërti, jo vetëm qendra e traumës, por i gjithë sistemi shëndetësor nuk po kap dot lëvizjen mbarë botërore për menaxhimin e cilësisë në sistemin shëndetësor. Prej dekadash tashmë, spitalet europiane dhe ato cilësore në gjithë botën kanë ekipe për menaxhimin e cilësisë, drejtues të menaxhimit të cilësisë dhe programe të vlerësimit dhe menaxhimit të vazhdueshëm të cilësisë. Në Shqipëri, si edhe çdo gjë tjetër, kjo bëhet sa për sy e faqe dhe programet për menaxhimin e cilësisë jane vetëm letra që tunden nga ministri i radhës kur qytetarët apo ekspertët ankohen për cilësinë skandaloze të shërbimit.

Së pesti, jo vetëm spitali i traumës, por i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar vuan nga mungesa kronike e medikamenteve dhe materialeve të konsumit. Nuk ka nevojë ta thotë Z. Daans! Media çdo ditë flet për fëmijë të sëmurë me kancer që nuk marrin ilaçet jetëshpëtuese. Vjet gjatë pandemisë, ministria nuk siguronte dot as një maskë në muaj për mjekët dhe infermierët e parësorit!

***

Zoti Daans ka të drejtë kur ankohet për cilësinë e spitaleve tona! Ajo është skandaloze!

Është skandaloze jo thjesht për shkak të mungesave, por në radhë të parë sepse mungon koncepti i cilësisë, mungon angazhimi drejt cilësisë në çdo nivel të sistemit duke nisur nga kryeministri dhe duke përfunduar tek sanitari në spital.

Në këto kushte, e vetmja gjë që mbetet të them është:

Mos u justifikoni dhe mos u përpiqni që hidhni poshtë ato që ka shkruar Zoti Daans!

Përpiquni të përmirësoni diçka me qëllim që më pak shqiptarë të vdesin kur trokasin në dyert e spitaleve tuaja!

Bëjeni këtë për hir të shëndetit dhe jetës së atyre që ju kanë votuar (por edhe për hir të atyre që nuk ju kanë votuar apo atyre që u keni vjedhur votat)!!!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply