Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka ironizuar kërkesën që kryeministri Edi Rama i bëri Prokurorisë së Posaçme për të hetuar bashkëshortin e saj, presidentin Ilir Meta.
Sipas saj, një nga personat që ka gjykuar Metën ka qenë Ardian Dvorani, i cili sipas saj, mungonte nëpër seanca dhe fotografohej në Monaco. Po ashtu, Kryemadhi ka ndarë edhe bisedat që ka bërë me Metën lidhur me aleancën që krijoi me ish-kryedemokratin Lulzim Basha, për të cilin kishin vendosur një pseudonim; kec!
“Deklarata e Ramës më bën të qesh sepse nëse ka një njeri që është përballur gjithmonë me drejtësinë, ai ka qenë Ilir Meta. Madje Ilir Metës iu hoq imuniteti që në vitin 1992 vetëm pse doli në mbrojtje të fabrikës së Poliçanit. Pastaj është përballja me Dritan Priftin. Meta është i vetmi deputet që është gjykuar në Themel dhe nuk i është shmangur procesit as me raporte mjekësore e as me imunitete. Mos harroni që doli i pafajshëm 5 me 0 dhe relator ishte Ardian Dvorani. Ky thoshte jam sëmurë, dhe na sillnin fotografi ku ishte në Monaco. Shkuan deri atje sa kërkonin dëftesat e shokëve të Ilir Metës në gjimnazin në Lushnje. Dy herë e çuan në Venecia, pastaj me Gjykatën Kushtetuese me falsifikimin që bëri Etilda Gjonaj… Ilir Meta kishte të drejtë për djegien e mandateve dhe kur thoshte se, me një kec si Lulzim Basha nuk e mundni dot hienën Edi Rama”, tha Monika Kryemadhi.