Kandidati për kryetar të PD, Ibsen Elezi tha në një deklaratë për mediat se Kuvendi i 11 dhjetorit ishte një shprehje e vullnetit të lirë të demokratëve, për rrëzimin e modelit anti-demokratik Basha dhe ndërtimit të një modeli të ri mbështetur në parimet demokratike.
Elezi i cili kandidon për kreun e PD përballë liderit historik Sali Berisha, deklaroi se do të zgjerojë PD-në dhe do ta kthejë atë në parimet konservatore.
Ndër të tjera Elezi u shpreh se, do të eliminojë kacavjerrjen dhe servilizmin që pllakosi PD-në për vite me radhë nën udhëheqjen e Bashës.
Sakaq, ai kërkoi shtyrjen me 14 ditë të zgjedhjeve për kreun e PD, pasi sipas tij, koha në dispozicion është e pamjaftueshme.
“Kandidimin tim e shoh si një detyrim për t’u përballur me fenomenet negative që po na rrënojnë çdo ditë.
Si zgjidhje e kësaj situate jo demokratike brenda dhe jashtë PD, do zgjerojmë PD-në dhe do ta kthejmë në parimet konservatore.
Duke rikthyer besimin që demokratët kanë humbur ndër vite. Eliminojmë kacavjerrjen dhe servilizmin që pllakosi PD-në për vite me radhë”, tha Elezi.
Elezi ka theksuar se hapja e një procesi të gjerë debatesh me të gjithë kontributorët ndër vite, duke e nisur me ata që i vunë shpatullat në themelimin e saj të PD-së dhe me të gjitha shtresat shoqërore që mund ti bashkangjiten kësaj partie, është i nevojshëm për të rikthyer besimin e humbur ndër vite.
“Platforma ime do të mbështetet në dy kolona, në zgjerimin e kësaj force politike dhe kthimin e saj te parimet dhe vlerat konservatore.
Si fillim te hapja e një procesi të gjerë debate me të gjithë kontributorët ndër vite, duke e nisur me ata që i vunë shpatullat në themelimin e saj të PD-së dhe me të gjitha shtresat shoqërore që mund ti bashkangjiten kësaj partie, duke rikthyer besimin e humbur ndër vite.
Vendosja e standarteve për karrierë. Shtrirja e përfaqësimit territorial që është cënuar në mënyrë të dukshme.
Kthimi te parimet konservatore lidhet ngushtë me mbështetjen në vlerat më të mira të kombit tonë.
Familja, liria dhe prona.
Ndërtimi i një lidershipi të qëndrueshëm që bën çfarë thotë.
Do të jenë themelet e platformës time gjatë kësaj gare elektorale”, u shpreh Elezi.