Lideri historik i PD, Sali Berisha ka hedhur poshtë pretendimet e mediave të kontrolluara nga Edi Rama, lidhur me vizitën në Shqipëri të ish-sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo.
Berisha mohon kategorikisht të ketë kërkuar takim me Pompeon, i cili erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në aktivitetin e opozitës iraniane, MEK, në Manzë.
Sa i takon konferencës për 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, Berisha tha se, ftesat për aktivitetin u shpërndanë nga Taulant Balla, të cilin ai e quajti Taulant Bego, duke iu refeferuar lidhjeve të tij me biznesmenin e dënuar për trafik droge, Edmond Bego.
Berisha solli në vëmendje edhe skandalin e Edi Ramës në Shtëpinë e Bardhë, kur dërgoi atje Saimir Tahirin, i cili në Shqipëri akuzohej për trafik droge me Habilajn.
“Këto ditë patëm një vizitë të ish-sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, dua t’ju them se kam ndjerë një trishtim, jo pse unë nuk u takova, se nuk kisha pse të takohesha, unë jam në një proces. Por çfarë ndodhi? Kush e ftoi në konferencën e 100 vjetorit? Ftesat u shpërndanë nga Taulant Bego, i cili me të gjitha dokumentet është 56 bashkëudhëtar herë me gratë dhe herë pa gratë, me Edmond Begon të dënuar vite të tëra për trafik droge, i njohur botërisht. Për ish-sekretarin e shtetit, konferencën mund ta organizonte ministria e Jashtme, Universiteti, Akademia Diplomatike, Këshilli i Ambasadorëve, Këshilli i Atlantikut të Veriut, por që konferencën ta organizonte Taulant Balla, e dini ç’më kujtoi? Saimir Tahirin në Shtëpinë e Bardhë.
Faqe e zezë! Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe Shtëpia e Bardhë është vizituar disa herë nga kryeministra të Shqipërisë e presidentë, por aty shkohet me ministrin e Jashtëm, jo me ministra të tjerë. Atij që s’i takon kurrë të shkojë aty është ministri i Brendshëm dhe ky na e mori e na e çoi, në një kohë kur Saimir Tahirin e kishim akuzuar me dhjetëra herë me dokumente se makina e tij po përdorej nga klani Habilaj për trafik droge dhe jo vetëm ne, e kishte akuzuar ish-shefi i anti-drogës Zagani. Si mund të çohej ky në Shtëpinë e Bardhë.
I njëjti mekanizëm që shndërroi Taulant Begon, në organizatorin e konferencës së 100 vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. E papranushme, është fyerje qoftë për miqësinë mes dy vendeve, qoftë për ne si shqiptarë. Kemi ne plot të tjerë që mund t’i bëjë një konferencë ish-sekretarit Pompeo, mikut të shqiptarëve, dhe pastaj shpifin dhe trillojnë se gjoja paskam kërkuar unë takim me të. Kurrë nuk kam kërkuar takim. Ai ka bërë detyrën e tij dhe për ta mbyllur këtë kapitull, u bënë copash një muaj rrresh që të merrnin një deklaratë për Sali Berishën, por e patë vetë. Unë s’i kërkova askujt. Ai erdhi dhe e shpjegoi qëllimin e kuptoi si u sollën gjërat dhe bëri një Tëitter, udhëtim në Shqipëri tek MEK-u iranian, në kampin e Manzës, asnjë fjalë tjetër. Kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha nga Berati, ku zhvilloi takimin me demokratët.