Gjukanoviç shigjeton Ramën nga Prishtina: “Ballkani i Hapur”, lojë e Rusisë, s’duhet ta lejojmë

Në vend të një projekti përbashkues që synon t’i afrojë më pranë vendet e rajonit, Ballkani i Hapur sapo ka zyrtarizuar një ndarje dikur të paimagjinuar mes fqinjëve.

Në njërën anë të rreshtuar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, përkatësisht Vuçiç, Rama dhe Kovaçevski që evokojnë të mirat dhe përfitimet e hapjes së kufijve.

Në anën tjetër Kosova dhe Mali i Zi, që përmes dyshes presidenciale Gjukanoviç-Osmani janë në aleancë kundër politikave të ngjizura nga Rama dhe Vuçiç.

Përplasja u përshkallëzua këtë të mërkurë në Prishtinë, kur presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ishte në sintoni me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se nisma dublon rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe i hap rrugë ndikimit të Rusisë në rajon.

“Ballkani i Hapur është një inisiativë që rrodhi nga një moment depresioni që kaploi vendet e rajonit që menduan se është i pamundur integrimi europian dhe menduan se me ikjen e Merkel, integrimi europian është duke u shuar. Nuk mendoj se kjo është e saktë. Kemi një moment të mirë për integrimin”, ka thënë Gjukanoviç.

“Ballkani i Hapur unë mendoj që ka dëshmuar në muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim më të madh të Rusisë dhe atë ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht dhe në vend se ta përshpejtojë ecjen e shteteve tonë në BE do t’i vendoste ato në një paradhomë pritjeje dhe do ta zgjaste integrimin, që nuk është në interes të rajonit tonë” tha Osmani.

Akuzat për hapjen e dyerve të Rusisë në kulmin e konfliktit në Ukrainë, kur perëndimi po përpiqet të ruajë me vështirësi unitetin, ka ngacmuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.

Për Ramën, dy presidentët nuk kuptojnë. Sipas tij, nisma nxit paqen, bashkëpunimin dhe integrimin.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot” ka shkruar Rama, që më herët i ka quajtur konspiracione akuzat për ndikim nga Rusia.

Përplasja vjen pas disa deklaratave të kryeministrit të ri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç që e sheh me pozitivitet Ballkanin e Hapur. Por Abazoviç e ka të pamundur të marrë vendim i vetëm, pasi qëndron në pushtet me votat e partisë Gjukanoviç.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve, Rama u bëri thirrje shqiptarëve të votojnë partinë e Milo Gjukanoviç, por duket se marrëdhëniet tashmë kanë ndryshuar, për shkak të nismës që e afron atë me Vuçiçin. Serbia nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë, njësoj siç bënë vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA. Me korridorin që ka mundësuar “Ballkani i Hapur” mallrat kanë një rrugë të lirë nga Rusia për në BE dhe e anasjellta.

Për herë të parë në këto 30 vjet, Shqipëria është e pozicionuar diametralisht kundër Kosovës dhe në përkrahje të Serbisë mbi një projekt të tillë.

“Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga drejtuesit e shteteve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

About Redaksia

Check Also

Drejtori i FBI mashtron Amerikën dhe botën për atentatin ndaj Trump

Donald Trump u godit në veshin e djathtë nga një prej plumbave të atentatorit Thomas …

Leave a Reply