Kreu demokrat, Sali Berisha publikoi dokumentin e një skandali në Kuvend. Ai tha se, bashkëshorti i ministres Elisa Spiropali i ka dhënë një tender vëllait të saj.
“Ndrikull Spiropali ose ndrikulla 5-milionëshe është famoze me bashkëshortin, që tenderat e ujësjellësave ia jep vëllait të saj. Tenderat i merr bashkëshorti dhe ia jep vëllait të saj.
Përveç kësaj, zonja që u bashkua aq shumë në dogana, sa kudo që ta prekësh, nxjerr para, e çoi burrin nga ujësjellësi te tenderat e OST-së. Edhe aty përsëri me tenderat. Pra, nëse ka një burrë dhe një grua që kanë lumturuar njëri-tjetrin me paratë publike, janë çifti Spiropali-Toto.
Ndaj sa herë do të dalësh, unë do të nxjerr çdo aferë që ke ti. Kjo është detyra ime dhe e opozitarëve. Pra, yt shoq i jep tenderin vëllait tënd. Nuk ka vjedhje më të madhe se kjo,” tha Berisha.
Ministrja Spiropali reagoi duke thënë se këto akuza nuk janë të vërteta.
“Një cent të taksapaguesve shqiptarë nuk e kanë përfituar njerëzit e mi. Prandaj nuk ma bën syri tërr dhe nuk intimidohem dhe nuk kam për t’u intimiduar. Prandaj të bëj thirrje të shkosh në SPAK,” tha Spiropali.
Lidhur me këtë çështje, Berisha foli edhe jashtë sallës plenare.
“Flitej për AMA-n, të politizuar në shkallë ekstreme që nga themelimi deri sot, flitej në një gjendje gjysmë ekstaze për dhunimin që i bëhet shtypit dhe fjalës së lirë.
Por dua të them se situata në parlament është e sëmurë. E sëmurë për faktin se ministrat, që nuk guxojnë të vijnë në studio para jush, të cilët i shtyn Edi Rama të bëjnë punën tuaj, e keni vënë re se si dalin sikur po raportojnë nga terreni: të gjitha këto kanë një qëllim, si të maskohen vjedhjet e tyre.
Ju e keni vënë re që Spiropali një e dy dhe ngrihet. Shkoni e lexoni tenderat e bashkëshortit të saj. Tenderat ia jep Enklit, vëllait të saj. Po a ka vjedhje më të madhe se sa tenderin t’ia japësh kunatit, vëllait të gruas? Kemi të bëjmë me një grup njerëzish që kanë humbur çdo dhembshuri ndaj qytetarëve që i vjedhin dhe i plaçkitin. Ajo që unë theksova është që ne të bëjmë një aleancë, ku secila palë respekton pavarësinë e medias, por një aleancë për të bërë një transparencë të plotë të të gjitha vjedhjeve të këtyre ministrave.
Çfarë thoshte zonja? Që unë po flisja nga një portal. Po, po unë nga një portal po flisja, po ai portal ka publikuar dokumentet. Portali ka bërë detyrën e vet, ka bërë transparencën.
Edhe njëherë të vazhdojmë betejën për një transparencë se ju garantoj se këta i kanë kohërat e shkurtra”, tha Berisha.