Nga Isuf ÇELAJ
Referuar INSTAT, edhe për vitin 2020, Qarku i Kukësit u rreshtua si Qarku më i varfër në vend, me të ardhurat më të ulta për frymë, sa 63 % e mesatares kombëtare dhe sa 53% e të ardhurave për frymë të personave që jetojnë në Tiranë.
Si përfaqësues politik në Parlament bamorëve të Tropojës,Hasit e Kukësit e kam ngritur zërin tim në mënyrë të vazhdueshme që kjo varfëri ekstreme, është e lidhur pikërisht, me persekutimin, në shenjë hakmarrje politike e qeverisë së Rilindjes që manifestohet me mungesën e investimeve të qëndrueshme në këtë qark!
Këtë gjë nxjerr në pah edhe Instat, i cili thekson që në dekadën e fundit, ky Qark, në vend që të ngushtojë diferencën me pjesën tjetër të Shqipërisë, e ka thelluar edhe më tej diferencën, pasi ka pësuar rënie ekonomike sistematike në vitet e fundit.
Edhe pse ky qark ka densitetin më të lartë të burimeve natyrore të tilla si burimet energjetike, minierale, si dhe Alpet në zonën e Valbonës që presin mijëra turistë nga e gjithë bota, banorët e tij vazhdojnë të jetojnë në varfëri, në shumicën e rasteve, varfëri ekstreme. Gjithashtu numri i popullsisë së këtij qarku ka rënie në mënyrë të vazhdueshme, si rezultat i emigrimit masiv, sidomos i të rinjëve.
Thirrja ime e cila shkon për qeverinë dhe të gjitha institucionet e sajë është të kthejnë vëmendjen nga Tropoja,Hasi e Kukësi pasi banorët e këtyre zonave janë në kushtet e mbijetesës!