Mesdheu i pabarabartë

Ndajnë të njëjtin vend, patjetër. Vende të avancuara dhe vende të prapambetura, popuj të klasave të larta dhe fqinj mjeranë, padronë dhe varfanjakë. Harta është e prishur, e shqyer. Projekton fraktura dhe ndarje. Sot Mesdheu nuk është djep i asgjëje, ndoshta i pabarazive. Aspak si familje. «Vëllai i varfër nuk është një vëlla i vërtetë». Është i ulur në tryezën e punls, në studion me pamje nga Bosfori, në ngushticën që bashkon Perëndimin dhe Lindjen, në atë qytet të varur që është Stambolli, protagonist i bujshëm dhe kontradiktor i librave të tij. Orhan Pamuk vëren anijet të kalojnë, «nga ajo e kaluar, vazhdon ai, mbesin shkëmbimet tregëtare, por asistojmë në një ndarje ekstreme». Nobeli për Letërsinë (i vitit 2006) të shtunën më 28 maj do të marrë njohjen ndërkombëtare të Çmimit Bregu i Smeraldtë: ai që në Mesdhe «ndjen trupin e tij në shtëpi», që dashuron të shkruajë ndjenjat dhe frikërat njerëzore, dhe, pashmangshmërisht, politike, me «La Lettura» arësyeton për luftëra dhe migrime, për padrejtësi dhe urrejtje atavike, për Putin dhe për Dostoevskij, për interesa gjeostrategjike dhe ekonomike, por edhe të pushtetit të fjalës dhe të imazhit, të punës prej tij prej artisti dhe të librave të ardhshëm, për Antoni Gaudí dhe Anselm Kiefer, për Sally Rooney dhe Zadie Smith. Me një optimizëm diskret që në këto ditë, rreth 70 vjeçari (ka lindur më 7 qershor 1952), e përmbyt: «Këtu në katin poshtë po punojnë».

Për çfarë?

«Katër arkitektë kanë ardhur nga Gjermania. Janë tek unë për Muzeumin e Pafajësisë, është në vitin e tij të dhjetë, po realizojmë tetë pavione të reja: bëj njëherazi art dhe letërsi».

Përmbledhje e shpejtë: Muzeumi i Pafajësisë është një roman i Pamuk i vitit 2008. Rrëfen dashurinë e fuqishme (i ambientuar në Stambollin e viteve ’70 të ‘900) midis Kemal dhe Füsun; në vitin 2012 kjo histori është bërë, veç të tjerash, një muzeum në zemër të qytetit ku shkrimtari ka rrëefyer me një furi klasifikuese objektet që kanë të bëjnë me këtë aventurë: qëllimi është të arrihet në 83 teka (përmbajnë gjithçka, prerje gazetash, enë, shishe, këpucë, bileta, vazo, shënime, shkrepse), aq sa kapitujt e librit. Nga xhamia pak larg nis lutja e muezinit.

Çfarë preferuat të bënit? Art apo letërsi?

«Pëlqej të qëndroj i impenjuar. Në mëngjes punoj intensivisht me ekipin e dizajnerëve. I mbledhim objektet që sipas nesh ia vlen barra qiranë të ekspozohen, më pas merrem me vendosjen e tyre nëpër pavionet që ekipi po i transformon në skulptura duke ju shtuar ngjyra dhe detaje. Jam edhe docent në Columbia University të Neë York dhe po rishikoj një skenar të nxjerrë nga një prej romaneve të mi që duhet, mund, të bëhet një serial. Bëj shumë gjëra, është një zgjedhje dhe më pëlqen sepse më mban larg nga mërzia e jetës së përditshme».

Pas pak ditëve do të fluturoni drejt Sardenjës. Motivet e çmimit thonë: «Pamuk rinovon sot figurën dhe rolin e shkrimtarit dhe lëviz, në skenarin mijëvjeçar të Mesdheut, si një personalitet që përzien gjithçka dhe secilën prej valencave të tij. Na kujton se artisti dhe shkrimtari ngarkohen të zbulojnë, duke mos e mohuar të kaluarën, por duke kërkuar ta kuptojnë dhe ta interpretojnë, gjurmë të së ardhmes dhe skenarë mundësie. Fjalët dhe imazhet e tij janë një paralajmërim dhe një shembull cilësie, njerëzimi, habie: është kjo që u kërkojmë modeleve dhe ai sigurisht që është një». Leksioni i Mesdheut vlen ende në këto kohë të errëta?

«Leksioni do të ishte, ama duhet ta pranojmë: Mesdheu sot nuk e ka unitetin e dikurshëm. Ka qenë një kohë kur romakët, egjiptiasit e lashtë, popujt e jugut të Francës gatuanin, hanin, udhëtonin në mënyrë të ngjashme dhe, faktikisht, mendononin njëlloj. Kurse tani dhe kjo ka ndodhur në 200 vitet e fundit, diferencat janë të thella: në Mesdhe bashkëekzistojnë upper class dhe loëer class. Kemi një Mesdhe të pasur të përbërë nga Franca, Spanja dhe anëtarë të Bahskimit Europian dhe një Mesdhe të varfër. Algjeri, Egjipt… Nuk mund t’i krahasosh vetëm pse ndajnë të njëjtin det. Stili i jetesës, problemet, ankthi i egjiptianëve dhe i francezëve nuk janë të njëjtit. Qenë dikur kur ndanin ushqimet dhe mendimet nën Perandorinë Romake dhe në një farë mënyre atë Osmane, por nuk është më kështu, është humbur për çështje thelbësisht materiale dhe e shikojmë çdo ditë: burra dhe gra të Mesdheut të varfër e kalojnë detin e tyre, rrezikojnë jetën sepse duan të arrijnë lirinë dhe mundësitë ekonomike të brigjeve veriore. Fatkeqësisht është kështu, nuk ka më ndarje. Fatkeqësisht, the map is broken (harta është prishur)».

Po kujtesa e përbashkët?

«Është e bukur ta kujtosh, por nuk është bindëse tani. Si mund të themi “jemi të barabartë” kur në fakt nuk jemi për asgjë? Të shikojmë vetëm izraelianët dhe palestinezët: urrehen. Kujtesa nuk është problemi. Problemi është të ardhurat për frymë, është diferenca midis klasave sociale dhe gjëja nuk mund të zgjidhet duke parë nga prapa. Për shembull, për mua Mesdheu më kujton fëmijërinë e njerëzimit. Shkoj në Kretë, dielli është afrikan, cilësia e ndërtimeve europiane, vendet janë të shkëlqyera, shfaqen gjurmët e qytetërimeve të lashta. E dua Kretën dhe faktikisht në romanin që në Itali do të dalë në shtator, Netët e murtajës, rrëfej ndodhitë e një ishulli imagjinar që pjesërisht frymëzohet nga Kreta. Gjë që më pëlqen nga ishulli: klima, nuk bën ftohtë, mund të motoj për 5 – 6 muaj në vit; pastaj peshkimi tradicional, fiqtë dhe ullinjtë. Historiani Fernand Braudel i përdor këto bimë për të caktuar kufijtë e Mesdheut. Më pëlqen të jem pjesë, trupi im është në shtëpi, ama këto janë zgjidhje ndaj problemeve ekonomike. Nuk ekzistojnë barazi në Mesdhe nëse popujt e Jugut shkojnë në Veri për të kërkuar punë dhe nuk mund të ecim përpara duke thënë se jemi të gjithë vëllezër sepse nuk jemi. Një vëlla që dëshiron të ngrejë një mur kundër teje dhe të thotë të rrish në shtëpinë tënde nuk është një vëlla i mirë».

Pak muaj më parë, në një intervistë për «Corriere della Sera », ju keni thënë se po zhytemi në një Mesjetë të re.

«I referohesha luftës së Putinit. Ama ndërkohë Rusia nuk ka fituar…».

Optimist?

«Le të themi se bota perëndimore papritmas ka dhënë provë uniteti. Amerika e vetme ka derdhur diçka si 45 miliard dollarë për Ukrainën, Bashkimi Europian ka dhënë kontributin e tij. Pastaj edhe taktika, informacionet, strategjia. Rezultati është se Putini nuk e ka fituar luftën me lehtësinë që priste. Kësaj i shtohet leksioni i kurajës, kombativiteti, sakrifica, heroizmi i ukrainasve. Shpresoj se e gjitha kjo funksionon. Është e vërtetë, isha më shumë i preokupuar në fillim të luftës dhe vazhdoj t’i trembem bombës atomike, ama rusët kanë bërë me dije se nuk do ta përdorin, më duket një rezultat i mirë».

Ju besoni se letërsia mund të jetë një instrument, një «armë» në zgjidhjen e konfliktit?

«Nuk më pëlqen të bashkangjis fjalët armë dhe letërsi. Ndërsa armët shpërthejnë të zhurmshme, letërsia funksionon edhe në largësi të madhe. Është një shoqërim që nuk e pëlqej sepse nuk e ndaj idenë e shkrimit “funksional” me diçka. Letërsia nuk duhet patjetër të transmetojë ideale apo të mësojë. Unë shkruaj për vetëveten, jo për të bindur ndokënd. Kurse kjo është ajo që mendojnë njerëzit që lexojnë pak: imagjinojnë se librat kanë të bëjnë me transmetimin e modeleve, por nuk është domosdoshmërisht kështu».

Për çfarë shkruani?

«Për shumë motive që nuk do ta ndalojnë luftën dhe që nuk përmbajnë një “leksion”. Le të marrim Dostoevskij: nuk na mëson asgjë politikisht korrekte, e megjithatë thotë diçka jashtëzakonisht të thellë lidhur me zemrën njerëzore. Që pastaj ishte antisemit dhe paksa i çmendur… Por duke e lexuar mësohet aq shumë mbi shpirtin njerëzor. E përsëris, letërsia nuk dëshiron t’i bëjë të gjithë të dashur dhe të sjellshëm. Edhe sikur e bën, pasi shpreh ndjenjën e vuajtjeve të të tjerëve dhe atëhere nëse e lexon nuk bën keq, nuk bën armiq. Ndoshta zhvillon edhe talentet tuaja pasi di të identifikohesh me të tjerët dhe kështu kupton që xhelozia, dashuria, urrejtja, dëshira për të bërë para dhe seks, dhimbja janë të zakonshme për secilin prej nesh. Michel de Montaigne, që ka shpikur letërsinë moderne, na ka mësuar të kuptojmë të tjerët dhe t’i tolerojmë pasi janë saktësisht si ne».

Lidhur me Dostoevskij, ju vite më parë thatë se e kuptonit mërinë e shkrimtarit rus ndaj Perëndimit. I provoni ende këtë ndjenja?

«Dostoevskij e urrente Perëndimi, nuk e donte me intensitet të njëjtë. Nuk mund të ndahen të dyja gjërat. Po shpjegohem më mirë: Dostoevskij adhuronte të shkruante për Baden-Baden në Gjermani. I pëlqente Zvicra dhe çdo herë që shkonte në Europë kthehej i mbaruar, i shkatërruar nga një përvojë dashurie dhe urrejtjeje. Por çfarë ishte kjo dashuri? Le ta analizojmë mirë: ai donte që Rusia të ishte si kombet që vizitonte në udhëtimet e tij në perëndim: po aq e qytetëruar, e pasur, e pastër, e populluar nga njerëz të sjellshëm në një atmosferë paqësore, civile, e rafinuar. Megjithatë, unë i kuptoj këto gjendje shpirtërore: admiron një vend, e dashuron, por duke parë se nuk mund të gëzosh atë progres në shtëpinë tënde, atëhere fillon të grumbullosh mërinë. Që pastaj e mendojmë për Napoleonin: bëri me Rusinë të njëjtën gjë që po bën Putini me Ukrainën dhe për këtë rusët e urrenin; ose le të marrim Turqinë që ka pasur jo pak probleme me Europën. Por le të kthehemi tek Dostoevskij: urrejtja e tij nuk është e bazuar kryesisht mbi ndjenja nacionaliste, është më e thellë. Inxhinier, kishte përkthyer Balzakun, ishte një dendi i oksidentalizuar edhe pse me kalimin e viteve mori një drejtim krejtësisht tjetër. Ndërsa ndaj ndjenjat e mia me të, ndjej se gjendem duke analizuar vetëveten».

Dhe çfarë gjeni?

«Një afërsi më të madhe me një shkrimtar tjetër».

Cilin?

«Japonezin Junichiro Tanizaki (1886 – 1965). Në rini kishte qenë një admirues i zjarrtë i shoqërisë amerikane. Si Naomi, protagonistja e romanit të tij Dashuria e një budallai, një vajzë e obsesionuar nga estetika perëndimore. Por me moshën autori i braktis sharme të caktuara esterofile dhe zgjedh pozicione më tradicionaliste, rishkroi edhe Genji monogatari, gurthemeli e letërsisë japoneze që i përket shekullit të XI, por nuk u bë një antiperëndimor si Dostoevskij: ishte një njeri i sjellshëm, studionte arkitekturën, kulturën, letërsinë e vendit të tij. Ja pse them që ndjehem më afër me të, edhe pse vazhdoj të ushqej dëshirën rinore që një ditë Turqia mund të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Fatkeqësisht nuk besoj se kjo do të ndodhë shpejt, por jam i bindur se do të ishte një gjë e mirë. Në fundin e viteve ’90 dhe në fillimet e viteve ‘2000 jam konsumuar mbi këto tema, por le të ndryshojmë argument…».

Le të flasim për Stambollin atëhere. Mbretëreshën historive tuaja.

«Ah po qyteti im, me këtë pamje të mrekullueshme».

(Pamuk e sposton ekranin e kompjuterit për ta inkuadruar spektaklin që shikohet nga dritarja: detin, minaretë, qiellin shumë të kaltër).

Jam i privilegjuar: të jetosh këtu është dhurata më e madhe jetës time».

Si e ka influencuar poetikën tuaj?

«Nëse për 70 vite jeton në të njëjtin vend është normale që librat e tu të flasin për këtë. Jam i lidhur me rrugët e qytetit tim sepse këtë kam hyrë në kontakt me njerëzimin. Më quajnë shkrimtari i Stambollit: nuk e kisha kuptuar se isha kaq i lidhur derikur librat e mi nuk janë përkthyer jashtë vendit. E kam mësuar vetëm tani dhe e ka titulluar vëllimin e parë të kujtimeve të mia Stamboll. Përpara gjeneratës time shkrimtarët turq shkruanin për barinj dhe padronë, për varfëri dhe emigracion. Unë isha më borgjezi karshi atyre. Tani jemi thuajse të gjithë “shkrimtarë të Stambollit”».

Por çfarë qyteti është sot? Europian, oriental, global?

«Është të gjitha bashkë, sidomos global. Kemi asistuar në shumë ndryshime demografike. Emigracioni i brendshëm nga pjesët më të varfëra në vitet ’50 dhe ’60. Pastaj, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, ardhja e burrave dhe grave nga Gjeorgjia, Armenia, Rumania. Në vitet ‘2000 ka qenë radha e emigrantëve nga vendet e gjuhës arabe. Nga 2010 ja kinezët dhe aziatikët, edhe si turistë — e duan Muzeumin e Pafajësisë — ndërsa verieuropianët, të frikësuar nga qëndrimi i Erdoganit ndaj tyre (siç po e shikojmë këto ditë pas kërkesës së aderimit në NATO nga ana e Finlandës dhe Suedisë, shënimi im.), janë zhdukur, por ky boshllëk është mbushur nga Lindja e Mesme. Nga këtu kalojnë popuj, tribù, religjione. Qyteti ndryshon vazhdimisht dhe kjo e bën interesant. Të mos harrojmë pastaj se Turqia është vendi me numrin më të madh të refugjatëve me në botë, mbi 4 milionë, që dikur priteshin me gëzim nga Erdogani, ndërsa tani gjithçka ka ndryshuar, duke parë që vendi ynë po “prodhon” njerëz si Marine Le Pen dhe kështu, pas 8 vitesh “mirëseardhjeje”, Marine Le Pen turq po bëjnë punët e tyre…».

Çfarë mendojnë turqit për luftën në Ukrainë?

«Për t’u mbajtur gjithmonë në mendje: rusët kanë qenë për 500 vjet armiqtë më të këqinj të turqve. Turqia ka aderuar në NATO në 1952 pasi Stalini kërcënonte të rimerrte qytetet Kars dhe Ardahan. Ka kërkuar dhe ka siguruar mbrojtje. Saktësisht si Ukraina do të duhej të bënte 2 – 3 vite më parë. Duke e rikapitulluar: është Erdogani, që gjithësesi po sillet si partner besnik i NATO, por nuk e thotë me zë të lartë për të mos irrituar ekstremistët islamikë që mund ta akuzojnë për nënshtrim ndaj imperializmit amerikan; pastaj janë fondamentalistët që qëndrojnë me Rusinë dhe si Marine Le Pen marrin para nga Putini dhe janë edhe nostalgjikët e majtë që e urrejnë qytetërimin perëndimor cilido qoftë grupi marksist i tyre i referimit. Së fundi janë oportunistët. Thonë: mund t’i shesim armë Ukrainës dhe të mirëpresim në portet tona jahtet e oligarkëve. Nuk kanë ideale, shohin vetëm mundësi për biznes».

Shikoheni shpesh në pasqyrë: çfarë shikoni? Artistin apo shkrimtarin?

«Sa më shumë plakem, aq më shumë shikoj artistin. Kam kaq shumë projekte… Pastaj sigurisht, jam një shkrimtar dhe kur kam ndonjë preokupim mendoj: pse nuk e shënoj në ditarin tim? Është edhe kjo një kurë ndaj problemeve të përgjithshme. Për ta përsëritur: jam një shkrimtar që i ka dhënë kaq shumë shkrimit sa të humbasë mundësinë të bëhet një artist siç ëndërroja të bëhesha midis 7 dhe 22 viteve. Tani, me muzeumin, pikturat, fotografitë, librat e ilustruar po kërkoj që të rikuperoj ato që kam humbur».

Si?

«Duke çuar përpara projektin e muzeumit. Po planifikoj edhe një version të ilustruar të Emri im është i kuq, kam mbledhur 6000 kopje miniaturë të Pallatit të Topkapisë. Kam mohuar artin për kaq shumë kohë. Tani në fakt po e lë: sikur të mos e kisha bërë, do ta kisha brengën deri në fund, edhe në varr».

Brenga të tjera keni?

«Jam një shkrimtar i lumtur. Kam arritur më shumë nga sa ëndërroja, lexuesit e mi më njohin dhe më kuptojnë, jam i përkthyer në 45 – 50 gjuhë, si mund të ankohem? Ka autorë që pas Nobelit harrohen me shpejtësi, ndërkohë që mua nuk më ka ndodhur. Ama e gjitha kjo kërkon një tabelë marshimi të përshpejtuar».

Çfarë do të ndodhë kur do të keni përfunduar 83 tekat e Muzeumit të Pafajësisë?

«Siç thonë miqtë e mi drejtorë inmstitucionesh të rëndësishme artistike, një muzeum nuk përfundon kurrë. Tekat… po lë diçka jo të përfunduara pasi diçka në mendjen time po ndryshon. Në një prej atyre që po realizojmën në katin poshtë, për shembull, do të ketë një film dhe do ta xhiroj unë. Do të jetë një film surrealist, por nuk kam ngut. Dua të lë disa punë të “hapura” dhe të zhvilloj një mënyrë për të bërë tekat, t’i kodifikoj në një stil, edhe të pavarur të Muezumit të Pafajësisë dhe do të realizoj ndonjë replikë pasi projekti udhëton: 40 pavione do të shkojnë shpejt në Kinë për 5 vite, po e lejuan kufizimet shëndetësore».

Libri i ardhshëm?

«Po e shkruaj tani. Një roman. Mund t’u them titulli: Lojtarët e letrave, si kuadri i Cézanne. Personazhet përreth tavolinës do të jenë katër, ngjarja zhvillohet në vitet ’40 e shekullit të kaluar. Gjë tjetër nuk zbuloj. Do të jenë edhe pikturat e mia nëpër faqe, do të shikoni edhe shenjën time».

Por për «Netët e murtajës» që do të dalë, çfarë mund të na thoni?

«Është një roman historik, i dalë tashmë në vende të ndryshme. Më pyesin të gjithë pse kam nisur ta shkruaj këtë libër tri vite përpara pandemisë. Në realitet e kisha në mendje prej më shumë se 40 vjetësh. Sido që të jetë, kur të jem në Itali në shtator, do t’ju tregoj gjithçka».

Çfarë po lexoni tani?

«Katalogun e ekspozitës së Antoni Gaudí të Muzeumit Orsay, e organizuar në bashkëpunim me Museu Nacional d’Art de Catalunya të Barcelonës. Jam i çmendur pas tij, ishte aq kreativ, me një karakter të fortë. Të gjithë kemi mendime dhe ëndërra të mira si ato të Gaudí, problemi është se e lëmë veten të frikësohemi, ndërsa ai jo, ishte një gjeni i vërtetë».

Artistë të preferuar?

«Dashurohem çdo dy vjet me një artist…».

Dashuri të momentit?

«Anselm Kiefer, e respektoj shumë. David Hockney, që u pëlqen të gjithëve. Kam kaq shumë riprodhime të veprave të tyre në bibliotekën time. Ndoshta shumë. Por për mua janë si Tolstoj, Nabokov, Faulkner…».

Shkrimtarë të momentit?

«Sally Rooney dhe Zadie Smith. Talente shumë të mëdha, shkrim i fuqishëm».

Do të vazhdoni ta shkruani autobiografinë tuaj?

«Po mendoj për vëllimin e dytë, po dhe nuk do të quhet Stamboll».

Arrini të mbani gjithçka bashkë? Muzeumi, leksionet, romanin?

«Le të themi se po e përballoj romanin e ri në mënyrë ende të “lehtë”, të qetë. Kam projektin e kutive që më impenjon shumë… Pastaj, kur futem vërtet tek shkrimi është vetën kjo, është një proces ekskluziv, nuk arrij as të pikturoj dhe nuk më kënaq ajo që shkruaj, deprimohem, por e kap me të parën që ndodh dhe as arti nuk e zgjidh problemin. Ja prova, jam tamam një shkrimtar».

Humori i momentit?

«Pozitiv, ka njerëz në katin poshtë dhe po punojmë bashkë, në mes të njerëzve ndjehem më pak “dramatik”. Kur jan i vetëm, sforcohem të shkruaj dhe nuk jam i kënaqur me rezultatin, trishtohem dhe bëhem me humor të keq, ama tani jo, jam në fakt i gëzuar».

(nga La Lettura)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …

Leave a Reply