FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT KOMBËTAR
I dashur zoti Paloka, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD,
të dashur zonja dhe zotërinj, anëtar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike!
Së pari, dua të përshëndes ju anëtarëve dhe anëtareve të Këshillit Kombëtar të PD dhe së bashku me ju të gjithë demokratët dhe demokratet shqiptarë kudo që janë sot.
Një përshëndetje të veçantë kanë nga unë anëtarët dhe anëtaret e Komisionit të Rithemelimit të PD, për kontributin e tyre jashtëzakonisht të çmuar në procesin historik të rithemelimit të kësaj partie, proces vendimtar për shpëtimin e Partisë Demokratike, pluralizmit politik në Shqipëri.
Ne mblidhemi sot në këtë takim, në këtë mbledhje shumë të rëndësishme për të zgjedhur forumin drejtues të Partisë Demokratike për 4 vitet që vijnë, për të zgjedhur Kryesinë e kësaj partie.
Ky përbën një moment tepër të veçantë dhe shënon përfundimin me sukses të një procesi të vazhdueshëm procedurash, aktesh, kuvendesh, referendumesh të papara ndonjëherë në këtë parti dhe ndofta unike në historinë e një force politike të cilat në themel kishin lirinë e anëtarëve dhe anëtareve të kësaj force. Në këtë proces ne ia dolëm përkundrejt vështirësive të jashtëzakonshme, të jemi sot opozitë e vërtetë, të jemi sot më të fuqishëm se kurrë në ekzistencën tonë, të jemi sot më të vendosur se kurrë në misionin tonë.
Miqtë e mi,
sa herë që të analizosh këtë proces, këtë arritje historike, proces të papërsëritshëm, gjen se merita absolute u takon anëtareve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike. Ata në 8 vite, po shkojmë drejt 9, kishin ruajtur si gjënë më të çmuar misionin e tyre të lirisë. Ata u ngritën sapo u dha kushtrimi, sapo u dha apeli, u bë thirrja, u ngritën në këmbë për të shpëtuar forcën e tyre politike. Me idealet e tyre udhëheqëse ata kishin arritur që edhe në zgjedhjet e fundit ta mbajnë këtë parti forcën më të madhe politike në Europën ish-komuniste, pas FIDES-it të Hungarisë.
Ndaj dhe kurrë nuk duhet të harrojmë këtë mësim. Nuk duhet ta harrojmë kurrë për dy arsye. Së pari, Partia Demokratike kaloi nga disfata në disfatë, nga humbje në humbje për shkak të udhëheqjes së saj problematike, dështake, për shkak të pazareve të udhëheqjes së saj dhe jo për shkak të anëtarëve. Ata iu përgjigjën çdo thirrje në 8 vite, sakrifikuan dhe bënë çdo sakrificë të madhe në 8 vite. Pra, e gjithë kjo përbën një detyrim madhor për ne. Ata ishin, siç dëshmuan, në lartësinë e misionit dhe idealeve të tyre. 44 mijë luftëtarë të vërtetë të lirisë morën pjesë në aktet madhore të këtij rithemelimi.
Por, Ronald Reagan e ka të pavdekshme thënien e tij “Problemi është qeveria”. Ne nuk jemi qeveri, jemi opozitë, problemi është udhëheqja. Dhe nuk e kam fjalën për atë që kaloi, por e kam fjalën për ne që jemi këtu, ne nuk duhet të harrojmë kurrë këtë thënie të këtij gjeniu të konservatorëve mbi tokë.
Pse është dhe si mund të jetë problem udhëheqja e opozitës. Dy janë sëmundjet e saj më kryesore. E para, pazaret me qeverinë, pazaret për interesa personale, ato detyrojnë udhëheqjen të shkelmojë mbi interesat e anëtarëve, mbi djersën dhe sakrificat e tyre dhe shembulli më tragjik jemi në PD në vitet e shkuara.
Ndaj dhe këtë mësim nuk duhet ta harrojmë kurrë. Por sot ne kemi një ndryshim të madh. Ju ulerni në këtë sallë tërësisht si përfaqësues të demokrateve dhe demokratëve shqiptarë, të zgjedhur me votën e tyre, përfaqësues të vullnetit të tyre, dhe jo të kryesisë dhe kryetarit të partisë. Çfarë do të thotë kjo? Pra ju jeni përfaqësues të mënyrës më të shkëlqyer të përfaqësimit, të atyre që ju besojnë, të atyre që ringritën PD-në në këtë nivel, të atyre që e mbajtën atë gjallë, dhe që drejtimi e çoi atë para alternativës “To be or not to be”. Do të thotë që detyrimi juaj është i pakufishëm ndaj tyre. Do të thotë se ata presin nga ju çdo ditë udhëheqje, vizion, vendosmëri.
Cila është sëmundja e dytë e udhëheqjes opozitare apo e opozitarizmit?
E dyta me efekte shkatërrimtare për opozitën, është protagonizmi “vantosh” opozitar. Të kënaqurit me protagonizmin se ke një karrige, se ke një vend, se ke një post dhe të tjerët të shohin. PO ti çfarë bën? Opozita profesioniste. Është opozitë që nuk duhet të ekzistojë. Ndaj dhe për të mos qenë opozitë profesioniste ka vetëm një antidot. Dhe ky antidot qëndron në përgjigjen e thjeshtë që duhet t’i shtrojmë vetes tonë, unë, të gjithë drejtuesit e degëve të PD-së. Çdo mëngjes çfarë do bëj unë kundër këtij regjimi, çfarë do bëjmë ne sot kundër këtij regjimi, një betejë e paparë ndonjëherë në Shqipëri është jetike për përmbysjen e tij. Pse anëtarët tanë rithemeluan PD-në, dhe çfarë kuptimi ka kjo. Ata e rithemeluan si parti të lirive dhe të drejtave njerëzore, dhe kjo nënkupton që ne të jemi mbrojtësit më kryesore, kjo nënkupton që ne të realizojmë se nuk ka vend tjetër në Europë përveç Lukashenkos së Bjellorusisë dhe Rusisë së Putinit ku të drejtat e njeriut të dhunohen më shumë se sa në Shqipëri nga ky regjim. Ku është zëri ynë, duhet t’i shtrojmë çdo ditë pyetje vetes, ku është zëri ynë, ku është qëndresa jonë.
Pra, duhet të hedhim tërësisht mbrapa dhe poshtë qëndrimet e deritanishme apatike të PD-së. Ata që rithemeluan PD-në, e rithemeluan pikërisht për këtë qëllim. Pse e rithemeluan ata PD, sepse donin të shihnin partinë e tyre si parti të interesit kombëtar. A dini ndonjë vend tjetër ku interesi kombëtar të shkelmohet në mënyrë më flagrante se sa shkelmohet sot në Shqipëri nga Edi Rama? A mund të imagjinohet që Tirana të shndërrohet në Beogradin e vogël, dhe Beogradi në Moskën e vogël? E gjitha kjo kundër interesave kombëtare të shqiptarëve. 44 mijë anëtare të PD presin nga ne të kundërshtojmë me forcë këtë politikë antikombëtare të Edi Ramës. Ata janë të gatshëm për beteja, ata presin vetëm udhëheqjen tuaj. Pse e rithemeluan anëtaret dhe anëtarët tanë PD-në? Sepse ata ndjejnë dhimbje të madhe, dëshpërim të thellë, kur shohin kombin e tyre të shpërbëhet çdo ditë. Të denigrohet çdo ditë. Kur shohin kombin e tyre të bukur të braktiset çdo ditë nga shqiptarët, nën moton se Shqipëria nuk bëhet nga shqiptarët.
Çfarë pret kjo ushtri e lirisë nga udhëheqja e tyre, pret drejtim, betejë, drejtim betejë, për interesin kombëtar. Pse e rithemeluan anëtarët tanë PD-në. Ata e rithemeluan se konstatuan se Shqiptarët po vidhen në mënyrë monstruoze. Se pas çdo vendimi qëndron një vjedhje, se pas çdo akti një plakçkitje. Kurse ata zhyten çdo ditë e më shumë në varfëri e mjerim,. Nuk ka mision më të madh se sa të ngrihemi e ti shkurtojmë ditët kësaj qeverie, pa asnjë kompleks. Ata që mendojnë se ky regjim është i fortë gabojnë. Është e vërtetë se ka para të pafundme krimi, është e vërtetë se nuk ndjek asnjë parim dhe princip, është e vërtetë se vret në komisariate të policisë dhe njerëz në rrugë. Por ka një të vërtetë akoma më të madhe të dashur anëtarë të PD-së. E vërteta është se ky regjim është kalbësirë, kalbësirë, kalbësirë. Pse e rithemeluan anëtarët PD-në? Ata e rithemeluan sepse e panë se Shqipëria humbi ‘Nordin’ e saj, orientimin e saj Europian perëndimor. Humbi vokacionin, po shkelmohej vokacioni ynë Europian perëndimor, po shkelmohej vokacioni Europian për vendin tonë. Hapja e negociatave u shndërrua në një horizont të pakapshëm, dhe këtu tani Edi Rama fajin e gjen tek Europa, dhe përpiqet ta kërcënojë. Faji nuk është tek Europa miqtë e mi. Europa ka problemet e veta të padiskutueshme miqtë e mi, çdo organizim, çdo bashkim por edhe çdo shtet ka problemet e veta. Por nuk janë kurrë këto probleme që na lanë ne 8 vite me zero progres dhe na futën në skema të tjera që mund të devijojnë përfundimisht rrugën e integrimit.
Çfarë na pengoi ne? Ne na penguan para së gjithash e mbi të gjitha lidhjet e Edi Ramës me krimin. Bjelivuku i Beogradit është Dumani i Elbasanit dhe i Tiranës. Një serial killer i cili vriste në të katër anët për llogari të bandave të qeverisë. Cili nuk i dinte lidhjet direkte të Edi Ramës, me bandën e Elbasanit, bandën e Durrësit të bandës së Shkodrës dhe bandave të tjera. Cili nuk i dinte lidhjet patologjike të Taulant Ballës me Suel Çelën, me Begot e me të gjithë të tjerët. Të gjithë i dinin, por tani ato kanë dalë sheshit. Disa muaj më parë në mediat botërore Bjelivuk “Ujku i Bardhë” i Beogradit u bë personazh i krimit. Tani del qartë se Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç i mban bashkë lidhja me krimin. Se ata mbajnë njëri-tjetrin pikërisht për këto lidhje, se këto lidhje janë muri i vërtetë i bllokimit të procesit të integrimit. Jo vetëm kaq, por dokumente të pakundërshtueshme, akte zyrtare faktojnë se Edi Rama drejton sot një organizatë të vërtetë kriminale. Ky dy metrosh thotë se unë nuk vjedh se nuk ulem dot të fus dorën në xhepa. Ky vjedh me çdo firmë, çdo vendim. Dhe kush dyshon për këtë të lexojë aktet të bëra publike për inceneratorët. Lexoni akte të tjera se si u ka dhënë ministrave të tij statusin e investitorit strategjik, duke shkelmuar kushtetutën që e ndalon në mënyrë kategorike një gjë të tillë.
Lexoni akte të tjera se si e shpërbën Parkun e Butrintit, këtë pasuri përrallore të shqiptarëve, vetëm e vetëm për të shndërruar 800 hektarë të tij në resorte, vila të vetes së tij.
Nuk ka të ndalur në këtë proces. Pra u bëra këtë analizë të shkurtër, sepse çfarë do të thotë kjo. Ne si drejtues duhet ti bëjmë çdo ditë pyetje vetes: Pse e rithemeluan anëtarët tanë PD-në?
Dhe duhet të qëndrojmë në misionin tonë, ky mision është shkurtimi i jetës së Edi Ramës. Kjo ndodh vetëm atëherë kur ne të bindemi se misioni ynë është të punojmë me çdo shqiptar për ta bindur se Shqipëria bëhet nga Shqiptarët. Ky mision është dhe jemi në lartësinë e tij kur të bindim çdo shqiptar, se shpëtimi i Shqipërisë është shpëtimi i identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ky mision përmbushet kur të bindim çdo shqiptar se destinacioni nuk është as Beogradi, as Stambolli: është një dhe vetëm një, Brukseli dhe vetëm Brukseli. Ky mision përmbushet kur të qëndrojmë besnikërisht në AND-në shqiptare. Kur të hedhim poshtë me përçmim të gjitha insinuatat, sloganet e atyre të cilët vjedhin natën dhe ditën thërrasin “Rroftë Amerika”. Plaçkisin natën dhe ditën thërrasin “Rroftë Amerikane”. E vërteta është se ky është qëndrimi më antiamerikan që mund të mbahet. Amerika është dheu dhe vendi i vlerave të lirisë. Ajo udhëheq dhe rrezaton si avokate e Lirisë mbi tokë dhe kurrë si mbështetje e plaçkitësve, grabitësve dhe organizatave kriminale që qeverisin në vende të tjera. Ndaj dhe s’duhet të kemi asnjë kompleks: Shqipërinë e bëjnë shqiptarët. Misioni ynë është të konsolidojmë në këtë vend ato vlera që kanë bërë të madh çdo komb të lirë. Asnjë komb, nuk ka ecur përpara, nuk është zhvilluar në rast se nuk ka mbrojtur interesin e tij kombëtar. Asnjë komb asnjë vend nuk është zhvilluar në qoftë se nuk ka patur një shtet patriotik. Asnjë shoqëri nuk është zhvilluar në rast se nuk ka patur si konstante të saj atdhedashurinë dhe besimin tek vendi. Këto janë thirrjet për të gjithë ju, për të gjithë drejtuesit e PD-së në rast se nuk duam të jemi problemi i saj përsëri. Unë kam besim të madh tek ju , në frymëzimin tuaj, integritetin tuaj se së bashku do ja dalim të plotësojmë misionin tonë të shpëtimit të Shqipërisë nga ky regjim, më i keqi më antishqiptari që ka pasur ky vend që nga koha e Enver Hoxhës deri më sot.
Rroftë PD!
Rroftë Shqipëria!