Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohoi për “Monitor” se nisma për ndryshimin e tatimit të të vetëpunësuarve si profesionistë të lirë është antikushtetuese, pasi të ardhurat e biznesit tatohen si të ardhura të të punësuari në një biznes.
“Janë disa profesione të lira shërbimesh, te cilat ushtrojnë profesionin bazuar në një rregullim ligjor, duke investuar fort në këto biznese profesionale të lira.
Këtu do të përmendja avokatët, mjekët, infermierët, kontabilistët e miratuar, audituesit, noterët, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme, etj. Këta profesionistë, në fakt, ushtrojnë një aktivitet biznesi të mirëfilltë dhe nuk mund të konsiderohet si shërbim pune, por si biznes.
Të adhuruat e tyre nuk mund të tatohen në mënyrë progresive si tatohen pagat e punës, sepse këta profesionistë kanë marrë riskun e gjetjes së punës, së klientëve vetë. Ata kanë të gjitha risqet që ka një biznes dhe nuk janë njëlloj, si një i punësuar që kryhen punën 8-orëshe, punë që ia gjejnë të tjerët (biznesi apo institucioni ku punon) dhe nuk kanë asnjë risk biznesi dhe në fund të ditës së punës shkojnë pranë familjeve të tyre, pa asnjë shqetësim për biznesin ku punojnë.
Për më tepër, kryeministri Edi Rama, ka vendosur në politikën e tij dhe të qeverisë që drejton, përjashtimin nga tatimi deri në 14 mln lekë të të gjitha bizneseve të vogla. Atëherë, përse i ndan në grupe profesionistësh dhe jo profesionistësh?
Çfarë ndryshimi ka në pikëpamjen e riskut dhe përfitimit të biznesit një biznes profesional shërbimesh, me një biznes tregtimi artikuj të ndryshëm ushqimorë apo jo ushqimorë?
Ambiente me qira marrin marketet dhe dyqanet, ambient me qira marrin dhe profesionistët e lirë të shërbimeve, shërbim tregtimi kryejnë tregtarët, shërbim konsulence ofrojnë dhe profesionistët e lirë. Ndryshon natyra e lloji i biznesit, por gjithsesi biznes mbeten për të dyja grupet. Duket sikur Administrata Tatimore (AT) i shikon me zili profesionistët e lirë, si “borgjezë” të rinj?
Vendosja e tatimit mbi pagat të të ardhurave të profesionistëve të lirë është e gabuar dhe jokushtetuese. Ato janë të ardhura biznesi profesional dhe duhet të tatohen si të tilla, pra si të ardhura biznesi dhe jo si të ardhura nga paga. Askush nuk mund t’i trajtojë të ardhurat e biznesit si të ardhura nga paga, sepse kjo do të përbënte shkelje të barazisë kushtetuese, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Pra, nëse bëj biznes profesional, do të trajtohen si të gjithë bizneset e tjera edhe në lidhje me tatimin mbi fitimin. Nga ana tjetër, kjo nismë, nëse ndërmerret për profesionistë të lirë persona fizikë të vetëpunësuar, mendoj se është në kundërshtim me frymën që duhet të ketë një qeveri kombëtare për të krijuar shtresën dhe klasën udhëheqëse edhe në biznes për të siguruar punësim, të ardhura dhe zhvillim.
Është kjo klasë që drejton ekonominë dhe nuk duhet të goditet, përkundrazi duhet të mbështetet që të ketë mundësi të investohet dhe të zhvillohet sa më shumë”, – pohon ai.
Shkelja e primit të barazisë dhe fryma antikushtetuese e draftit veçohet edhe nga ekspertë të tjerë, duke sjellë shembullin e personave fizikë me klasifikime të ndryshme, por me të ardhura të njëjta. Ndryshimet ligjore parashikojnë që taksimi të jetë progresiv, edhe kur të ardhurat janë të njëjta për persona fizikë me klasifikime të ndryshme.
P.sh., 2 biznese persona fizikë me xhiro vjetore 80,000 euro, njëri berber dhe tjetri kontabilist, që kanë kosto qiraje, ujë, drita etj., në vit, në vlerën e 8,000 eurove dhe fitim i supozuar prej 80,000 euro. Në të dyja rastet, fitimi hipotetik, pasi i zbriten shpenzimet, llogaritet 72,000 euro. Me taksimin progresiv secili subjekt do të paguajë 1,500 euro në muaj, apo 18,000 euro në vit.
Kontabilisti Dhamo shprehet se nisma “godet” në tërësi një grup social të punësuarish, duke u bazuar te disa raste specifike abuzive që duhet të penalizohen me gjoba nga tatimet.
“Vendosja e tatimit progresiv mbi profesionistët e vetëpunësuar që ofrojnë shërbime është një qëndrim dhe ide shumë e gabuar dhe për më tepër, jo e bazuar në realitet, por në raste specifike dhe shumë të veçanta, kur individë të caktuar janë larguar nga lista e të punësuarve dhe janë regjistruar, si persona fizikë në organet tatimore, për të përfituar nga norma e tatimfitimit 0%.
Është krejt e gabuar dhe joprofesionale që të hartosh ligje për një grup social, duke u bazuar në raste specifike dhe jo të zakonshme. Nëse Administrata Tatimore (AT) ka evidentuar raste që punonjës dhe drejtues të caktuar të ndonjë apo disa shoqërive, janë larguar nga lista e punonjësve dhe kanë lidhur kontratë shërbimi, ligji i jep të drejtë AT që të bëjë rivlerësim situate dhe të vendosë edhe penalitetet përkatëse.
Ky është hapi i parë që duhet të bëjë AT dhe jo të kalojë direkt në ‘goditje’, pa përjashtim të të gjithë profesionistëve”.