CNN: Marrëveshja e Serbisë me Rusinë për gazin shqetëson Europën

Të dielën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç njoftoi se vendi i tij ka rënë dakord për një marrëveshje të re trevjeçare për furnizimin me gaz me ofruesin shtetëror të energjisë ruse, “Gazprom”.

Lajmi erdhi në një kohë të vështirë dhe duke e bërë këtë, Vuçiçi shkaktoi “një kokëdhimbje” të re për aleancën perëndimore anti-Putin dhe, veçanërisht, për Bashkimin Evropian, shkruan CNN-i në një analizë të publikuar të mërkurën.

Në anën tjetër të kontinentit, krerët e shteteve të BE-së u zhytën në negociata rraskapitëse për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Moskës. Marrëveshja përfundimtare, e shpallur në orët e vona të së hënës përfshin një ndalim të pjesshëm të importeve të naftës ruse në bllok.

Por Brukseli u detyrua të bënte një përjashtim për naftën që importohet në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke nëpërmjet një tubacioni, në mënyrë që të kishte unitet brenda bllokut. Ky veprim u pa nga disa anëtarë të BE-së si një lëshim i madh.

Serbia nuk është një vend anëtar i BE-së. Ajo është pjesë e një plani të zgjerimit të BE-së që përfshin gjithashtu disa nga fqinjët e saj. BE-ja është e vendosur të zgjerohet në Lindje dhe e sheh Ballkanin Perëndimor si çelës për sigurinë evropiane – aq më tepër në ritën e pushtimit rus të Ukrainës.

Nga këto shtete ballkanike, Serbia në veçanti shihet si vendimtare për shumë arsye.

Madhësia e saj, popullsia dhe vendndodhja gjeografike e bëjnë atë një aktor kryesor në gjeopolitikën e rajonit.

Megjithatë, Serbia është gjithashtu shumë e varur nga Rusia kur bëhet fjalë për gazin. Ajo është gjithashtu ushtarakisht bashkëpunuese me Moskën. Shkurt, Serbia përfiton jashtëzakonisht shumë nga marrëdhënia e saj me Rusinë dhe edhe nëse anëtarësohet në BE, nuk do të dëshirojë t’i djegë urat e saj me Kremlinin.

Kjo krijon dy realitete të njëkohshme për BE-në që, të cilat kur vendosen pranë njëra-tjetrës janë mjaft të vështira për t’u bashkërenduar.

Ndërkohë që Serbia ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin e Ukrainës, ajo nuk e ka sanksionuar Moskën ose nuk është rreshtuar me Brukselin për sanksionet kundër Moskës, diçka që pritet prej shteteve kandidate. Marrëveshja e re për gazin rus, vlerësohet hap i shpejtuar nga disa zyrtarë të BE-së.

About Redaksia

Check Also

JD Vance: Soros dhe Obama vendosën të heqin Biden dhe të caktojnë Harrisin! Ky është kërcënim për demokracinë

Senatori JD Vance, i përzgjedhur si kandidat për zëvendëspresident nga republikanët, deklaroi në mitingun e …

Leave a Reply