Ishte në modë gjenocidi, a din?!

Nga Elona CASLLI

Ishte në modë gjenocidi asokohe. Ti kërkon të gjykojmë modën zotni?! Nuk gjykohet dhe nuk dënohet moda, a din?!

Fjala bie, është moda e atleteve shumëngjyrëshe dhe njerëzia i vesh kudo. A mund të gjykohet kjo modë?! Jo.

Edhe atëherë zotni ishte moda e gjenocidit.

Ishte moda e përdhunimeve në grup të vajzave dhe grave në Kosovë. Nuk e di se ç’kënaqësi ndienin ushtarët serbë kur e bënin këtë, por shpërtheu si modë.

Ishte moda e plaçkitjes, rrafshimit dhe përvëlimit. Pasi e plaçkisnin një shtëpi, më pas i vinin zjarrin, a din?! Ushtarëve serbë iu pëlqenin flakët që lëpinin qiellin dhe në fund pshurrnin mbi hirin e një shtëpie të përvëluar.

Ishte moda e vrasjes së djemve nga e njëjta derë. A din?! Kishte raste që vdisnin të gjithë djemtë e shtëpisë dhe kjo quhej arritje. Modë e çuditshme kjo, por sikundër e thashë më lart zotni, moda duhet pranuar dhe nuk duhet gjykuar.

Ishte moda e fëmijëve që vdisnin dhe zhdukeshin. A din?! Ç’stilist i habitshëm duhet të ketë qenë ai që e shpiku këtë modë. Nejse zotni, unë stilistët nuk do t’i kuptoj kurrë. Ndaj them që moda është e vështirë për t’u kuptuar.

Ishte moda e pjekjes së kufomave. Kufomat futeshin në furrë dhe piqeshin ashtu si piqet një tortë me mollë të dielave.

Ishte moda e varreve masive dhe arkivolët nuk kishin të sosur. Nuk mund t’i numëroje se ngatërroheshe keq. Kam filluar t’i numëroja një herë dhe u ngatërrova. Pastaj fillova nga fillimi dhe u ngatërrova prapë. Pastaj i thashë vetes; E kujt i hyn në punë defteri i të vdekurve?!

Serbia vishej me modën e gjenocidit atëherë zotni. Nuk mund të gjykohet moda. Nuk mund të gjykohet një shtet nga rrobat që vesh. A din?!

Post Scriptum- Më dëgjo zotni! Mos u lodh me e kuptu modën. Thjesht pranoje.

Mund të jetë një imazh i 1 person

About Redaksia

Check Also

Thethi shembet, Tirana zhbëhet! Kur shteti ndëshkon të dobëtin dhe shpërblen klientin!

Nga Alba KEPI Shteti që shemb një shtëpi prej guri në Alpe nuk guxon të …

Leave a Reply