Emërimi i Presidentit, Berisha: Sot në Shqipëri, njëlloj si dikur në diktaturën hoxhiste

  • Sali Berisha: Të paktën 6 ministra dhe shumë e shumë deputetë socialistë janë kandidatë për ekstradime në vendet e Benelux-it
  • “Me emërimin më 4 qershor nga pseudo-mazhoranca të gjeneral Bajram Begajt President i Republikës së Shqipërisë, sot në Shqipëri njëlloj si dikur në diktaturën hoxhiste, të gjitha pushtet janë në dorë të një partie dhe një njeriu”
  • I bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, Diasporë, emigracion, vende të lira, të angazhohen me potencialet e tyre për të shpëtuar dheun e tyre, Shqipërinë, nga narkoshteti monist i Edi Ramës

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT

Së pari, denoncoj qeverinë e cila nuk sjell në Parlament marrëveshjet e ekstradimit me vendet e Beneluksit dhe këtë nuk e bën për faktin e vetëm se të paktën 6 ministra dhe shumë e shumë deputetë socialistë janë kandidatë për ekstradime.

Së dyti, kam një pyetje për parafolësin që s’dua t’ia përmend as emrin, kam një pyetje. Sa i pagove Nuredin Dumanit për të të shpëlarë tek Manhasët, kjo do të dalë, dhe nuk është vetëm kjo, po ja ku po ua them të nderuara zonja, ai ka mbi 50 apo 100 telefonata me Dumanin, me sharrën, me gozhdën, dhe me serialin e bandës së Suel Çelës dhe Talo Çelës e me radhë. Pra këto janë.

Shqipëria e Ramës, vendi i monizmit total. Republika moniste e Sorosit në Europë. E shtuna e 4 qershorit 2022 do gdhendet në memorien e kohës si një ndër ditët më të zeza në historinë e demokracisë shqiptare. Ajo ishte dita e funeralit të sistemit demokratik në Shqipëri.

Me uzurpimin me votat e rrëmbyera të shqiptarëve të institucionit të fundit shtetëror që kishte mbetur jashtë kontrollit të PS-së, atij të presidentit, në vend u rivendos sistemi monist i plotë dhe u varros sistemi i bazuar në ndarjen dhe balancën e pushteteve të garantuar me Kushtetutë.

Me emërimin më 4 qershor nga pseudo-mazhoranca të gjeneral Bajram Begajt President i Republikës së Shqipërisë, sot në Shqipëri njëlloj si dikur në diktaturën hoxhiste, të gjitha pushtet janë në dorë të një partie dhe një njeriu. Sot si asnjëherë më parë në 31 vite, në pushtetin ekzekutiv, çdo ministër, zv.ministër, drejtor dhe Sekretar i Përgjithshëm është i vetëm një partie, PS-së.

Sot, njëlloj si në të shkuarën tonë moniste, të gjitha institucionet e larta shtetërore të konsideruara si të pavarura apo autonome, si ai i Presidentit, KLSH, Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe atij të Ushtrisë, Inspektorit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Komisionarit të të Dhënave Private, krerëve të Bordeve të Konkurrencës, të Energjisë, Bordeve Rregullatore të Telekomunikacionit janë të PS-së.

Sot në narkoshtetin shqiptar të gjithë drejtuesit e institucioneve më të larta të drejtësisë, KLGJ, ILD, KLP, KPK, KLAP-së, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut, çdo gjykatë, si e Lartë dhe çdo gjykatës i Kushtetueses që nuk i ka mbaruar mandati dhe i tillë është vetëm një, është përzgjedhur dhe emëruar nga mazhoranca e PS. Kurrë ndonjëherë që nga diktatura e Enver Hoxhës një kontroll i tillë total partiak mbi drejtësinë nuk ka ekzistuar.

Sot në Shqipërinë moniste të gjitha organizatat jo qeveritare përveç asaj të Altin Goxhajt dhe disa të tjerëve, kontrollohen totalisht nga qeveria dhe kumbari i saj George Soros.

Sot të gjitha mediat e mëdha dhe të vogla me përjashtim tepër të rrallë, kontrollohen nga narkoqeveria e Ramës.

Ato janë në garë të dezinformojnë qytetarët shqiptarë se përndryshe nuk mbijetojnë. Sektorët madhorë jetik të ekonomisë së vendit zotërohen nga oligarkët e Ramës.

Data 4 qershor 2022 shënon zhdukjen përfundimtare të çdo lloj kontrolli të pushteteve, me abuzimet e tyre me qytetarët, publikun, interesat e vendit, kusht vendimtar për ushtrimin e tyre në mënyrë kushtetuese dhe demokratike.

Me zgjedhjen dy ditë më parë të presidentit socialist nga mazhoranca socialiste u zhduk përfundimisht gjurma e fundit e balancës midis pushteteve, kusht vendimtar për të mos patur një pushtet monist, anti-demokratik dhe anti-kushteutes.

Natyrisht kjo nuk erdhi brenda një dite apo një viti. Monizmin në Shqipëri Rama e rivendosi së pari për mentalitetin monist që trashëgon nga etërit e tij bllokmen-hoxhist, për pushtet një partiak.

Së dyti, për vendosjen e monizmit total përdori frikën, terrorin, dhunën shtetërore, bandat, krimin drogën dhe varfërinë me të cilat nënshtroi njerëzit, bleu dhe rrëmbeu votat e tyre, dhe largoi mbi gjysmë milioni shqiptarë nga Shqipëria.

Me një urrejtje patologjike arriti me tenderë dhe dosje gjyqësore të blejë dhe të marrë peng drejtuesit e ish-opozitës. Në gjithë këtë proces të zëvendësimit të balancës së pushteteve, me monizmin e plotë pati mbështetjen e fuqishme të Sorosit e cila vuri në ombrellën e tij organizatat e shoqërisë civile dhe me pseudo-reformën e drejtësisë vuri në kontroll të plotë ekzekutivin, në kontroll të plotë të ekzekutivit të sistemit të drejtësisë.

Përligji me deklarata grabitjen e votës së shqiptarëve dhe me lobimin e tij korruptiv bëri gjithçka për të larguar nga skena politike Berishën për të ndihmuar Ramën dhe narkoqeverinë e tij.

Të dashur qytetarë shqiptarë,

situata sot është më dramatike se kurrë në 30 vite. Zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart tona, shembja e sistemit të kalbur monist arrihet me guxim, moblizim, organizim nën udhëheqjen e opozitës shqiptare me një lëvizje të fuqishme shpëtimtare për Shqipërinë.

I bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, Diasporë, emigracion, vende të lira, të angazhohen me potencialet e tyre për të shpëtuar dheun e tyre, Shqipërinë, nga narkoshteti monist i Edi Ramës. Asnjë shqiptar nuk duhet të harrojë që Shqipëria sot nuk është Republika moniste e Enver Hoxhës, por Republika moniste e Edi Ramës.

Ajo nuk është Republika moniste e Gorge Orwell, por Republika moniste e George Soros.

I bëj thirrje miqve të Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë së tyre në Europë dhe SHBA, e kudo në vende të lira të ndërpresin menjëherë çdo mbështetje për regjimin monist të Edi Ramës. Ne do të fitojmë.

About Redaksia

Check Also

Olsi Rama ka përdorur makinën e “kokainës”, Bardhi nxjerr dokumentin e TIMS

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka publikuar sot dokumentin e sistemit TIMS, …

Leave a Reply