Firma në Stamboll, Presidenti në “Janinë”…

Nga Luçiano BOÇI

…e pas kësaj vijon tjetra: “Janinës” ç’i panë sytë”!!!?

Se si përkulja-shtrirje që desh çrregulloi pikën e rëndesës së Presidentit të ri, u bë pika simbol e përuljes së institucionit të kreut të shtetit para ekzekutorit të aktit të përzgjedhjes së tij!

Ndoshta ishte betimi i vërtetë ky (jo ai formal me kushtetutë para) në embrion, i pashpallur dhe i destinuar të qëndrojë në heshtje, por përherë i tradhëtuar nga gjuha e trupit.

Ndoshta ishte një lloj çlirimi nga makthi i kohës raundore që kishte mbajtur pezull kërshërinë plot eros kombëtar e pathos nacionalist të publikut, në pritje të një figure femërore bio.

Megjithëse kjo e fundit  nuk ndodhi, krenaria kombëtare arriti kulmin deri në ekstazë në sallën e parlamentit.

Një ushtarak President!

Dhe jo ushtarak dosido. Vetë shefin e shtabit të përgjithshëm. Njeriun ushtarakisht më të fuqishëm të vendit. Një mjek që më shumë i përket prapavijës në fakt.

Nuk e di pse mu kujtua që dhe vetë Stalini në kohën e revolucionit bolshevik kishte qenë shef i prapavijës me insistim të Trockit.

Tamam në kohën e duhur, do bërtiste shoqata e veteranëve të luftës, kur retë e konflikteve ushtarake po i afrohen Shqipërisë, pa e ditur të shkretët që Vuçiçi “i trembur” nga vendosja e një ushtaraku në xhepin e Ramës, do nxitonte t’i hidhte këtij jo dorezën e duelit po dorezën e “Ballkanit të hapur”.

Ja që ushtarakët janë dhe luftëtarë të lumturisë – do deklaronte shoqata kundër bullizimit në ushtri.

Gjenerali shef shtabi që nuk kishte skicuar një fushë-betejë në jetën e vet, u shndërrua kështu papritur nga mjek uniformash në pacientin ideal të pushtetit.

I urtë, i qetë, me thinja anësore, bonaç me pamje të squllët.

Ëndrra e Ramës për një president-pacient “normal” në ato momente po merrte formë konkrete dhe ngazëllimi u përshfaq i plotë.

Gati-gati këtë e perceptoi dhe vetë presidenti i emëruar. E kapi situatën dhe u shfaq përkëdhelësi me i qashtër i atij që e çliroi më në fund nga bezdia e uniformës që shpesh e ka mbajtur sipër bluzës së bardhë, të cilën me thënë të vërtetën e ka ushtruar me virtuozitet të plotë.

Pas kësaj, aty shumë kush në atë sallë, i dha plotësisht të drejtë Ramës. E si mund të zgjidhte ai një presindent konsensual?!

Një i tillë do ishte komplet i dalë duarsh dhe jo puthadorës.

Dhe Rama nga këta “të dalë duarsh” që ta japin fetvan nga Stambolli, ka përvojë shumë të keqe.

Prandaj i duhej, pavarësisht firmës në Stamboll, me nxitim Presidenti në “Janinë”.

Ai e njeh mirë “dobësinë” më të madhe pozitive të atyre me grada ushtrie.

I binden verbërisht urdhrave që vijnë nga eprorët më sipër!

Vetëm këtë gjë të vogël kërkon Rama dhe ju si bëni?! – do thoshte Elisa

Për kaq pak iu iku konsensusi nga duart dhe atyre që i ofruan më shumë.

About Redaksia

Check Also

Zyra e BE-së reagon ndaj protestave, por jo ndaj krimit!

Nga Milaim NELA Reagimi i Zyrës së Bashkimit Europian sot ndaj protestës së qytetarëve tē Tiranës …

Leave a Reply