O Zot, bëje ëndërr!

Nga Genc POLLO

Me konsekuencë kam refuzuar javët e fundit të komentoj mbi çdo person të përfolur si kandidat për President të Republikës. Insistimit të gazetarëve i jam përgjigjur se është shumë më e rëndësishme të kemi procesin politik të duhur për këtë zgjedhje; çka fatkeqësisht nuk e patëm. Sa për personin konkret, u thosha se druajtja ime ishte se Rama do e nxirrte emrin e përveçëm njëlloj si prestigjatori në cirk nxjerr lepurin nga cilindri: cilido qoftë emri, do të kemi një president të dëgjueshëm ndaj këtij kryeministri; ndryshe nga dy presidentët e fundit.

Emri i personit u shpall e jo të paktë ishin ata komentatorë pozitivë, të cilët evokuan etosin ushtarak si cilësi garantuese e një presidenti të mirë. Madje sollën si shembull edhe dy presidentë në të shkuarën, Moisiun e Nishanin (ndjesë pastë!) të cilët kishin formim ushtarak. Duke harruar se këta të fundit kishin përvojë politike dhe kishin shërbyer edhe si ministër.

-1- Mbi bazat, anijet e helikopterët

Si rregull, një President të zgjedhur nuk lipset ta paragjykojmë sesi ai do të sillet e veprojë në ofiq. Megjithatë besimi tek njeriu lipset të mbështetet edhe në një themel empiriko-racional. Në këtë sens vlen të këqyrim shkurt situatën në Forcat e Armatosura.

Për zhvatjen e bazave detare në favor të bizneseve pranë qeverisë kam shkruar gjerësisht në vitet e shkuara. Më vjen mirë që edhe gazetarë investigativë, disa syresh me financim indirekt të aleatëve, i kanë hulumtuar në detaj këto skandale; madje ndonjë ka marrë çmim nga organizata ndërkombëtare pikërisht për këtë punë. Po ashtu ka pasur kallëzime penale nga ushtarakë të ndërgjegjshëm. Thelbi është se me degradimin e bazave të Forcës Detare, ulet aftësia e mbrojtjes kombëtare si dhe kapaciteti për operacione kërkim-shpëtimi në pjesën e Adriatikut e të Jonit që është përgjegjësi e shtetit shqiptar.

Helikopterët Cougar, të blerë në Francë në vitin 2011, për Forcën Ajrore dhe anijet e klasit Iliria, të blera në Holandë në vitin 2008, për Rojen Bregdetare, janë dy investimet kryesore për modernizimin e Forcave të Armatosura në këtë shekull.

Megjithatë helikopterët janë jofunksionalë siç e pamë vjet në verë kur plasën zjarret në pyje apo edhe një muaj më parë kur për të shpëtuar një polic të aksidentuar në Dukagjin u thirr në ndihmë një helikopter i KFOR-it nga Kosova. Edhe dje në zjarret në Karaburun mungesa e helikopterëve u duk qartë.

Po kështu është gjendja edhe me anijet Iliria, megjithëse më pak e shfaqur në radarin e publikut. Ato janë prej kohësh të ankoruara e të pamundura për detyra të vështira. Njëra syresh, pjesëmarrëse në misionin e NATO-s në detin Egje në vitin 2019, pësoi avari e bllokua në mes të detit sepse iu fikën dy gjeneratorët. Shkaku ishte se ju kishin mbaruar orët e punës (!!!).

Problem për helikopterët e anijet është shërbimi i mirëmbajtjes që vuan nga inkompetenca, abuzimi e korrupsioni.

Qeveria rilindiste ka heshtur për këto skandale. Vetëm së fundi, përballë një interpelance shterruese të një deputeti opozitar, Ministri i Mbrojtjes paraqiti një justifikim hileqar: “unë nuk kam firmosur në asnjë rast që privatët të marrin trojet e bazave”, por nëse ka ndodhur më parë “kini parasysh se Shqipëria ka nevojë për zhvillim”. Edi Rama, ditën e votimit për presidentin, foli për herë të parë për skandalin duke e quajtur të paqenë. Këto kallëzime e denoncime “tek ne janë sport kombëtar”, tha ai. Ndryshe nga ministri aktual, kryeministri ka nënshkruar VKM për zhvatjen e disa nga bazave detare.

Për situatën me helikopterët e anijet nuk kam dëgjuar ndonjë shpjegim nga qeveria. Për të tëra këto skandale, përgjegjësi direkte mban aparati civil i dikasterit me në krye Ministrin e Mbrojtjes. Por sipas ligjit, përgjegjësia bie edhe mbi Shtabin e Përgjithshëm dhe shefin e tij. Disa nga nënshkrimet me ngarkesë të qartë penale janë të ish-Shefit të Shtabit deri në vitin 2020. Ai u bë më pas deputet me imunitet i partisë në pushtet.

Por të kthehemi në çështjen tonë, të gjeneralit Begaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm që nga korriku 2020.

Veprimet e mosveprimet e tij në asnjë mënyrë nuk dëshmojnë synim e vullnet për të pastruar “haurin e Augjisë” që ai gjeti kur mori ofiqin. Madje në ndonjë rast duket se e ka ngarkuar veten jo vetëm me përgjegjësi morale e civile por edhe me atë penale. Si për shembull me bazat detare.

-2- Mbi ushtrinë e partinë

Për mua kaq do të mjaftonte për ta skualifikuar nga lista e kandidatëve për president. Për ata që do të mendojnë se të jesh kësisoj qibar në regjimin e Ramës është ekzagjerim, do t’u thosha se gabojnë.

Sa më lart është shumë më e rëndë se problemi formalisto-ligjor i kandidimit të një ushtaraku aktiv. Ne nuk ka pse të druhemi nga puçet e Turqisë, Greqisë apo Amerikës Latine në shekullin e kaluar. Por duhet të shqetësohemi nga superkapja e shtetit nga partia në pushtet. Kësaj nuk i ka shpëtuar edhe ushtria. Që në pranverë 2014, gjeneral Bazo, asokohe shef shtabi i emëruar rishtas deklaroi se nuk ekzistonin avionët e vegjël që çonin kanabis në Itali. Me gjithë provat e dukshme për to! Madje këtë e deklaroi në emër të NATO-s, ndërsa de fakto fliste në këmbë të ministrit Saimir Tahiri. Shembuj të ngjashëm fatkeqësisht ka më tej dhe me to duhet të merret dikush. Por të paktën individë problematikë që kontrastojnë me ushtarakun e karrierës së merituar të mos katapultohen në krye të shtetit.

-3- Mbi mirësjelljen, presidentin e ëndrrën

Komentatorët rekomandojnë edhe një gjuhë me respekt ndaj kreut të shtetit dhe nuk mirëpritën referimin e përgjegjësive morale, civile e penale të gjeneralit. Në fakt ato u paraqitën ndaj kandidatit. Por vërejtja e gjuhës është me vend. Fatkeqësisht kryeministri i tre mandateve nuk ka qenë model. Fyerjet e qesëndisjet publike ndaj kreut të shtetit kanë qenë të panumërta nga ana e tij. Dikush mund të më quajë të njëanshëm meqë nuk them gjë për cilësimin “Horr bulevardi” të kryeministrit të mëparshëm. Nuk është tamam kështu! Ky epitet u tha në kontekstin e një sulmi të dhunshëm ndaj rendit publik e kushtetues. Fyerjet e qesënditë e Ramës kanë qenë reagime ndaj përpjekjeve të Nishanit e Metës për të mbrojtur Kushtetutën e interesin publik. Duke iu kundërvënë një ekzekutivi ekspansiv e abuziv.

A do të kemi përsëri një president të tillë. “O Zot bëje ëndërr!” thuhet në një anekdotë folklorike.

About Redaksia

Check Also

Me sy e vesh nga Venecia

Nga Lutfi DERVISHI Në një vend të krijuar nga konferenca e ambasadorëve të Fuqive të mëdha, …

Leave a Reply