Sazani po shkrumbohet nga flakët, gazetarja zbulon skandalin me helikopterët Cougar

Gazetarja Anila Hoxha, e cila publikoi investigimin për degradimin e flotës ajrore shqiptare, ka reaguar në lidhje me situatën problematike të shkaktuar nga flakët në ishullin e Sazanit. Pavarësisht kësaj situate, Ministria e Mbrojtjes nuk ka ndërhyrë ende nga ajri. Gazetarja shkruan se në vendin tonë aktualisht ka vetëm një helikopter Cougar, i cili ka dhënë defekt në shkurt të vitit 2022, duke pamundësuar aktivizimin e tij për të shuar flakët. Ajo thotë se dy të tjerë janë dërguar për mirëmbajtje jashtë vendit ndërkohë që i katërti është bllokuar në Itali

Reagimi i gazetares

Ministri Mbrojtjeje pa mbrojtje

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes duke ngritur në ajër një helikopter të lehtë dhe jo Cougar për të inspektuar se si po digjet Sazani, kur në fakt tymi që duket nuk do kallauz, nuk është një përpjekje për të fshehur të verteten, por një përpjekje e dështuar për të na bindur që kemi kapacitete reaguese. Do t’i besoja, por meqë po merrem me Cougar-ët prej muajsh, di çdo vrime të kësaj çatie që pikon dhe që mbulohet me sekretin shteteror.

Por jo.

Nuk kemi mundesi. Cougar-i që gjendet në hambarët e FA është vetëm një. E kanë sjellë në muajin dhjetor 2021 mbasi iu nënshtrua mirëmbajtjes dhe dha defekt në 10 shkurt 2022. Rrjedhje transmisioni, dhe me analizat që po bëjnë, po vijnë vërdallë.

E thënë nga Ministria e Mbrojtjes cit: “ndërsa një pjesë e helikopterëve Cougar të riparuar përmes praktikës së re të bashkëpunimit NSPA ndodhen në Shqipëri”, realisht më shtyn të dyshoj se ose shqipja jonë është bere një gjuhë e komplikuar, ose kanë harruar si thuhet e verteta.

E vërteta është: është vetëm një helikopter Cougar dhe jo “një pjesë” siç njoftohet. Një pjesë nuk është numer dhe nuk përfaqëson asgjë ekzakte. Ose e vërteta është që edhe nga ky Cougar ka mbetur mbas kanibalizimit një pjesë helike apo ndonjë pjesë tjetër.

E vërteta është se dy të tjerët, që disa herë ua kthyen pas në pikat kufitare se i ngarkuan si rraqe dhe më pas i dërguan për mirëmbajtje, nuk janë sjellë ende në Shqipëri. Keni foto më poshtë.

U bënë tre Cougar.

E vërteta është se të katërtit i kanë mbetur kockat në Itali. Edhe për këtë, ashtu si për emergjencat e verës së kaluar, KLSH ka konstatuar dëm ekonomik disamilionësh.

E vërteta është se dy ministra Mbrojtjeje dështuan për të plotësuar mirëmbajtjen e një pasurie kombëtare si katër Cougar-ët dhe firmosen e firmosën hiq e shto, e amendo kontrata mbas kontratash.

E vërteta është se këto shtesa shqip do të thotë ‘miliona euro”.

Sa për kapacitetet…

Ata helikopterët e lehtë që vlerësohen me gjuhe donkishoteske cit: “helikopterë të lehtë, me specifika, kufizime…” e më the e të thashë apo cit: “të gjeneratës së katërt” siç thotë Ministria e nderuar e Mbrojtjes, nuk jane helikopterët Cougar.

E vërteta është se nuk janë ata Cougar-ë për të cilët shteti shqiptar shpenzoi miliona euro dhe miliona të tjera u grabitën për t’i mirëmbajtur, megjithëse pa asnjë rezultat.

Meqë ministria e nis reagimin me transparencë dhe e mbyll me informacionin e klasifikuar konfidencial, pak me vonë do vendos nëse do jem transparente dhe do ju tregoj fotot e helikopterëve që janë gjendje, që nga VIP-i e deri tek ai i brazilianit, histori më vete kjo. Apo do ruaj sekretin që më ngjan një barcaletë e lodhur për të fshehur një mega aferë.

Ndërkohë shijoni një foto me Cougar që e ngarkuan dhe deshën ta nisnin kështu udhëve të Evropës. Se ne ndjekim “mekanizmat evropiane”, “emergjencat specifike natyrore ”… megjithë “kapacitetet tona të brendshme të limituara” (citim i njoftimit ministror).

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply