Partia Demokratike organizoi sot një tryezë me përfaqësues të biznesit. Ajo që ra në sy ishte shqetësimi në rritje i biznesmenëve dhe shoqatave që mbrojnë bizneset për ligjin e fiskalizimit. Por mbi të gjitha, biznesmenët u ankuan për korrupsionin dhe krimin e organizuar që po shkatërron jo vetëm garën, por të gjithë ekonominë e tregut.
Biznesmeni i njohur, Nikollaq Neranxi tha se, mafia shtetërore dhe krimi i organizuar janë bërë bashkë për të rrënuar vendin.
“Mafia shtetërore po blen të gjithë Shqipërinë. Si mund të flitet për garë në këtë situatë?
Të bërit biznes është kthyer në një mision të pamundur. Kërkojmë ndihmën e opozitës për të çliruar biznesin nga mafia e pushtetit.
Shumë organizata të biznesit që duhej të mbronin të drejtat tona, janë blerë nga Rama. Institucionet ndërkombëtare duhet të dinë të vërtetën se me çfarë po përballet biznesi në Shqipëri.
Biznesi i madh është i pari që vuan nga mafia që ka kapur shtetin. Biznesin po e nxjerr nga tregu mafia shtetërore. Biznesi i ndershëm sot është në rrezik, ekonomia e tregut është sot në rrezik. Demokracia është në rrezik. Ne kërkojmë sot sensibilizim dhe reagim”, tha ai.