Shkruar nga George Soros më 1999, a është këtu origjina e “Ballkanit të Hapur”?

Në Ohër të Maqedonisë së Veriut të martën janë mbledhur liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor për të mbajtur Samitin e radhës të “Open Balkan”.

Edi Ramës, Aleksander Vuçiç dhe Dimitar Kovacevski në qytetin e bukur të Ohrit i janë bashkuar edhe Dritan Abazoviç kryeministri i Malit të Zi, përfaqësuesi i Bosnje e Hercegovinës, por jo edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në tryezë mes liderësh është parë edhe Aleksander Soros, djali i George Soros themelues i “Fondacionit për Shoqëri të Hapur”. Prania e Aleksandrit në takimin e Ohrit ka nxitur reagime të shumta.

Por cila mund të jetë historia prapa pranisë së djalit të Geroge Soros në takimet me liderët e shteteve anëtare të “Open Balkan” dhe a është ky shkrimi i babait të Aleksandrit, shenja paralajmëruese e projektit më të diskutuar në Ballkanin e ditëve të sotme.

Qysh në vitin 1999, George Soros, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një shkrim autorial të publikuar në “Project Syndicate” kishte folur për atë se si duhet hapur Ballkani dhe çfarë duhet bëhet me Kosovën e dalë nga lufta dhe në përgjithësi me rajonin.

Në fillim të shkrimit të tij autorial, miliarderi George Soros, kishte shkruar për dorëzimin e Sllobodan Millosheviqit si rezultat i bombardimeve të NATO-së.

Soros atë kohë shkruante se si mund të merrej frymë më lehtë pas asaj ngjarje. Derisa thoshte se për të arsyetuar një ndërhyrje të tillë duhet siguruar një të ardhme më të mirë, jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë rajonin.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të reagojmë ndaj krizave siç lindin në Ballkan, veçanërisht pasi veprimet tona mund të kenë pasoja kaq të rënda të padëshiruara dhe negative. Ne duhet të sjellim një vizion pozitiv, konstruktiv, vizionin që ka krijuar Bashkimin Evropian”, shkruante Soros në korrikun e vitit 1999.

Soros thoshte se Ballkani nuk mund të rindërtohej mbi bazën e shteteve kombëtare, derisa rikujtonte se në çfarë mizorish ka çuar përpjekja për shtete etnikisht të pastra.

Qysh atëherë, Geroge Soros, thoshte se e ardhmja e këtij rajoni, është krijimi i një shoqërie ku zvogëlohet dominimi i shtetit dhe ku zvogëlohet rëndësia e kufijve, gjë të cilën synon pikërisht iniciativa e “Ballkanit të Hapur”

“Ne kemi parë se përpjekja për të vendosur homogjenitetin etnik mund të çojë në mizori të patolerueshme, vuajtje njerëzore dhe shkatërrim. Është gjithashtu jopraktike. Popullsia e Jugosllavisë, edhe pas përjashtimit të Kosovës, mbetet rreth 25% joserbe. E vetmja rrugë drejt paqes dhe prosperitetit është krijimi i një shoqërie të hapur në të cilën shteti luan një rol më pak dominues dhe kufijtë zvogëlohen për nga rëndësia. Kjo është rruga që ka zgjedhur Bashkimi Evropian”, thuhet më tej në tekstin e George Soros.

Themeluesi i “Open Society Foundation”, tutje shkruan se fillimisht idenë për shoqëri të hapur e kishte propozuar Henry Bergson në librin e tij “Dy burimet e fesë dhe moralit”. Soros shkruante se Bergson ka bërë dallimin në mes të një ideje fisnore të moralit dhe një ideje universale.

“E para dërgon në një shoqëri të mbyllur. Kjo e fundit për një shoqëri të hapur”, vazhdon shkrimin Soros.

Një koncept i tillë thotë se më pas u zgjerua edhe nga Karl Popper në librin e tij “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, ku tregohej se si shoqëria e hapur mund të kërcënohej gjithashtu edhe nga idetë universale nëse ato pretendojnë një monopol të së vërtetës. Megjithatë thotë se problemet me të cilat përballet rajoni i Ballkanit kuptohen më mirë në termat siç i ka formuluar Bergson.

“Në luftërat e trashëgimisë jugosllave kemi parë një luftë midis koncepteve etnike dhe qytetare të qytetarisë. Në Jugosllavi koncepti qytetar humbi dhe Jugosllavia u shpërbë. Në Evropën Perëndimore mbizotëronte koncepti qytetar dhe integrimi i Evropës qëndron në kontrast të plotë me shpërbërjen e Jugosllavisë. Bashkimi Evropian tani duhet të shtrijë ombrellën e tij mbrojtëse mbi rajonin”, thuhet në shkrimin autorial të George Soros.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Soros thoshte se tashmë rajoni do të ishte më i madh se ish-Jugosllavia sepse ajo që “thyhet s’mund të ngjitet më” dhe se në këtë ide duhet përfshirë, Shqipëria dhe Bullgaria, dhe duhet qenë të hapur ndaj vendeve si Rumania dhe Moldavia.

Soros thoshte se s’mund të përsëriteshin më gabimet e bëra në Bosnje, meqë përpjekja për rindërtim dhe vrull në Bosnje dështoi si rezultat i një territori të vogël, të ndarë në shumë etnitete të ndryshme qeveritare, nga federale e lokale, të cilat “insistojnë të kenë gishtat e tyre jo shumë të pastër në çdo byrek”.

George Soros thoshte se angazhimi duhej shtrirë në të gjithë rajonin, dhe se një gjë e tillë është kuptuar edhe nga politikanët. Sipas tij, Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore i nënshkruar në Koln të Gjermanisë më 10 qershor 1999 ofronte një pikënisje të shkëlqyer.

“Ajo themelon tre grupe pune: për demokratizimin dhe të drejtat e njeriut; për rindërtimin, zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik; dhe për çështjet e sigurisë. Ai ofron një kornizë që pret të mbushet me përmbajtje. Përmbajtja mund të nxirret nga një punim i përgatitur nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në Bruksel”, shkruante atë kohë Soros, duke listuar më pas katër hapat thelbësor të planit.

“Thelbi i planit përbëhet nga katër hapa të ndërlidhur:

(1)Bashkimi Evropian merr kontrollin e shërbimeve doganore të vendeve pjesëmarrëse.

(2) Bashkimi Evropian kompenson vendet për humbjen e të ardhurave doganore nga buxheti i Bashkimit Evropian. Shuma e subvencionit nga buxheti i BE-së do të ishte rreth 5 miliardë euro në vit. Kjo përshtatet në mënyrë të përkryer me buxhetin e Evropës së vitit 2000 të rënë dakord në Berlin.

(3) Kompensimi mund të pasqyrojë humbjen potenciale dhe jo faktike të të ardhurave, por elementi i subvencionit do të kushtëzohej rreptësishtë nga performanca. Për shembull, Serbia do të duhet të zhvillojë zgjedhje nën patronazhin e OSBE-së në mënyrë që të jetë e pranueshme. Kjo ka më shumë gjasa të largojë Millosheviqin nga pushteti sesa bombardimet.

(4) Me mbështetjen buxhetore nga BE-ja, vendet do të kalojnë në euro (ose DM derisa euro të futet) si monedhë e përbashkët. Bullgaria tashmë ka një bord të suksesshëm valutor të bazuar në DM; vendet e tjera nuk do të kishin nevojë as për një bord valutor”, thuhej në tekstin e Soros.

Ai thoshte se këto katër masa të bëra bashkë do të krijonin fillimisht një zonë të tregtisë së lirë e cila do të ishte e ngjashme me Beneluksin.

“Sapo BE-ja të jetë e kënaqur me kontrollin e saj mbi doganat, ajo do ta pranonte zonën në Tregun e Përbashkët Evropian. Tregtia e produkteve bujqësore, e cila është shtylla kryesore e rajonit, mund të mbetet subjekt i kufizimeve, por BE-ja do të duhet të tregojë njëfarë bujare që plani të ketë sukses. Hapi i dytë do të ndodhte brenda një të ardhmeje të parashikueshme, le të themi dy vjet. Në një të ardhme më të largët, vendet do të pranoheshin edhe si kandidate për anëtarësim të plotë”, thuhet tutje në tekstin autorial.

Në këtë shkrim, Soros theksonte se Doganat nuk janë vetëm për t’i ndarë vendet. Ai thoshte se aty është edhe një burim i fuqishëm korrupsioni, dhe se heqja e detyrimeve doganore, do të zvogëlonte aftësinë e qeverive për të ndërhyrë ne zhvillim ekonomik.

“…ata do të duhet të konkurrojnë për të tërhequr investime në territorin e tyre në vend që të paraqesin pengesa siç bëjnë aktualisht. Kontributi fillestar nga BE-ja do të shumëfishohej me investime private. Ky është faktori që e bëri Planin Marshall kaq të suksesshëm”, vazhdon Soros në shkrimin e tij.

Në fund, thotë e një plan i tillë për shoqëri të hapur në Evropën Juglindore do të kishte një kosto për shtetet anëtare të BE-së, por se shumat janë të vogla, meqë edhe rajoni është më i vogël në aspektin ekonomik krahasuar me Holandën.

“Kostot krahasohen në mënyrë të favorshme me ndërhyrjen ushtarake dhe humanitare; në aspektin njerëzor dhe politik nuk ka krahasim”, përfundon Soros në shkrimin e tij të publikuar në “Project Syndicate” në korrikun e vitit 1999.

Një tekst i tillë, ishte pasur me një tjetër të publikuar në nëtorin e vitit 2000 në “Financial Times” të titulluar “Si ta inkurajojmë Ballkanin”.

Në këtë tekst Soros thoshte se BE-ja duhet të propozojë një plan me tri pika për Ballkanin, duke thënë se fillimisht duhet të ndihmohej krijimi i një bashkimi doganor me qasje ne BE brenda një viti, dhe për këtë thoshte se mund të merrej model bashkimi doganor mes BE-së dhe Turqisë.

“Pasi të gjitha këto vende të kenë arritur një marrëveshje të tillë me BE-në, automatikisht do të ketë tregti të lirë në të gjithë rajonin. Kjo do të marrë pak kohë. Por që në fillim, BE-ja duhet të japë një sinjal duke hapur në mënyrë të njëanshme kufirin e saj për importet nga rajoni. Kjo nuk mund të rrezikojë asnjë interes të BE-së, sepse vendet në fjalë përbëjnë më pak se 1 për qind të tregut të BE-së”, kishte shkruar Soros për Financial Times.

“Së dyti, brenda dy viteve duhet të vendoset një taksë rajonale mbi vlerën e shtuar për Ballkanin për të zëvendësuar të ardhurat e humbura doganore nga bashkimi doganor. Ndryshimet në taksat indirekte si TVSH-ja paraqesin një mënyrë tjetër në të cilën kufijtë bëhen pengesë për tregtinë. Ato duhet të bashkohen në të gjithë rajonin. Norma e TVSH-së mund të rritet pak për produkte të caktuara nëse kufizimi i shpenzimeve nuk është i mjaftueshëm për të kompensuar humbjet e të ardhurave nga bashkimi doganor”, thuhet në pikën e dytë të propozuar nga Soros.

Derisa si pikë e tretë e planit, thotë se BE-ja duhej të siguronte një mbështetje të përkohshme buxhetore në një shkallë rënie deri në tre vjet.

Ky plan, shkruante Soros, do të mbulonte Bullgarinë, Kroacinë, Shqipërinë, Serbinë, Bosnjën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën. Derisa shtonte se pjesëmarrja e Rumanisë dhe Moldavisë është sipas dëshirës.

“Bullgaria dhe Kroacia mund të binden të marrin pjesë me kusht që të mos ndërhyjnë në kandidaturën e tyre për anëtarësim në BE. Në varësi të vendit, mund të ketë pak a shumë mbështetje buxhetore”, kishte shkruar George Soros në vjeshtën e vitit 2000./ GazetaExpress/

About Redaksia

Check Also

Skandali/Avdylajt, Doçi dhe 4 zyrtarë policie u gjetën në shtëpi dhe u lanë të largoheshin

Kryetari i PD, Sali Berisha denoncon skandalin me ooeracionin e SPAK dhe policisë. Lexoni mesazhin …

Leave a Reply