Berisha thirrje nga Elbasani: Përgatituni për betejë t’i shkurtojmë ditët këtij regjimi!

• Duhet t’ju informoj se ne përgatitemi për betejë me këtë regjim. Nëse PD do kishte qëndruar si një forcë beteje, Rama nuk do të ishte kurrë në pushtet në mënyrë absolute

• Shqipëria sot është në monizëm të plotë! Çdo pushtet në duart e një partie

• Të rinjtë duhet të jenë dhe do të jenë në ballë të kësaj përpjekje. Ata luajtën një rol thelbësor në rithemelimin e PD dhe unë kam besim të madh se edhe në këto beteja që vijnë ata do të kenë rolin e tyre thelbësor

• Ky është regjim i kalbur sepse bazohet në parime të padrejta, bazohet në një trekëndësh politikë-krim-biznes

• Është jetike për ne hapja ndaj vlerave, ndaj njerëzve idealistë, hapja ndaj njerëzve që e kuptojnë që vendi ka nevojë jetike për kontributin e tyre. Kemi nevojë të madhe për mendjen, për pikëpamjet, për intelektin, për ekspertizën e tyre

*FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË TAKIMIN ME INTELEKTUALËT NË ELBASAN*

I dashur Luçiano,
të dashur miq,
zonja dhe zotërinj në këtë panel, në këtë sallë,

Jam jashtëzakonisht i nderuar që marr pjesë sot në këtë takim me simbolikë shumë të madhe për Partinë Demokratike.

Në një hark kohor 9 mujor, ndoshta edhe të zgjatur më shumë se sa duhej, Partia Demokratike kaloi një proces rithemelimi, vendosi disa rregulla, vendosi disa ndryshime thelbësore statutore. Sot të gjithë drejtuesit tuaj janë tuajit, i keni zgjedhur vetë, nuk i kemi caktuar ne dhe nuk do të caktohen nga Tirana ndonjëherë. Keni bërë zgjedhjet më të preferuara, në tërësi absolutisht më të mira kështu se sa po t’i kishim sjellë ne kandidaturat tek ju dhe kjo ka një vlerë shumë të madhe sepse respektohet vullneti juaj, por ka edhe një vlerë shumë të madhe sepse zhdërvjelltësohet forma e përfaqësimit, ky duhet të jetë përfaqësimi, të zgjedhurit duhet t’u falen ju, duhet t’u përkulen ju, duhet t’ju shërbejnë ju. Dhe ky është një hap i parë shumë i rëndësishëm që ju është bërë.

Por ama, po ta marrim në realitet jashtë sloganeve, ne në këtë periudhë kemi ringritur në këmbë Partinë Demokratike sepse ishte e zhytur në një dëshpërim të thellë, kishte kaluar nga disfata në disfatë dhe në fund, në mënyrën më të padenjë ishte shndërruar dhe po shndërrohej në një shtojcë të PS-së dhe freskore të saj. Por këto arritje të pamohueshme, rithemelimi, kërkon me etje të madhe, me domosdoshmëri të madhe hapjen e PD drejt vlerave. Cilat janë vlerat? Vlerat janë njerëzit që kanë ideale, njerëzit e ndershëm që jetojnë me djersën e tyre, janë patriotë që e kuptojnë dhe e kanë të qartë se dashuria për këtë vend është kusht elementar, janë intelektualë që e dinë se vërtetë profesioni është një gjë e çmuar e jetës së tyre, por diçka tjetër është më i rëndësishëm në misionin e tyre dhe kjo diçka tjetër është mbrojtja e interesit publik. Mbrojtja e interesit publik sepse ai apo ajo ka konceptin më të plotë për të. Kështu që, në mbrojtje të interesit publik ne bashkohemi të gjithë mjekë, inxhinierë, agronomë, mësues, të gjitha profesioneve, ne në një bosht bashkohemi te kjo. Sot, më shumë se kurrë ky interes është në kërcënim. Dhe jo se dua të jap një kushtrim, por kjo është një e vërtetë absolute.

Duhet t’u them të dashur miq se në memorien time që nga 1991 e gjer sot unë nuk di një moment në të cilin interesi kombëtar, interesi i qytetarëve, i biznesmenëve, i fëmijëve, i të rinjve, të jetë përkeqësuar, rrokullisur sinkronisht në këtë mënyrë. Ju jeni intelektualë, po të merrni një shembull, kujtoni mbledhjen e Ohrit. Cilat ishin mesazhet? Mesazhet ishin katastrofë. Nga njëra anë i dilej zot atij që nuk njeh gjenocidin, ai që nuk njeh gjenocidin është kriminel për definicion i gatshëm për ta kryer atë sa herë të ketë mundësi. Sepse ai e quan gjë të mirë atë, krim të dobishëm. S’kisha dëgjuar ndonjëherë kurrë njeri që në një samit duke pasur aty si padron Vuçiçin, të thoshte se ‘të merremi tani se ke vrarë këtë e ke therë atë’, sikur të ishin njerëzit derra e jo njerëz, për një kasaphanë njerëzore. Ky është njëri moment, shumë i rëndë. Sepse ti s’mund të flasësh në këtë mënyrë as për viktimat e gjenocidit në Bosnje, as në Kosovë, por çfarë je ti që e autorizon veten të flasësh në këtë mënyrë? Ti je një fatkeqësi njerëzore, jo kombëtare, por je fatkeqësi e njerëzimit që flet në këtë mënyrë.

Vazhdojmë më tutje, thotë bujqësia ka përfituar, ky. Që ta thotë një njeri normal, s’mund ta thotë kurrë sepse statistikat tregojnë, po në atë takim, se eksportet bujqësore serbe në Shqipëri janë rritur 48% në 4 muaj dhe Serbia ka eksportuar në Shqipëri 18 miliardë, kundrejt Shqipërisë në Serbi 8 miliardë, nga të cilat 1 miliardë e ca janë plehra kimike që s’i blejnë dot fermerët shqiptarë, që kanë ngelur stoqe se nuk i blejnë dot tregtarët se kanë çmimet e shtrenjta. Si mund ta thuash këtë? A ka interes publik këtu? Ne kemi 40% të popullsisë në fshat, a i dëgjojnë këta njerëz sirenat? Ju e dini vetë se çdo të thotë për një fshatar që të therë lopën e racës, se çfarë fatkeqësie është dhe masivisht i kanë therur. Dhe ky jo që nuk qan hallin e tyre, por thotë fitoi bujqësia.

Marrim aspektin tjetër, biznesin.

Ka filluar një luftë, një betejë kundër biznesit të vogël. A ka gjë më antisociale? Përgatitet të tatojë profesionet e lira me 23%. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë largohuni nga Shqipëria, ikni. Po nëse këta ikin nga Shqipëria kush do të shërbejë këtu? Unë jam mjek, ndjej keqardhjen më të madhe për shkatërrim të vërtetë të shërbimit shëndetësor. Nuk do të doja kurrë ta thoja këtë. Por unë e shoh. Pse është shkatërruar? Sepse kanë ikur masivisht njerëzit. Dhe në mjekësi, si kudo, duhet një sasi e caktuar për të patur cilësi. Kurse këtu, sidomos nga COVID, po rrisim rrogat, po gënjejmë dhe asgjë.

Çfarë ndodh tani? Tani do që t’i tatojë këta. Nuk thotë asnjë fjalë për oligarkët, sepse ndan pasurinë me ta. Nuk e ndan dot pasurinë me një stomatolog, me një arkitekt, me një inxhinier, me një mjek, kurse me ata ndan pasuritë, ndan detin, tokat, brigjet.

Pra, a nuk janë këto kambanë alarmi për ne intelektualët? Sepse sa më shumë të heshtim, aq më keq do të ndjehemi, ne e dimë më mirë se të tjerët, se e keqja më e madhe është ajo që vjen gradualisht. Dhe këtu gradualisht çdo ditë dhe përkeqësim më të madh. Tani betejë me biznesin e vogël. Unë isha në një takim me ata, nuk kisha gjetur ndonjëherë njerëz të revoltuar si ata, sepse shihnin vdekjen e biznesit të tyre. Sot, për shkak të klimës armiqësore ndaj tyre, se ata punësojnë në Shqipëri 70-80% të krahut të punës, 60% e tyre nuk jetojnë dot 3 vjet. Po i ndihmojmë, thotë. Por çfarë ndihme? I kemi me zero taksa! Por vetëm energjia u kushton atyre sa u kushtonin taksat para disa vitesh, sepse energjinë e kishin me 7 lekë kilovatin, ua ka bërë 18 e me radhë.

U ndala në këtë analizë për të thënë se çfarë nevoje jetike kemi ne sot për prurjet e reja për të përballuar këtë situatë.

Sepse ky është një regjim i vështirë, duhet ta pranojmë. I vështirë sepse nuk njeh rregulla, i vështirë sepse ‘noton’ me para, i vështirë sepse për fat të keq ndaj qeverive që të mbahet një qëndrim duhet të tejkalojmë çdo lloj limiti.

Sot si është Shqipëria me zgjedhjen e presidentit të Republikës? Çdo pushtet i këtij vendi është në duart e një partie. Shqipëria është sot absolutisht monizëm i plotë. Si ndodhi kjo? Po kjo ndodhi para syve të të gjithë botës, nuk zbriti nga qielli. Kjo erdhi hap pas hapi dhe sot Edi Rama është padron i çdo pushteti. Por ky është regjim i kalbur sepse bazohet në parime të padrejta, bazohet në një trekëndësh politikë-krim-biznes siç do ta shprehte pardje një biznesmen. Bazohet në një proces izolimi nga qytetarët gjithnjë e më të madh. Ju e dëgjoni, në Parlament nuk flasin për qytetarin ndonjëherë, flasin vetëm se si i lumturuan, se çfarë bënë, çfarë realizuan. Jetojnë në botën e tyre, siç ka shkruar ai miku yt Luçiano që kemi qeveritaret më të shumtë, më të pasur dhe kjo është e vërtetë, ndajnë pasuritë me njëri-tjetrin. Kaq është historia. Ndaj dhe ne kemi nevojë dhe është jetike për ne hapja ndaj vlerave, ndaj njerëzve idealistë, hapja ndaj njerëzve që e kuptojnë që vendi ka nevojë jetike për kontributin e tyre. Kemi nevojë të madhe për mendjen, për pikëpamjet, për intelektin, për ekspertizën e tyre.

Pardje, unë në një takim me biznesin e vogël, ndoshta ata nuk e prisnin, por unë thash programin e PD për biznesin e vogël do ta shkruani ju. Pse? Sepse ata dinë që ta shkruajnë shumë mirë dhe e shkruajnë me ndershmëri duke e përputhur, duke respektuar interesat e tyre me interesat e vendit dhe s’mund ta shkruajnë burokratët më mirë se ata. Kemi një shkallë njohje të demokracisë, kemi një shkallë parimësie, nuk jemi më në stadin e fillimit kur njerëzit nga varfëria synonin pasurimin e pakufishëm maksimal etj, jo, jemi shoqëri më e stabilizuar sot, kështu është në të gjitha fushat.

Ndaj dhe, shembulli juaj është jashtëzakonisht shpresëdhënës sikundër duhet t’ju informoj se ne përgatitemi për betejë me këtë regjim. Pse përgatitemi për betejë me këtë regjim? Të dashur miq, nëse Partia Demokratike do kishte qëndruar si një forcë beteje, si opozitë me të gjitha detyrimet e saj, të gjitha këto që po flasim nuk do të kishin ndodhur dhe Edi Rama nuk do të ishte kurrë në pushtet në mënyrë absolute. Partia Demokratike mbajti qëndrime vetëvrasëse në vitet që shkuan. Të mos harrojmë, kemi një gjë, ju jeni të rinj dhe po anëtarësoheni sot, por ne të tjerët jemi ata që ishim 8 vite. Dhe çfarë kërkohet nga ne? Kërkohet që të mos jemi më ata që ishim 8 vite, të dalim nga apatia jonë. E kam theksuar dhe do ta theksoj, Partia Demokratike ka sot një armik shumë të fortë tek vetja e vet, duhet të dalë nga apatia. U rithemeluam, ju shprehni besim, është një gjë shumë e madhe, por vetë demokratet, drejtuesit në radhë të parë, se anëtarësia është e gatshme, duhet ta dinë që duhet të ngrihen dhe nuk mund të lënë këtë qeveri të sillet në këtë mënyrë, të caktojë borde për të rritur çmimet dhe për të justifikuar rritjen e çmimeve, bordet mbrojnë krye këput interesat e Edi Ramës dhe oligarkëve. 800 milionë është fatura që kanë paguar qytetarët shqiptarë për shkak të bordeve.

Ndaj dhe, në këtë mes nuk ka diskutim që të rinjtë duhet të jenë dhe do të jenë në ballë të kësaj përpjekje, kam shumë kënaqësi që janë, ata luajtën një rol thelbësor në rithemelimin e PD dhe unë kam besim të madh se edhe në këto beteja që vijnë ata do të kenë rolin e tyre thelbësor.

Ju falënderoj shumë për vendimin që keni marrë, është një nga vendimet më të rëndësishme të jetës tuaj!

Shumë faleminderit!

About Redaksia

Check Also

Beci ka dorëzuar dorëheqjen si Kryetar Bashkie i Shkodrës?

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka dalë i buzëqeshur nga ambientet e Prokurorisë …

Leave a Reply