Faleminderit Lavrovit për dy të vërtetat mbi “Ballkanin e Hapur”

Nga Shaban Murati

Kortezia profesionale më detyron të falenderoj ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov për dy të vërteta mbi nismën e “Ballkanit të hapur”, të cilat i pohoi publikisht në konferencën e tij të shtypit në 6 qershor 2020, dy të vërteta që Tirana, Beogradi dhe Shkupi ia fshehin publikut.

E vërteta e parë është se nisma “Ballkan i hapur” është projekt i presidentit serb Vuçiç. “Inisiator i projektit ekonomik rajonal “Ballkan i hapur” është presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç”-deklaroi Lavrovi në konferencën e shtypit.

E vërteta e dytë është se Rusia e ka mbështetur dhe e mbështet nismën e presidentit serb “Ballkan i hapur”. “Ne shprehim përkrahje për inisiativën e Beogradit “Ballkan i hapur”-deklaroi Lavrovi në konferencën e shtypit.

Janë dy të vërteta të thjeshta, që marrin rëndësinë pse ai që i pohon është ministri i jashtëm i Rusisë, protektorja kryesore e Serbisë dhe aleati i saj i vetëm strategjik.

Janë dy të vërteta, që marrin rëndësi se i pohoi Lavrovi dhe sepse krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, që i janë bashkuar projektit serb, ia fshehin opinionit të tyre.

As presidenti i Serbisë, as kryeministri i Shqipërisë dhe as kryeministri i Maqedonisë së Veriut, të cilët mblidhen në dasmën serbe të 7 qershorit në Ohër, nuk guxuan të përgënjeshtrojnë dy të vërtetat, që pohoi ministri i jashtëm rus.

Ndjehem i detyruar ta falenderoj Lavrovin, sepse kam tre vjet që u shpjegoj zyrave diplomatike dhe qeveritare në Tiranë dhe opinionit publik të vendit tim se “Ballkani i hapur” është projekt i presidentit Vuçiç për integrimin serb të Ballkanit Perëndimor.

Kam tre vjet që u shpjegoj se prapa nismës serbe qendron fuqimisht Rusia, e cila e planifikon “Ballkanin e hapur” si kundërvënie ndaj integrimit europian dhe atlantik.

“NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të Ballkanit të mbyllur”,- deklaroi Lavrovi.

Në interpretimin gjeopolitik rus integrimi euroatlantik quhet “Ballkan i mbyllur”. Tani Serbia shpiku “Ballkanin e hapur” për t’ia hapur Ballkanin Rusisë.

Pak ditë pas samitit themelues të nismës së “Ballkanit të hapur” kam botuar në 25.12 2019 në gazetën “Dita” analizën me titull “Projekti serb-një avantazh i ri gjeopolitik i Rusisë në Ballkan”. (Shih “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, fq. 185).

Për vetë projektin e presidentit serb kam tërhequr vëmendjen qysh kur ai ishte në embrion, me analizën “Jugosllavia ante portas”, botuar në 10.4.2017. (Shif “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, fq.214).

Lavrovi ishte tepër i pezmatuar që nuk e lanë të jetë në 7 qershor në Beograd dhe t’i jepte udhëzimet e duhura presidentit serb për samitin e “Ballkanit të hapur”.

Por nuk duhet të mërzitet aq shumë, sepse hija e tij do të jetë e pranishme në samit dhe do të përfaqësohet nga tre myteberët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilëve iu duket sikur kulmi i kozmopolitizmit në kohën e sotme është integrimi serb.

About Redaksia2

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply