Nga Isuf ÇELAJ
Harta e re gjygjësore ose hanxhari i drejtësisë së re i mbyll Tropojës Gjykatën! Siç e kam theksuar në fjalën time në seancën plenare të datës 14 tetor dhe me 21 nëntor të vitit të kaluar, ndjejë sërish detyrimin në emër të banorëve të Tropojës që të ngre përsëri shqetësimin e madh për shkrirjen e Gjykatës së Tropojës, çka do të sjellë një tjetër ndëshkim për banorët e Tropojës.
Në vazhdën e qendrimeve diskriminuese të kësaj qeverie ndaj banorëve të Tropojës, shumë sherbime janë transferuar në Kukës duke mos marrë parasysh distancën e largët që është mes Tropojës e Kukësit. Dihet mirë se çfarë do të thotë për një banor të varfër të Tropojës të udhëtojë 110 kilometra vajtje e po kaq në kthim, vetëm dhe vetëm për një firmë apo për një çeshtje të thjeshtë gjyqësore. Nëse do të miratohet që të ketë vetem një Gjykatë Apeli Civil në Tiranë apo një Gjykatë Administrative po në Tiranë, atëherë kalvari i vuajtjeve dhe kostoja financiare për ta është e papërballueshme.
Mos e izoloni këtë trevë që vuan kushtet më të rënda ekonomike dhe sociale!
Mos ia shtoni hallet tropojanëve të varfër e të izoluar nga mungesa e vëmendjes së shtetit dhe e pushtetit gjygjësor!
Mos e vrisni shpresën për drejtësi të këtyre qytetarëve duke bërë eksperimente të cilat janë të dështuara akoma pa filluar!
Tropoja dhe shqipëtarët duan drejtësi dhe jo ndëshkim me mungesë të drejtësisë dhe institucionit të saj!