Selahudin Blloshmi, kapiteni që shpëtoi Korçën nga aneksimi i Greqisë


Nga Avni ALCANI 

KUSH ISHTE SELAHUDIN BLLOSHMI

Selahudin Blloshmi ishte i djali i patriotit të njohur Hajdar Blloshmi (1860-1936). Hajdari kishte qenë profesor i gjuhës frënge në Robert College të Stambollit, por për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, ai dëbohet nga Stambolli dhe kthehet në Shqipëri, ku punoi si mësues i frëngjishtes në disa qytete, si në Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1909, me hapjen e Normales së Elbasanit, ishte mësuesi i parë i saj, së bashku me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin, Ibrahim Dalliun etj.

Në nëtor të vitit 1912, përfaqësuesit e fshatrave të Kazasë së Starovës (Pogradec), Bërzeshtës, Qukësit etj. i dërguan një telegram H. Blloshmit, të cilët e njoftonin se e kishin zgjedhur si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Vlorës, që do të shpallte Shqipërinë shtet të pavarur (L. Nosi: Dokumente historike (1912-1918), 2007, faqe 79). Por Hajdar Blloshmi nuk arriti në datën e 28 nëntorit, për shkak se ushtria serbe kishte pushtuar gati të gjitha qytetet e Shqipërisë së Mesme, përfshirë Durrësin, duke bërë që bërzeshtanaku ta humbiste shansin historik, për të qenë edhe ai firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë. Në datën 2 dhjetor 1912 mbërrin në Vlorë për t‘i vazhduar punimet e Kuvendit të Madh deri në fund të tij. Ishte deputet në Parlamentin e parë shqiptar, që nga viti 1922 e deri sa vdiq në vitin 1936.

Selahudini lindi më 21 mars 1892 në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit. Shkollën elementare dhe atë të mesme ushtarake (Shkolla e kadetëve) i kreu në vitin 1911 në Stamboll. Në vitin 1915 botoi në Sofie një libër me vjersha patriotike, të titulluar “Zan’ i Fronit, Mbretit e Shqiptarëve” (Sofie 1915), kushtuar Princ Vidit (A. Bishqemi: Gazeta “Elbasani”, prill 1999). Gjatë Luftës së Parë Botërore shërbeu si kapiten në ushtrinë franko-shqiptare të Republikës së Korçës. Në nëntor të vitit 1917 caktohet delegat i Komisionit për të negociuar me palën ushtarake greke për përcaktimin e kufinjve shtetëror midis dy shteteve (B. Blloshmi: Gazeta “Telegraf”, 16 shtator 2006).

Në vitin 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si delegat i Korçës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare dhe intergritetin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë (M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 datë 17 dhjetor 1929; S. Vllamasi: Vepër e cituar, faqe 117). Në vitin 1921 dërgohet për dy vjet në Francë për të vijuar studimet e larta ushtarake në Akademinë Ushtarake Franceze të Sent Sirit në Paris (B. Blloshmi: Gazeta “Telegraf”, 16 shtator 2006). Shërbeu në Oborrin Mbretit Zogu I, me gradën Nënkolonel.

Ka qenë deputet i prefekturës së Elbasanit në Parlamentin shqiptar deri në vitin 1926. U martua me Sarën, mbesën e Ismail Qemalit, një ikonë e bukurisë shqiptare dhe një nga femrat më të emancipuara të kohës. Gjatë viteve 1926-1928 Selahudini shërbeu si ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Bukuresht të Rumanisë. Në pranverë të vitit 1928 rikthehet në atdhe dhe emërohet prefekt i Tiranës. Vdes në vitin 1929 nga një atak në zemër. Selahudin Blloshmi është dekoruar nga presidenti francez me urdhërin “Kalorës i Legjionit të Nderit”.

Para Luftës II Botërore figura e Selahudin Blloshmit ishte vlerësuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Gjatë luftës vëllezërit e tij ishin rrjeshtuar me forcat nacionaliste. Vëllai i Selahudinit, Haki Blloshmi, ishte komandanti i çetës nacionaliste të Ballit Kombëtar, që ishte kundërshtare politike e PKSh-së. Dy vëllezërit Blloshmi, Hakiu dhe Shefqeti, u kapën nga partizanët e brigadës së parë dhe u pushkatuan. E gjithë familja e Hajdar Blloshmit u persekutuan nga regjimi komunist. Figura e Selahudinit u njollos me shpifje dhe fyerje nga më të përçudnuarat. Edhe pas rënies së komunizmit, Selahudin Bloshmi më tepër përmendej si bashkëshorti i Sara Blloshmit se sa si një figurë e rëndësishme me kontribute të jashtëzakonshme në çështen kombëtare, siç ishte mbrojtja territoriale e Shqipërisë dhe shpëtimi i qytetit të Korçës nga aneksimi i Greqisë.

Selahudin Hajdar Blloshmi meriton t’i ngrihet një monumentë në qendër të qytetit të Korçës, ashtu siç u ngrit monumenti i presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) në një nga qendrat e qytetit të Tiranës.

VEPRIMTARIA E SELAHUDIN BLLOSHMIT NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Në përfundim të Luftës I Botërore, ushtritë aleate kishin vendosur trupat e tyre gati në të gjithë Shqipërinë. Kështu, Vlora me gjithë bregdetin e saj, Tepelena, Girokastra etj., ishin të pushtuara nga Italia. Në vjeshtën e vitit 1916, Italianët kishin tentuar të pushtonin edhe Korçën, por u kundërshtuan nga Serbia dhe Greqia, që kërkonte aneksimin e Korçës nga ana e saj. Pas shumë bisedimesh u vendos që Korça me rrethet të pushtohej nga trupat franceze, të cilat konsideroheshin si të painteresuara në çështjet territoriale në Shqipëri.

Pas vendosjes së tyre, trupat ushtarake franceze lejuan krijimin e një krahine autonome rajonale, e quajtur “Krahina autonome e Korçës”, e cila ishte e drejtuar nga një Këshill prej 14 anëtarësh, gjysma ishin të krishterë dhe gjysma ishin myslimanë. Ruajtjen e rendit ia besuan një xhandarmërie shqiptare, nën komandën e patariotit të njohur Themistokli Gërmenji. Krahina autonome e Korçës shtypi monedhat e saj, pullat postës (ku ajo emërtohej si “Republikë”) etj. Gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare, kurse flamur i krahinës autonome do ishte flamuri me shqiponjë dykrenore dhe me shiritat trengjyrësh të flamurit francez.

Gjatë Luftës së Parë (tetor i vitit 1916) kryeministri grek Venizellos kishte tentuar t’i fuste trupat e ushtrisë së tij në qytetin e Korçës, e cila ende mbahej e pushtuar nga ushtria franceze, por gjenerali Serrail e kishte penguar ushtarinë greke, duke urdhëruar largimin e tyre nga Korça. Me kalimin e kohës, veçanërisht pas mbarimit të Luftës I Botërore, synimet greke për aneksimin e Korçës sa vinte dhe më shumë po mbizotëronin politikën e saj. Ky pikësynim i vazhdueshëm i tyre po ndikonte edhe në një qëndrimi pro-grek të diplomacisë franceze. “Në Konferencën e Paqes, – shkruan P. Xhufi, – Ministri i Jashtëm i Francës, S. Pichon u mundua të kënaqë ambicjet greke duke sajuar argumente strategjike të paqëndrueshëm.

Ai e pranonte se në pikëpamje historike, etnike e gjuhësore Korça ishte padyshim shqiptare. Por në kushtet e një protektorati të Italisë mbi Shqipërinë, interesi e donte që ky qytet dhe rrethinat e tij të bashkoheshin me Greqinë” (P. Xhufi: Gazeta “Dita”, 20 gusht, 2020). Diplomacia franceze nuk e miratonte regjimin e vendosur në Korçë, në të cilën ushtria franceze bashkëqeveriste me shqiptarët. “Në 14 qershor 1919, – shkruan Xhufi, – ministri Pichon i ankohej Kryeministrit e Ministrit të Luftës për sjelljen e autoriteteve ushtarake franceze të pushtimit në Korçë, ku, sipas tij, këto “bëjnë çmos për të theksuar karakterin shqiptar të kësaj krahine dhe tregohen armiqësor ndaj Grekëve… ne nuk kemi asnjë interes ta shohim Korçën të bëhet italiane nën një etiketë shqiptare, prandaj nuk duhet ta përkrahim shqiptarizimin e kësaj krahine” (Xhufi, po aty).

Më 7 korrik 1919, gjenerali de Bourgon, komandant i trupave franceze të Maqedonisë, raportonte se duhet ndryshuar gjendja në favor të grekëve, se duhet të ushtrohet një presion i fortë në favor të Greqisë, se duhen lejuar vetëm shkolla greke dhe ndaluar mësimin e shqipes, duhet zhdukur çdo simbol shqiptar (siç ishte vepruar në mars me ndalimin e flamurit shqiptar) dhe shpërndarë xhendarmaria shqiptare, duke e zvendësuar atë me xhendarmerinë greke. Më 24 korrik, – shkruan Xhufi, – “Ministri i Jashtëm i Athinës, Politi, i kërkonte homologut të tij francez, që në Korçë të vendosej “regjimi që ekzistonte aty para ardhjes së ushtrisë franceze”, pra të vendoseshin trupat pushtuese greke, e për të realizuar këtë propozonte si fazë fillestare transferimin e atyre oficerëve francezë “përgjegjës” për favorizimin e nacionalizmit shqiptar. Kërkesa greke gjeti mbështetjen e qeverisë franceze, dhe në 10 gusht, Ministria franceze e Luftës njoftonte Komandantin de Bourgon, se brenda 15 ditësh krahina e Korçës duhej t’i dorëzohej autoriteteve greke. Lajmi duhet të mbahej “në sekretin më asolut” (tenir la nouvelle absolument secrète), për të mos trazuar popullsinë e kazasë dhe për të mos shkaktuar reagimin e saj. (Xhufi, po aty).

Trupat franceze urdhëruan që të sulmonin dhe shkatërronin çetat e komitëve shqiptarë, të cilat do të përpiqeshin t’i kundërviheshin ose të pengonin kalimit e qytetit të Korçës në duart grekëve. Ata arrestuan dhe vranë patriotin Th. Gërmenji, duke e akuzuar për tradhëti, por në fakt ata kishin frikë se ai do të kundërshtonte futjen e trupave greke në Korçë. Francezët udhëzonin trupat greke se duhet të kishin kujdes kur të futeshin në Korçë, të hynin pa triumfalizëm, pa manifestime dhe pa shprehje gëzimi, pasi çdo përplasje e tyre me shqiptarët, do ta komplikonte zhvillimin me sukses të operacionit të tyre.

Më 26 prill 1920 në qytetin e Korçë ishte përhapur lajmi se në qytetin e Follorinës ushtria grekepo përgatitej që të pushtonte Korçës pas largimit të francezëve. Ky lajm kishte alarmuar qytetarët korçarë të cilët ishin grumbulluar me mijëra vetë të armatosur për të mbrojtur qytetin e tyre. Për të parandaluar pushtimin e Korçës u ngrit një komision i përbërë nga Jorgi Thashi, Nikolla Zoi, Pandeli Cale, Qani Dishnica dhe kapiten Seahudin Blloshmi, i cili shmangu për momentin rrezikun e pushtimit (E. Vlora “Kujtime 1883-1925”, Tiranë 2005, faqe 456-458). Fatmirësisht, ky kompllot i grekëve, për t’ia kaluar qytetin e Korçës Greqisë, dështoi ende pa u shpallur aneksimi.

ÇFARË KISHTE NDODHUR

Si ndryshuan ngjarjet dhe kush urdhëroi ndalimin e udhtrisë greke të futej në Korçë? Gjatë zhvillimeve të punimeve të Konferencës së Paqes në Parisi, shkruan në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi: “Venizeloja, që ishte një nga dipllomatët më të shquar të Greqisë, kishte mundur të merrte, fshehurazi Willsonit, përlqimin e Klemansoit dhe të Llojd Xhorxhit që të okuponte Konçën…

Delegacioni shqiptar as që dinte gjë fare se ç’nodhte në Korçë. Rastësisht, një telegram i nëndrejtorit të policisë së Korçës Oliver, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, e zgjoi delegacionin shqiptar nga gjumi. Oliveti i telegrafonte se kishin marrë urdhër për të ikur nga Korça dhe për të bërë me këtë rast dorëzimin e qytetit grekëve” (S. Vllamasi: Ballafaqime politike në Shqipëri, botim i dytë, Tiranë 2000, faqe 208-209).

SI RA NË DORË TË SELAHUDIN BLLOSHMIT KY TELEGRAM

Protagonist i ngjarjes u bë një oficer i ri shqiptar me gradën e kapitenit, i quajtur Selaudin Blloshmi nga fshati Bërzeshtë i Librazhdit, i cili ishte antar i delegacionit shqiptar dhe njëkohësisht komandant i ushtrisë shqiptare të Korçës. “Ky telegramt, – shkruan S. Vllamasi, – drejtohej për në Klubin Ushtarak, në të cilin vinte shpesh Selahudin Blloshmi dhe telegrami rastësisht bie në dorë të tij, i cili i alarmuar lajmëron Pandeli Evangjelin dhe shokët e tij.

Këta pa humbur kohë kërkojnë një audiencë te presidenti Willson, e vënë atë në dijeni të çështjes dhe i luten që të ndalonte okupimin grek të Korçës”. Willsoni, i cili as që dinte gjë nga intrigat e kolegëve të tij, demarshoi energjikisht dhe i detyroi të dy shokët e tij të urdhëronin Venizelon që të hiqte dorë nga kjo aventurë (Vllamasi, faqe 209).  Më 20 maj 1920 u bë largimi i ushtrisë franceze dhe që nga kjo datë, shkruan Vllamasi, “bashkimi i i Korçës me Tiranën mori formën zyrtare të prerë” (Vllamasi, faqe 209).

Kjo fitore e rëndësishme e shqiptarëve i detikohej kapitenit Selahudin Blloshmi. “Ishte një nga kohët më kritike për Korçën, – do të shkruante patrioti Mihal Grameno. – Me të ikur ushtëria Franceze, Korça u bashkua me Tiranën edhe qetësia e plotë mbretëroi nën mprojtjen e trimit Selahudin”., (M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 (941), datë 17 dhjetor 1929).

***

Sara Blloshmi dhe miti pas një gruaje: Jeta e mbesës së Ismail Qemalit, gruas më të bukur në Shqipëri... - Telegrafi
Sara Blloshmi


Hajdar Blloshmi (ulur djathtas) bashkë me Aleksandër Xhuvanin (majtas) dhe Simon Shuteriqin (në këmbë)

 

 

 

About Redaksia

Check Also

Kërcënimi mafioz i Ramës për Ahmetajn: Po fole…

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj do të flasë sërish nga arratia. Gazetari Çim Peka ka publikuar disa …

Leave a Reply