HIGHLIGHTS/ Pikat kyçe në Tryezën e Berishës me avokatët

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha organizoi sot pasdite një tryezë diskutimi me avokatët për të biseduar mbi problematikat e sistemit të drejtësisë dhe hartën e re gjyqësore.

Këto janë disa prej pikave dhe ideve kyçe që dolën në bisedimin që zgjati rreth dy orë dhe u përqendrua te ajo që, nga shumë pjesëmarrës, u quajt ‘dështim i reformës në drejtësi’, dhe te harta e re gjyqësore që, sipas të pranishmëve, i heq qytetarit aksesin te institucionet për të cilat paguan taksat.

Sali Berisha
■ “Harta e re gjyqësore është në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese, ligjin për organizimin e drejtësisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kapaku që i vihet arkivolit në të cilin e mbylli reforma e drejtësisë, sistemin e drejtësisë në Shqipëri”.

■ Mbi 80% e të gjitha çështjeve që janë në Gjykatën e Lartë, mes biznesit dhe shtetit i fiton shteti, me kryegjykatës Sokol Sadushin. Së dyti, të gjitha çështjet me shtetin, administrative, i shqyrton kolegji administrativ që kryesohet po nga Sadushi. Së treti, të gjitha çështjet e doganave, të tatimeve, të naftës, kanë kryer të trupit gjykues po Sadushin e partisë. Së katërti, 95% e çështjeve të Kolegjit Administrativ bëhen në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve dhe vetëm 5% bëhen me praninë e palëve”.

■ “Harta e drejtësisë ka një synim tjetër. Është pjesë integrale e platformës së spastrimit etnik të këtij vendi. Në doktrinat e shpopullimit dhe spastrimit etnik nuk është e para ekzekutimi masiv, jo, janë mërzitja masive, intimidimi masiv, shkatërrimi i shërbimeve. Këto janë parimet e para mbi të cilat bazohet doktrina e Çubrilloviç dhe çubrilloviçëve kudo që janë ndaj popullatave civile.”

Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë
■ “Drejtësia jonë është një sajesë me frymë bolshevike, fytyrë kineze dhe që flet anglisht. Reforma në drejtësi ka dështuar.”

Adriana Kalaja, Kryetarja e Komisionit të Apelimit – PD
■ “Janë mbi 100 mijë dosje stok që nuk dihet kur do shqyrtohen. Gjykata e Apelit Tiranë po shqyrton ende dosjet e vitit 2017 ndërsa shtoi se me hartën e re gjyqësore do të kemi zgjatje pafund të proceseve gjyqësore”.

Genc Gjokutaj, avokat
■ Greva duhet ndërprerë vetëm nëse pranohen kërkesat, minimumi të caktohet një datë, për të diskutuar, duhet kushtëzuar ndërprerja e grevës.

Lorval Petani, Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës
■ “Durrësit i shkrihen tre gjykata, Gjykata e Shkallës së Parë Kavajë, Gjykata e Shkallës së Parë Administrative dhe Gjykata e Apelit Durrës. Qyteti i Durrësit po zbrazet nga institucionet. Po i largohen gjykatat, kur qytetin e fuqizojmë nga zhvillimet, e zhveshim nga institucionet, pakësohen shërbimet. Kundërshtojmë këtë hartë, do sjellë shumë pasoja. I heq të drejtën qytetarit të ketë akses në drejtësi”.

About Redaksia

Check Also

Rama pritet me protesta nga shqiptarët edhe në Frankfurt

Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta nga shqiptarët në Frankfurt të Gjermanisë, ku qytetarë …

Leave a Reply