Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka reaguar pas lajmeve të fundit mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit.
Ministria bën të ditur se nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm.
‘Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:
Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat.
Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.
Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të ‘Parkut Natyror’ me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut’, mbyllet reagimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.