Sot debati kryesor në Kuvend ishte interpelanca e kërkuar nga deputeti i PD-së, Agron Shehaj për statusin e investitorit strategjik që përfitoi nga qeveria Artan Gaçi, burri i ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Shehaj u shpreh se nëse kjo do të ndodhte në një vend tjetër, përfundimi do të ishte ndryshe, ndërsa në Shqipëri, shtoi ai, ministrat futen në politikë me xhepat bosh dhe dalin me hotele me 5 yje.
“Zonja ministre unë korrupsionin e kam shumë përzemërt, sepse jam i bindur sepse moshatarët e tu sapo bëhen me fëmijë ikin, sepse ministrat sapo bëhen ministra si ju, nuk kanë asgjë dhe pastaj bëhen me resorte me 5 yje. Ju imagjinoni sikur në Itali apo Francë, qeveria t’i kalonte pronën publike një prej anëtarëve të kabinetit.
Ky është fakt, meqë unë qenkam injorant, ju thoni broçkulla. Cështja është nëse si thoni ju thjeshtë, këtë e përcakton kushtetuta, ka një nen për të ndaluar që ju të fusni duart në pronat publike. Ju keni pafytyrësinë të vini dhe të thoni çojeni në kushtetutë dhe SPAK, vini këtu dhe thoni do të investojë miliona, ku i gjetët milionat?” e pyeti ai.
Olta Xhaçka e akuzoi Shehajn se po hedh baltë mbi burrin e saj, që po sipas saj ka 30 vite biznesmen dhe theksoi se nuk ka përfituar asnjë favor nga shteti, veç faktit të vendosjes së shezlongëve. “Nuk ka turp më të madh sesa të vish këtu në padijen tënde, të hysh në këtë parlament duke paguar për mandatin e deputetit dhe ta blesh tekstin duke shtrembëruar çështjen.
Ju ftoj ta çoni çështjen në Kushtetuese, por paraprakisht të informoheni mbi vendimet e Kushtetueses dhe mos vini këtu të mos linçoni njerëz, rruga e tim shoqi ka qenë biznesi, sot dhe 30 vite dhe të vish ti dhe të hedhësh baltë mbi ëndrrat dhe aspiratat në punën dhe biznesin e vet. Ju më akuzoni mua pse burri im në pronën e tij dhe vetëm me sigurinë për të vendosur shezlongët në breg të detit” tha ajo.