Deklarata skandaloze që Gjici fshiu nga faqja e tij

Atë që institucionet shëndetësore u përpoqën të mos e thoshin qartësisht në lidhje me helmimin e dhjetëra banorëve të qytetit të Kukësit gjatë së dielës, e tha me zë dhe figurë kryetari i Bashkisë së qytetit, Safet Gjici.

Ndërsa përpiqej të theksonte se helmimi masiv nuk kishte ardhur nga uji i pijshëm, kryebashkiaku bëri edhe një skandal, duke theksuar se kishte pasur një përzierje të ujit të pijshëm me atë të vaditjes.

Videon e hodhi në profilin e tij në “Facebook”, për ta fshirë më vonë, ndërsa momenti u bë viral në rrjetet sociale, duke u shpërndarë gjerësisht. Kryetari i Bashkisë tha se problemi kishte ndodhur në lagjen “Muja” të qytetit.

“Për lagjen ‘Muja’ të cilën flisni ju, nuk është e vërtetë që ka problem me ujin e pijshëm, aty ka një problem që është përzier uji i pijshëm me ujin vaditës, duke ndërhyrë një nga banorët, që Policia po heton atë rast. Po s’ka lidhje fare, uji është i pijshëm vetëm se është përzier me ujin vaditës. Na rezulton se uji i pijshëm është totalisht brenda normave dhe analizave. Drejtoria e Ujësjellësit është në krye të detyrës”, thotë Gjici.

Mjeku roje i Urgjencës së Spitalit, Albert Shehu, deklaroi se nga mëngjesi i së dielës mbi 120 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në urgjencë, ndërsa shumica e tyre kanë pasur të vjella dhe diarre. Mjeku Shehu tha se nuk përjashtohet mundësia që pacientët të kenë pësuar helmime nga uji i pijshëm.

“Ky fenomen mund të lidhet me një gjendje virale ose intoksikacion që mund të jetë nga uji. Ka një fluks të shtuar”, tha Shehu.

Megjithëse në rastin e helmimeve masive analizave bëhen nga Instituti i Shëndetit Publik, për rastin e Kukësit ka nisur hetimet edhe Policia. Me anë të një deklarate në orët e mbrëmjes së shkuar, Policia tha se kishte nisur hetimet pas pamjeve në rrjetet sociale se në rubinetet e fshatit Shtiqën dilte ujë i ndotur. Ende nuk dihet nëse ka pasur ndonjë ndërhyrje të qëllimshme në rrjetin e tubacioneve.

About Redaksia

Check Also

Zgjedhjet në Himarë, KQZ regjistron PD me kryetar Sali Berishën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar partitë për garën e pjesshme elektorale të 4 gushtit …

Leave a Reply