Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka u shpreh sot se do i bashkohet protestës së 7 korrikut të thirrur nga Sali Berisha.
“Po, ne do marrim pjesë si PAA. Nuk kemi asnjë lloj rakordimi me zotin Berisha apo organizatorët e protestës, por mendojmë që për çështjet të cilat bëhet protesta për çmimet e etj.
Por sidomos për problemet që ka bujqësia sot mendoj që PAA duhet të jetë prezent në protestë dhe për të dhënë një mesazh për gjendjen e bujqësisë sidomos për heqjen e TVSH për inputet bujqësore etj”, tha Duka.
Po ashtu në protestë do të jetë edhe aleati tjetër Nard Ndoka, por nuk dihet ende vendimi i të tjerëve.
Postimi i Agron Dukës
PAA, në datën 7 Korrik do të jetë në protestë!
Ne do të jemi për të protestuar kundër krizës ekonomike që ka shkaktuar rritja zinxhir e çmimeve!
Për dallimin e madh social, ku të varfërit bëhen edhe më të shumë, edhe më të varfër, e të pasurit bëhen më të pasur!
Për fshatarët që punojnë në diell e në shi dhe nuk e konvertojnë dot punën dhe djersën në para!
Për të rinjtë, që nga viti në vit zhgënjehen gjithnjë e më shumë nga një sistem arsimor që bëhet më i bukur nga jashtë, por më i kalbur nga brenda!
Për mijëra njerëz që çdo vit detyrohen ta lënë vendin e tyre, sepse binden se nuk kanë të ardhme këtu!
Do të protestojmë kundër korrupsionit, që rritet pa u ndalur!
Kundër oligarkisë që ka zaptuar ekonominë e vendit!
Kundër një mazhorance që e ka vënë institucionin e ligjvënies në shërbim të oligarkisë!
Kundër politikës së inkriminuar që është bërë një me bandat!
Kundër shtetit të korruptuar që është vënë në shërbim të qeverisë dhe mazhornacës së inkriminuar!
Nuk do të jemi atje për ta ndarë përcelat e politikës, të opozitës apo të pushtetit të nesërm!
Jo, do të jemi në protestë sepse e ndjejmë që ky vend ka nevojë ulëritëse për ndryshim
Ndaj eja edhe ti, kushdoqofsh!