Rritja e çmimeve pritet të vijojë për një kohë të gjatë parashikon Banka e Shqipërisë, ndikuar nga kriza globale. Në konferencën e përmuajshme, guvernatori Gent Sejko u ndal edhe në çështjen e amnistisë fiskale, sipas të cilit, ky proces duhet të realizohet vetëm një herë, me rregulla të qarta sipas udhëzimeve ndërkombëtare.Hera e parë që kur amnistia është propozuar në vendin tonë daton në vitin 1999.
Banka e Shqipërisë ripërsërit faktin që rritja e çmimeve do të vijojë të jetë prezent në vendin tonë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Për këtë arsye njësoj si bankat e tjera qendrore në rajon dhe Europë, Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e normave të interesit.
Nën gjykimin e Bankës Qendrore amnistia fiskale e propozuar nga Edi Rama ka aspekte pozitive për formalizimin e ekonomisë, por duhet realizuar vetëm një herë si proces dhe sipas udhëzimeve të ndërkombëtarëve.
Amnistia fiskale është hedhur për diskutim në vendin tonë që prej vitit 1999 dhe shpesh është përsëritur ndër vite deri në vitin 2015, kur u zbatua falja fiskale.
Këtë vit, qeveria kërkon që nëpërmjet amnistisë fiskalizimin e pasurisë së emigrantëve me vlerë deri në 2 milion euro.