Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi nga protesta para kryeministrisë se mijëra qytetarë janë ngritur për të shpëtuar Shqipërinë kundër pushtimit të Edi Ramës. Kreu i selisë blu deklaroi se mijëra qytetarë kanë ardhur nga SHBA dhe Europa për t’iu bashkuar protestës së Tiranës.
Berisha tha para protestuesve se Ramën e ka armik dhe zemra fjalë tjetër nuk i nxjerr ndërsa shtoi se i ka orët e numëruara. Ndër të tjera Berisha tha se Rama i ka grabitur votën qytetarëve dhe me votë të vjedhur po qëndron në pushtet.
“Keni ardhur nga mijëra kilometra larg, nga SHBA, Europa, për tu bashkuar me frontin e shpëtimit të Shqipërisë. Zoti ju bekoftë.
Mirënjohje për djemtë dhe vajzat, gratë e burrat që lanë gjithçka dhe u bashkuan në protestë, duke u bërë burim drite, dielli, shprese për mbarë shqiptarët.
Sonte më shumë se kurrë, mendjet, zemrat e sytë e mbarë shqiptarëve janë drejtuar tek ju. Erdhën nga të katër anët në bulevard sepse ju thirri ora e lirisë, ju thirri ora e Shqipërisë.
Pushtimi ju ngriti në këmbë, për të shpëtuar vendin. Ka vendosur monizmin plotë, ai ia mbathi, koha e tij është e numëruar.
Edi Rama, ne të dy jemi armiq, është e rëndë ta them këtë por zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr. Ti do vetëm pushtetin kurse unë me këta bura, gra, djem e vajza kemi parim lirinë dhe vetëm lirinë.
Ne jemi armiq Edi Rama sepse ti pushtetin e do për të pasuruar veten duke varfëruar e poshtëruar qytetarët ndërsa unë dhe këta protestues këtu, lirinë e duan për të bërë të lirë shqiptarët, për t’iu kthyer atyre dinjitetin”, deklaroi Berisha.