Amnistia fiskale, qëndisja më e fundit e sektit Rama

Nga Bujar LESKAJ

Modeli i amnistisë i dalë për diskutim publik në fund të qershorit 2022, i ngjan vetëm ligjeve të qepura me porosi të sektit Rama, të denoncuara nga organizata prestigjoze Transparency International. Ai është i pangjashëm me asnjë model të mëparshëm të aplikuar në vendet e rajonit apo në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, nuk përbën një rrugë të gjenerimit të fondeve të ekonomisë gri dhe të paformalizuar të vendit, por ndihmon pasurinë e vënë nga korrupsioni dhe paranë kriminale. Kjo nuk është rruga e progresit ekonomik të vendit, as e kapërcimit të gjendjes së vështirë nga rritja e çmimeve dhe lufta në Ukrainë. Çdo ide apo projekt, i cili kërkon legalizimin e pasurisë dhe parasë, pa përjashtuar qartë dhe me forcë pasurinë dhe paranë kriminale, përbën një hap të rëndë prapa në zhvillimin normal të shoqërisë dhe ekonomisë sonë.

Lind pyetja, përse qeveria vendos një tavan 2 milionë euro për t’u amnistuar? Cilat para dhe kapitale ka parasysh brenda këtij tavani? Asnjë qytetar shqiptar që ka punuar në mënyrë të ndershme, në emigracion ose brenda vendit, nuk mund të gjenerojë kaq shumë të ardhura. Kush është ai biznes i rregullt ose që punon pjesërisht në ekonominë gri, i aftë të grumbullojë deri në 2 milionë euro, duke i mbajtur të fshehura këto para apo kapitale? Këto janë para të ekonomisë kriminale, që tentojnë të futen në kanalet bankare, nëpërmjet ligjit më të diskutueshëm mbi faljen masive fiskale në historinë e vendit tonë. Nisma e sotme e amnistisë fiskale do të ketë një përdorim tjetër fundor: pastrimin e parave të korrupsionit në nivelet e larta të politikës shqiptare, dhe jo legalizimin e parave të emigrantëve, të cilët përdoren nga kjo qeveri si fasadë.

Si Bashkimi Evropian, ashtu dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dalë kundër kësaj nisme. Më 19 maj 2022, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllese të misionit të tij në Shqipëri, cilësoi se “Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme tatimore, duke pasur parasysh shqetësimet për ndikimin e saj në pajtueshmërinë me detyrimet tatimore, si dhe rreziqet e pastrimit të parave dhe të qeverisjes”, ndërsa më 4 korrik 2022, në deklaratën në takimin e 13-të të Nënkomitetit për Tregtinë, Industrinë, Doganat dhe Tatimet midis BE-së dhe Shqipërisë, Komisioni Evropian shprehu “…shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnistinë fiskale. Kjo amnisti do të dobësojë kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave”.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …

Leave a Reply