Një gur shtesë në qafën e “fatlumëve”?!

Nga Iva V.GRILLO

Mesa duket, zonja Karen nuk është e vetmja që mendon se shqiptarët duhet të falenderojnë Zotin për prezencën e ambasadores Kim në Shqipëri.

Për kujtesë, para disa muajsh, eprorja e zonjës Kim u “rikujtoi” shqiptarëve që më mirë se Ambasadorja që u ofroi bar nuk mund të gjenin dhe ndoshta as nuk meritonin…

Duket se i të njëjtit mendim është edhe një perfaqësues i diasporës shqiptare, emrin e të cilit nuk po e përmend sepse na duhet të merremi më shumë me fenomenin…paçka se gjithkush duhet edhe t’i dalë për zot asaj çfarë nxjerr nga goja.

Diasporaku që jeton shtatë dete e shtatë male larg nga vendlindja, si shumë nga ne, pasi shpreh kenaqësinë personale të takimit me ambasadoren e shumëpërfolur (një kënaqësi që nuk mund ta gjykojmë sepse ajo varet kryekëput nga shijet e vlerat personale të gjithkujt), vendos që nga filifistuni ta përgjithësojë kënaqësinë e tij e tu kujtojë shqiptarëve në vendlindje edhe njëherë fatin e madh që u ka trokitur në derë me ambasadoren në fjalë.

Por zotëria harron të na thotë se ndërhyrje “diplomatike” si të zonjës, që çimentojnë regjime të korruptuara, nuk pranohen si normale apo miqësore kurrë në vendin ku jeton zotëria… përkundrazi, janë të padëgjuara dhe të papranueshme nga ana ligjore, etike e shoqërore, si nga intelektualet e lirë ashtu edhe nga çdo qytetar i thjeshtë me integritet.

Zonja Karen mund të ketë të gjitha arsyet profesionale që të mbrojë në publik vartësen e vet, por pyetja të cilës nuk mund ti shpëtojmë është:

Çfarë halli të madh ka një diasporak që përdor zërin e vet publik për ti pastruar fytyrën një titullari që në fakt ia ka nxirë fytyrën vetes dhe cënuar reputacionin vendit që përfaqëson? Mendon se është ok që shqiptarët të trajtohen si qënie pa vlerë në shtëpinë e tyre?

Kushdo që mendon se shqiptarët nuk meritojnë më shumë se kaq, bën mirë të kujtohet se bashkombasit tanë mbajnë shumë sfida në kurriz në luftën e tyre për tu trajtuar me më shumë dinjitet… nga çdokush… dhe nuk kanë nevojë që ne që jetojmë larg tu varim edhe ndonjë gur tjetër në qafë.

Ne që jetojmë larg, në qoftë se nuk bëjmë dot dicka për tu dhënë zemër e lehtësuar barrën njerëzve tanë në atdhe, bëjmë mirë të heshtim e të mbajmë gjuhën.

Dhe në fund diçka për këtë “modën” e re që në fakt tregon një arrogancë të skajshme: bllokimin e mundësisë së komenteve të publikut në një status që i drejtohet publikut, madje duke i përcaktuar edhe sa fatlum është. Mesa duket disa mendojnë se hedhja e “kumteve” apo e opinionit të tyre në rrjet është një shërbim i madh për shoqërinë…ndërsa ajo që mendojnë “fatlumët” nuk ia vlen të dëgjohet.

Kushdo që hedh diçka në rrjet, bën mirë t’i dalë për zot atyre që shkruan. Dhe kjo nënkupton së pari të dëgjuarit e mendimeve të njerëzve të cilëve u drejtohet ky status, mirë a keq, trashë a hollë, ashtu siç janë komentet.

Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse prodhojmë monologje që nuk i shërbejnë askujt, përveçse axhendave e gratifikimeve personale… të cilat, në shumicën e rasteve, përkthehen veçse si një gur shtesë varur në qafën e brishtë të bashkombësave tanë në atdhe.

#enoughisenough

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i teksti

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti që thotë "change.org Petition details Comments Updates Enough is Enouah! Ambasador Kim- Enough is Enough"

 

About Redaksia

Check Also

Fjalimi që kryeministri i Kosovës NUK duhet ta mbajë në Tiranë më 2025

Nga Veton SURROI Do të ketë me gjasë mbledhje mes parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në …

Leave a Reply