Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi ndërprerjen e procedurës së përfundimit të statusit për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Artan Gjermeni, pasi ky i fundit u tërhoq nga kërkesa për dorëheqje e bërë më herët.
Nga Vladimir Karaj-BIRN
Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi të premten se kishte ndërprerë procedurën e përfundimit të statusit për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Artan Gjermeni, pasi ky i fundit u tërhoq nga kërkesa për dorëheqje e bërë më herët.
‘Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së mbarimit të statusit ndaj magjistratit {…}, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor {…}, për shkak të tërheqjes nga kërkesa për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit’, thuhet në njoftimin e KLGJ-së.
Dorëheqja është një masë e parashikuar në reformën e vitit 2016, që u mundëson magjistratëve largimin nga sistemi pa iu nënshtruar procesit të vetingut, por me masë përjashtimi prej 15 vjetësh nga sistemi. Mbi 86 magjistratë kanë dhënë dorëheqjen që prej fillimit të procesit të vetingut.
Gjyqtari Gjermeni, me një karrierë të gjatë në drejtësi është një ndër magjistratët më të përfolur në vend, kryesisht përshkak të akuzave të ngritura ndaj tij në vite prej ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar si anëtar të bandës së Aldo Bares.
Në atë kohë Ministria e Drejtësisë kërkoi shkarkimin e Gjermenit nga detyra e gjyqtarit, por tentativa dështoi pas votës kundër të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në të cilin Gjermeni ishte anëtar.
Gjyqtari u bë objekt i medias edhe pasi u raportua i plagosur në vitin 2018 dhe për një sërë vendimesh kontradiktore. Së fundmi ai u sulmua nga opozita sërish për shkak të vendimit të tij për të shpallur fajtorë deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji, në të ashtuquajturën çështja ‘Babale’, në lidhje me akuzat ndaj vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Berisha akuzoi në fillim të korrikut se procesi i vetingut ndaj Gjermenit ishte bllokuar.