Në Bërzeshtë tek Vilsoni dhe Genci…

Nga Rexhep POLISI

Sot është një ditë e zezë jo vetëm për familjet dhe Bërzeshtën, por për të gjithë Shqipërinë! 45 vjet më parë u pushkatuan nga dora gjakatare e regjimit komunist dy poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi, pas një gjyqi politik farsë me prova të montuara.

Vilsoni dhe Genci ishin kushërinj dhe lindën të dy në muajin Mars. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën edhe vrasjen tragjike në të njëjtën natë, u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Jeta e tyre u pre në mes nga plumbat vetëm pse kishin lindur poetë.

Dy poetët e talentuar u ekzekutuan dhe u hodhën në të njëjtën gropë në një përrua rreth 6 kilometra larg Librazhdit. Vetëm pas ardhjes së Demokaricsë eshtrat e dy martirëve u gjetën dhe u ç’groposën nga vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi pas kërkimeve të vazhdueshme.

Në fakt përndjekja e tyre nga Sigurimi i Shtetit kishte nisur qyshse kishin lindur për shkak të prejardhjes familjare. Genc Leka ishte mësues, por për probleme të biografisë e çuan të punojë në ndërtim.

Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë francezë.

Blloshmët ishin fisi më i njohur në të gjithë Shqipërinë për shkak të kontributit në çështjen kombëtare dhe nacionaliste. Shumë emra të familjes Blloshmi kishin mbaruar studimet në SHBA, Austri e Fancë dhe kishin dhënë një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare.

Ishte përkushtimi dhe këmbëngulja e paepur e Bedri Blloshmit që bëri të mundur zbulimin e krijimeve poetike që i kishte zënë pluhuri në arkivat e Sigurimit të Shtetit, si dhe botimin e veprave të tyre dhe të disa librave të tjerë të shoqëruar edhe me faksimile dokumentash. Pa kontributin e Bedriut, Vilsoni dhe Genci nuk do të njiheshin kurrë si poetë.

Diktatura komuniste i groposi, por dy poetët shkruan pavdeksinë e tyre me poezitë brilante. Poezia “Saharja” e Vilson Blloshmit dhe “Oxhaku” i Genc Lekës, por edhe mjaft poezi të tjera të tyre, janë poezi me vlera artistike të jashtëzakonshme, por faktkeqësisht këto krijime nuk janë futur në tekstet shkollore. Mesa duket edhe regjimi i sotëm nuk i honeps dot këta poetë.

Gjatë qeverisë demokratike dy poetët u përjetësuan në një memorial në qytetin e Librazhdit, një vepër arti me përmasa botërore punuar nga skulptori i njohur, Sadik Spahija.

Shpresojmë se me qeverinë e ardhshme demokratike shtëpia e Vilsonit dhe Gencit do të ktheht në një muze, pelegrinazh për shkrimtarët edhe poetët.

I paharruar qoftë kujtimi i dy poetëve martirë, Genc Leka e Vilson Blloshmi!

About Redaksia

Check Also

Kodi etik diplomatik e moral i munguar në Shqipëri!

Enver Bytyçi Në diplomaci, si në çdo profesion, ka një kod sjelljeje. Ky kod në …

Leave a Reply