Si u shkatërrua Sri Lanka nga idetë e George Soros

Nga Steve Hanke, NY Sun

Sri Lanka, një vend që u ngrit vetëm tre vjet më parë nga Banka Botërore në kategorinë ‘me të ardhura të mesme të larta’, sot është e rrënuar.

Sipas vlerësimeve të mia, monedha e saj ka humbur 54 përqind të vlerës kundrejt dollarit amerikan, që kur ish-presidenti Gotabaya Rajapaksa erdhi në detyrë më 18 nëntor 2019, dhe norma e inflacionit qëndron në 115 përqind këtë vit.

Thesari i Sri Lankës është mbi-tërhequr vazhdimisht dhe rezervat valutore të vendit janë negative. Sri Lanka është e falimentuar, e paaftë të importojë nevojat bazë, si benzina. Në gjunjë, Sri Lanka është e detyruar t’ia kalojë tasin e lypjes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kujtdo tjetër që mund t’i japë një audiencë.

Por si ndodhi kaq shpejt një kolaps i tillë dramatik? Siç rezulton, e gjitha kjo ishte rezultat i punës së një komuniteti epistemik tekniko-menaxher ndërkombëtar dhe dy nostrumeve të sotëm: bujqësisë organike dhe Teorisë Moderne Monetare.

Së pari le të hedhim një vështrim te aktorët pas bujqësisë organike dhe rezultateve të saj katastrofike në Sri Lanka.

Më 7 janar të vitit 2016, fituesi i Nobelit, Joe Stiglitz dhe i kudo-pranishmi George Soros u takuan me Ranil Wickremesinghe. Ai ishte atëherë kryeministër i Sri Lankës dhe së fundmi është caktuar president nga presidenti në mërgim, Gotabaya Rajapaksa. Mesa duket, zoti Stiglitz, një avokat prej kohësh i bujqësisë organike, e bindi kryeministrin prej gjashtë herësh të Sri Lankës.

Dy javë pas takimit Stiglitz-Soros-Wickremesinghe, Stiglitz botoi një editorial: “Çfarë do të ndodhë më pas me Sri Lankën”, në të cilën ai mbrojti bujqësinë organike për Sri Lankën. Shkrimi u publikua menjëherë nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Me mbështetjen e komunitetit të fuqishëm epistemik, Gotabaya Rajapaksa bëri fushatë për president në vitin 2019 me një platformë të bujqësisë organike. Pesticidet dhe plehrat sintetike do ndaloheshin, nëse do të zgjidhej. Ai e quajti këtë politikë ‘Pikëpamjet e prosperitetit dhe shkëlqimit’.

Më 18 nëntor 2019, Gotabaya Rajapaksa u zgjodh president në Sri Lanka. Më 26 prill 2021, ai zbatoi ndalimin e plotë të importit dhe përdorimit të plehrave dhe pesticideve sintetike. Disa ditë më vonë, Banka Botërore dhe Bashkimi Europian lëshuan një grant të përbashkët prej 28 milionë dollarësh për Ministrinë e Bujqësisë së Sri Lankës.

Nuk është befasuese për këdo që ka njohuri bazë të bujqësisë që ndalimi pati një efekt të menjëhershëm dhe shkatërrues. Prodhimi i orizit në vend ra me 20 përqind në 6 muaj dhe çmimi i orizit u rrit me 50 përqind. Prodhimi i çajit, një tjetër kulturë e rëndësishme, mori një goditje të rëndë gjithashtu.

OKB tentoi ta mbulonte këtë fatkeqësi të gjelbër. Më 26 janar, në një raport nga FAO, një avokate e bujqësisë organike, thuhet se rritja e çmimeve të ushqimeve në Sri Lanka është rezultat i nënçmimit të konsiderueshëm të monedhës vendase. Në njëfarë mënyre, raporti nuk e përmend elefantin në dhomë: efektet katastrofike të nismës së bujqësisë organike të Sri Lankës.

Por çfarë të themi për nostrumin tjetër: Teorinë Monetare Moderne (TMM)? Kjo është një tjetër formulë për katastrofën që shpërndahet nga të majtët dhe pasuesit e tyre, që popullojnë klasat ndërkombëtare të bisedimeve.

TMM është më e fundit në traditën e skemave qesharake të parave që na rikthejnë pas në eksperimentin katastrofik të John Law me printimin e parave për Flluskën e Misisipit në Francën e shekullit të 18-të. Emëruesi i përbashkët dhe gabimi themelor i këtyre skemave është ideja se qeveria ose banka e saj e përkëdhelur mund të shpenzojë disi dhe të printojë rrugën e saj drejt prosperitetit.

Qeveria e Rajapaksës e gëlltiti TMM-në me shpejtësi, njësoj siç hëngri ‘derrin’ e bujqësisë organike. Qeveria e Rajapaksa shpenzoi lirshëm, duke mbajtur deficite të mëdha dhe duke grumbulluar borxhe të shumta qeveritare.

Banka Qendrore e Sri Lankës u bë lehtësues i madh. Në të vërtetë, në vitin 2020, guvernatori i bankës, W. D. Lakshman, tha: “Frika rreth qëndrueshmërisë së borxhit është e pabazuar. Meqenëse obligacionet në rupi janë brenda ‘pushtetit sovran’, paratë mund të printohen për t’i shlyer ato, siç na tregon Teoria Moderne Monetare”.

Ja pra ku e keni. Për herë të parë një guvernator i një banke qendrore përqafon publikisht dhe në mënyrë eksplicite TMM.

Komuniteti epistemik, i udhëhequr nga njerëz si George Soros dhe Joe Stiglitz, lëviz si një top i rëndë shkatërrimtar.

35 vjet më parë, filozofi francez Michel Foucualt paralajmëroi për dëmin që mund të shkaktojnë këta lëvizës dhe tronditës ndërkombëtarë.

Siç paralajmëroi Foucault: “Masat nuk kanë nevojë për intelektualë për të kuptuar gjërat; ata kanë një njohuri të plotë, të qartë dhe më të mirë se intelektualët dhe janë në gjendje që ta shprehin mirë atë”.

*Zoti Hanke është profesor i shkencave të aplikuara në universitetin ‘John Hopkins’. Ai njihet si Doktori i Parave dhe është një nga ekspertët më të mirë në botë për hiperinflacionin, duke e penguar atë në vende të shumta

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …

Leave a Reply