Rama antimiting me 28 korrik me administratën për 7 korrikun: “Mblidhni sa më shumë”

Kryeministri po përgatit një manifestim në sheshin “Skënderbej” më datë 28 korrik si moment festiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë ka planifikuar që ta mbyllë sezonin politik para pushimeve me një manifestim me pjesëmarrje masive në sheshin “Skënderbej”.

Teksa Sali Berisha dhe opozita e demonstruan forcën e tyre me një protestë para zyrës së Kryeministrit, që pjesëmarrjen e kishte me shifra tepër të larta, Rama nuk do të shkojë në pushime pa treguar se edhe ai ka popullin me vete. Protesta e 7 korrikut ka rritur kuotat e Sali Berishës duke premtuar se në shtator do ta kthejë Tiranën si Sri Lanka. Ndaj Kryeministri Edi Rama do të organizojë një manifestim më datë 28 korrik në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”.

Tri ditë më parë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim me kryetarët e rinj të degëve të PS-së në rrethe. Pas takimit, drejtuesit politikë të qarqeve kanë zhvilluar takime informale me kryetarët e degëve, ku u kanë lënë porosi që të mbledhin sa më shumë qytetarë në manifestim. Të njëjtën porosi, drejtuesit socialistë, pritet t’ua lënë edhe kryebashkiakëve, të cilët pritet t’i mbledhë në një takim gjatë kësaj fundjave. Përtej orarit dhe vendit, mësohet se më datën 28 korrik do të ketë edhe artistë të ftuar, të cilët do të performojnë para qytetarëve që do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”.

Përveç hapjes së negociatave, një shtysë tjetër për të mbledhur sa më shumë njerëz në shesh është protesta e 7 korrikut e thirrur nga Sali Berisha, ku masiviteti i asaj proteste ishte i pazakontë po të kemi parasysh momentin kur u organizua dhe krizën, në të cilën është opozita. Nisur nga kjo, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos largohet me pushimet e verës pa bërë një demonstrim force në shesh për Sali Berishën.

Me detyrim përcaktim punonjësit e administratës shtetërore dhe militantët e PS-së nga e gjithë Shqipëria do të mblidhen në Tiranë mes temperaturave të larta për të dëgjuar një fjalim të Edi Ramës dhe tingujt e muzikës. Njësoj siç bëri Sali Berisha në vitin 2009 kur pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, thirri një miting të madh dhe koncert me zërat më të njohur të muzikës shqiptare, edhe Edi Rama 13 vite më pas duket se do të bëjë të njëjtën gjë pas hapjes së negociatave me BE-në.

Në takimin e fundit me krerët e rinj socialistë janë shpërndarë porositë sipas qarqeve me numër të caktuar njerëzit që duhet të sjellin në Tiranë. Pavarësisht temperaturave të larta dhe një kohë kur shqiptarët po përballën me krizën e çmimeve të larta, më tepër rëndësi merr tubimi i datës 28 korrik në Tiranë. Teksa Berisha e demonstroi forcën e vet më 7 korrik, Meta do ta bëjë më 25 korrik, Edi Rama nuk ikën me pushime pa treguar se edhe ai ka popullin me vete.

Ndërkohë manifestimi që Partia Socialiste po përgatit vjen vetëm 4 ditë pas largimit të Presidentit Ilir Meta nga posti i kreut të shtetit që e mbajti për 5 vite, por edhe pas Kongresit të LSI që do të zhvillohet më 25 korrik. Një ditë pas çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, në godinën e Kryeministrisë u ngrit flamuri i BE-së. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin Kryeministri Edi Rama, diplomatë të huaj, krerët e komuniteteve fetare, si dhe ministra e deputetë të PS-së, ndërsa mungonte opozita dhe një prej përfaqësuesve të një prej institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, kreu i SPAK, Arben Kraja.

Më 19 korrik, Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të hapjes së negociatave, pas pritjes disavjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej. Në një takim të para dy ditësh me të rinj dhe intelektualë në Durrës, kreu i PD-së, Sali Berisha, u ndal te çelja e negociatave dhe ngritja e flamurit të BE-së para Kryeministrisë nga Edi Rama. Berisha u shpreh se është fatkeqësi e madhe që Rama ta mbante në dorë atë flamur. “Edi Rama sot ngriti flamurin e BE-së para Kryeministrisë.

Ai flamur është flamur vlerash, i vlerave, i thesareve kulturore në radhë të parë të paçmuara, është flamur i vlerave njerëzore të lidhura me lirinë. E vërteta është që, fatkeqësi më të mëdha për atë flamur se ta mbante sot në dorë Edi Rama nuk kishte. E kam deklaruar në 7 korrik, armik, e kam thënë me bindjen më absolute, është armik sepse nuk lejon shqiptarët të votojnë. Liria votën ka. Nëse nuk ke votën, nuk ke liri, nuk ke dinjitetin. Edhe pushtuesit të lejonin të votoje, por të caktonin një përfaqësues të pushtuesit. Ky faktikisht pasi shkelmoi votën e shqiptarëve e përzuri nga PS. Nuk i konsideroj socialistët armiq, konsideroj Edi Ramën sepse dhe atyre ua hoqi votën”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

“Associated Press”: Opozita shqiptare zhvillon protestë antiqeveritare, kërkon qeveri teknike

Forcat opozitare në Shqipëri po zhvillojnë këtë të hënë një protestë mbarëkombëtare në kryeqytetin e …

Leave a Reply