Zbardhet letra e Autoritetit për Informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit, drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Në letrën e siguruar zbulohet emri i politikanit të lartë të shtetit, ku përmendet ish-Presidenti Ilir Meta.
“Në vijim të kërkesave dhe propozimeve tona të mëparshme, por sidomos duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të lartë të shtetit, siç është ish-presidenti i Republikës, Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendimin e autoritetit nr. 17, datë 28.04. 2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Meta, gjë të cilën nuk na e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funskional, rezultatet e kërkimit do të ndryshonin”.
“Ju përcjellim informacionin në lidhje me rastet më flagrantë të konstatuara nga institucioni, ku disa figura të rëndësishme, si A.D, Th.S, S.H, Xh.Sh, D.Ç dhe I.M, të cilat kanë pasur certifikatë të pastërtisë së figurës, figurojnë në dokumentet e krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, raste të cilat duhet të mbahen parasysh në vlerësimin tuaj në lidhje me miratimin nga ana e Kuvendit të propozimeve për ndryshime ligjore”, thuhet në dokument.
Vetë kryetarja e Kuvendit, Linda Nikolla doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se është njohur me rastin, të cilin e quajti tronditës. Ajo nuk e përmendi Ilir Metën me emër, por tha inicialet e tij.
“Autoriteti i Dosjeve flet për një politikan të larte me inicialet I.M., që ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nisur një letër, ku më vë në dijeni të përfshirjes të këtij politikani dhe kërkon ndërhyrje për veprime”.
“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Jam në gatishmëri për të mbledhur Kuvendin kurdo që të ketë nevojë. Dua të falënderoj Autoritetin e Dosjeve për kurajën në denoncimin e këtij rasti. Në ndjeshmëri të këtij rasti nuk mund të flas më shumë,” tha ajo.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka informuar ditën e sotme ish-Presidentin e Republikës Ilir Meta se në emër të tij ndodhen të paktën 140 faqe informacion në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Bazuar në nenin 5 për të drejtën e Informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit, Meta është vënë në dijeni se në bazë të verifikimeve të kryera deri më tani, ka në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit për të, një dosje përpunimi nr. 2565 e përbërë nga 140 faqe të anonimizuara, digjitalizuara, të hedhura në format CD. Dokumenti në fjalë do t’i jepet kreut të Partisë së Lirisë në trajtë fotokopjeje dhe CD. Vendimi në fjalë është i ankimueshëm në Gjykatën Administrative.