Po mbahet në Tiranë protesta e organizuar nga shoqëria civile për vdekjen e vogëlushes Jonada Avdia, e cila humbi jetën dy ditë më parë ndërsa lahej në det pasi u përplas nga një skaf i fuqishëm që drejtohej nga një oficer policie.
Protestës së shoqërisë civile nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti” i janë bashkuar dhe shumë mbështetës të opozitës. Protestuesit kërkojnë përveç dënimit maksimal për autorin e ngjarjes dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe asaj të Turizmit, Mirela Kumbaro.
Qytetarët e revoltuar mbajnë në duar pankarta ku lexohet: Vampirë, jepni dorëheqjen.
Aty shfaqen figurat e Edi Ramës, Bledi Çuçit, Mirela Kumbaros dhe Gledis Nanos. Kujtojmë se Edi Rama sulmoi këdo që proteston, duke thënë se ata janë vampirë.
“Kam letra italiane, s’do doja t’i kisha. Është turp të them që nuk jam shqiptar. Shqiptar jam, shqiptar do vdes. Poshtë Edi Rama, poshtë ai zagar. Jemi të indinjuar. Këtu nuk japin asnjë dorëheqje, dalin e thonë ndodhin kudo në botë. Është turp. Poshtë qeveria, qeveri vrasëse”, tha një qytetar.