Reagimi politik nga Partia Republikane mbi bastisjen e FBI-së në shtëpinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Florida, tregon se Trump ‘mbetet ende lideri i padiskutueshëm’ i partisë, thotë gazetari dhe analisti politik amerikan, Eric Ham për BBC.
Ham thotë se republikanët kryesorë kanë reaguar me shpejtësi.
Ai thekson se lideri i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy e ka kritikuar FBI-në për bastisjen dhe ka thënë se do të ketë kundër-padi nëse republikanët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit në SHBA.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis- të cilin Ham thotë se shumë e shohin si një rival të ardhshëm të Trump në Partinë Republikane- ka kritikuar gjithashtu FBI-në.
“Ajo që ne po shohim është se Partia Republikane është e gatshme të shtrëngojë radhët rreth Donald Trump dhe të sulmojë agjencinë kryesore të zbatimit të ligjit të SHBA,” thotë Ham.
Ai vazhdon duke thënë se kjo tregon ‘se sa e brishtë mbetet demokracia në Shtetet e Bashkuara’.