Nga Isuf ÇELAJ
Turizmi në zonat e veriut vuan mungesën e investimeve në sistemin e transmetimit të energjisë elektrike!
Rasti i shkrumbimit nga luhatjet e energjisë elektrike të bujtinës së një qytetari në zonën turistike të Thethit njërës nga perlat e turizmit malor të kurorës së Alpeve shqiptare, tregon se këto zona janë lënë në harresë nga qeverisja e Rilindjes në këto 9 vite!
E njëjta situatë paraqitet edhe në zonën turistike të luginës së Valbonës e cila lidhet edhe gjeografikisht me zonën e Thethit, ku mungesa e energjisë elektrike nga mos investimet e kësaj qeverie është shqetësim i vazhdueshëm i banorëve të fshatrave Valbonë,Rrogami Shalës e Dragobi të cilët e kanë të lidhur jetesën e tyre me të ardhurat nga turizmi gjë e cila vjen nga mungesa e investimeve në sistemin e transmetimit të energjisë për këto fshatra megjithëse është kërkuar me dhjetëra herë zyrëtarëve të OSSHEE!
Megjithëse këto zona prodhojnë energji elektrike vazhdojnë të jenë të dënuar nga kjo qeveri me mungesën e saj!
Sistemi i transmetimit (shtyllat, kabulli dhe transformatorët) janë ato të 25 Tetorit të vitit 1970 kohë në të cilën ka përfunduar elektrifikimi i vendit!
Si përfundim banorët e këtyre zonave nuk është se po kërkojnë ndonjë luks apo kërkesë absurde, por diçka bazike të cilën Europa e emancipuar tek e cila kemi trokitur për të na pranuar i ka zgjidhur me kohë këtu e 150 vite më parë!
Megjithëse këta banorë i paguajnë rregullisht faturat mujore të energjisë elektrike, por këto para nuk u kthehen në investime për rrjetin e transmetimit në zonat e tyre!
Çdo vit numëri i turistëve të huaj të cilët vijnë e vizitojnë bukuritë e Alpeve tona vjen duke u rritur, kjo falë sakrificave të banorëve të këtyre zonave që me sakrificat e tyre, mikëpritjen, bujarinë e zemërgjërësinë e tyre kanë bërë të mundur krijimin e kushteve minimaliste në bujtinat e tyre!
Por që ky numër mund që të shumëfishohet nëse do të kthehet edhe vëmendja e qeverisë me investime në këto zona në këto tre gjëra krejt minimaliste: drita, rrugë, ujë!