Pse sekti Rama rikthen bastet?

Nga Bujar LESKAJ

Pasi katër vite më parë u mburr se do t’ua kursente familjeve shqiptare me dhjetëra milionë euro të humbura në kompanitë e basteve, sekti Rama në qeverisje ka vendosur të ligjërojë aktivitetin e basteve sportive online, gjoja për të favorizuar me fonde sportin. Rilindja rilind një aktivitet parazitar që ushqen bixhozin online dhe do të shkaktojë sërisht drama familjare, me familjarë e kryefamiljarë që do ta kenë varësi të ligjshme tashmë, varësinë nga bixhozi i basteve online.

Këta dhjetëra mijëra qytetarë, me bekimin e sektit në pushtet, do të vijojnë, me herë më tepër tashmë, të shkatërrojnë familjet e tyre ne bixhoz, duke i varfëruar dhe më shumë familjet shqiptare dhe duke i pasuruar, kësaj rradhe ligjërisht, kompanitë e basteve me lidhje mafioze, të cilat do të jenë ato që do të marrin lejet e këtij aktiviteti bixhozi të ri-ligjëruar. Bastet e ligjëruara do të arrijnë të qarkullojnë mbi 140 milionë euro para-humbje të shqiptarëve brenda një vit. Janë këto kompani që do të menaxhojnë këto flukse dhe do t֝ë financojnë dhe blejnë zgjedhjet vendore 2023.

Pseudoargumenti se nuk do të ketë vendosje fizike bastesh është sa mjeran po aq edhe bosh, pasi bastet e paligjshme online lulëzuan këto katër vjet në bodrume dhe kthina shtëpish e lokalesh, me shtetin e sektit Rama krejtësisht të paaftë të pengojë ose kufizojë këtë aktivitet, të lënë tashmë në duar të kompanive okulte, të lidhura me krimin e organizuar.

Aq sa dhe vete Lideri Global ne vitin 2020, gjoja “kërcënonte” ish-mbretin mafioz të basteve të paligjshme, të zhdukur këto ditë, se “ia dinin edhe targën e makinës”, por që asnjëherë policia e Shtetit nuk e kapi për ta arrestuar.

Sportistët e dalluar duhet të shpërblehen dhe, në tërësi, sportistët dhe sportet duhet të ndihmohen. Këto janë detyra të shtetit të qytetarëve, jo favorizime të sektit në pushtet. Të ashtuquajturin “moral” të Ramës, të risjelljes së basteve për të ndihmuar sportin dhe sportistët, socialogu i mirënjohur Artan Fuga e ka dërrmuar me etiketimin “Është si të mirëmbash një manastir me lekë nga prostitucioni”. Botën fisnike të sportit dhe sportistëve të ndershëm nuk e lidh asgjë me paratë e basteve sportive, të luajtura skutave apo me “bekimin” e ligjit të Ramës dhe Lideri Global vetëm sa e fëlliq këtë botë, duke e marrë peng si alibi, për aktin monstruoz të tij.

Rama kërkon të fshehë arësyen e vërtetë pse po ligjëron bixhozin e basteve sportive online. Arësyeja e vërtetë janë paratë nën dorë dhe të paligjshme që i duhen atij dhe sektit që drejton, për zgjedhjet vendore 2023. Këto para do t’ia japin kompanitë që do të marrin lejet e ushtrimit të aktivitetit të basteve sportive online, të cilat do të jenë në pozicionin e subjekteve të operacioneve të OFL-së të dy-tre vite më parë, në rast se nuk do të “kolliten” bindshëm dhe dëndur, duke mbushur xhepat e sektit në qeverisje, për zgjedhjet vendore 2023.

About Redaksia

Check Also

Shkumëzimi dhe konvulsionet e një “zdromsi”!

Nga Iva V.GRILLO Gjuha vulgare dhe brendia edhe më vulgare e komunikimit të kryetarit të …

Leave a Reply