Dy punonjës policie kanë rënë pre e atentatit mbrëmjen e kësaj të premteje teksa po lëviznin me makinën e tyre private në lagjen “Partizani” në Vlorë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40, ku dy efektivët, njëri i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, A.Bedinaj dhe tjetri me inicialet N.M., me detyrë punonjës i Policisë Kufitare Sarandë janë qëlluar nga një automjet në lëvizje tip “Volkswagen”.
Për fat efektivët e policisë nuk kanë marrë lëndime, teksa nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe as identiteti i autorit.
Nga sa mësohet në vendin e ngjarjes janë gjetur 5 gëzhoja dhe është qëlluar me pistoletë. Në momentin e të shtënave drejt tyre, punonjësit e policisë kanë qenë jashtë shërbimit, duke udhëtuar me automjet privat. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.