Kryetari i PD, Sali Berisha tha në një takim me ekspertët këtë pasdite se, Edi Rama i dha një porosi të veçantë Met Rrumbullakut për Vis Martinajn. Sipas Berishës, Martinaj është te lojërat e fatit dhe për këtë ka dijeni Olsi Rama. Më tej Berisha tha se Shqpëria është vend i pasigurtë dhe ka një lidhje të madhe mes bandave, parlamentit e qeverisë.
Shqipëria është një vend i pasigurtë, një vend ku bandat godasin, në parlament bëjnë ligjet, në qeveri bëjnë vendimet, në rrugë shkrehin breshëritë. Por në fakt një lidhje të madhe mes të trijave, e pandashme, ekziston.
Sot Edi Rama porosiste Met Rrumbullakun. I jepte porosi të veçanta për Vis Martinin. Po ja tregoj unë ku është Vis Martini. Ai është te lojërat e fatit. Shko e pyet Olsin, të thotë Olsi. Pyet kë të duash ti, por njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit. Ai ishte biznesmeni njësh i lojërave të fatit. I vëllai i tij është hieja e tyre. Sa ishte ai, ishin ilegale. Iku ai, se ç’ndodhi me të, të pyesë lojërat e fatit, seç ndodhi me të askush se di, por dimë që lojërat u bënë të ligjshme tani.
Pra gjithçka lëviz në një trajektore që vjen nga kupola dhe zbret poshtë. Situatë dëshpëruese në pamje të parë, por unë personalisht jam optimist. Pavarësisht nga shkalla e thellë e dëmtimit të Policisë së Shtetit, nga rekrutimi dhe angazhimi i banditëve në polici, trafikantëve, të droguarve, përsëri aty ka me qindra e mijëra burra dhe gra me uniformë të cilët me padurim presin që të zbatojnë ligjin, të ju krijohet mundësia për të zbatuar ligjin.
Në vitin 2005 situata ishte shumë e rëndë, por nuk do ta harroj ndonjëherë të vetmen kërkesë të oficerëve të policisë, e cila ishte; Zoti kryeministër nëse ne do të merremi me ta kërkojmë nga ju që të mos na e ndërprisni betejën me kushtin e vetëm që në këtë përpjekje të mos na urdhëroni që të tërhiqemi. Dhe ajo nuk ndodhi kurrë. Ata përmbushën detyrën me dinjitet.
Sot në kushtet e reja një trajtim krejt tjetër është i domosdoshëm për policinë e shtetit për të përballuar të gjitha format e presionit. Ju garantoj se çdo lëvizje, reformë e PD do të ketë vetëm një qëllim; Konsolidimin e një institucioni jetik për mbrojtjen e jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, për zbatimin e ligjit në Shqipëri.