PD do t’i rikthehet Arsimit, Rama me atë mesatare përjashtoi 80% të fëmijëve nga universitetet publike

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me intelektualë në Kolonjë i ka kushtuar vëmendje të veçantë, programit me të cilin Partia Demokratike e rithemeluar tashmë, synon të kthehet në pushtet dhe ndërsa premtoi se, do të rishqyrtohet e gjithë Paketa Fiskale, i vuri një theks të veçantë çështjes së arsimimit të të rinjve shqiptarë.

Berisha e dënoi vendimin e Qeverisë Rama për të futur mesataren e pranimit në universitetet publike, duke vërejtur se me këtë akt Rama i përjashtoi me ligj prej tyre, 80% të nxënësve nga zonat rurale  dhe garantoi të bënin një rritje të madhe rrogash për mësuesish.

Berisha e akuzoi Ramën se për futjen e mesatares së pranimit në universitetet publike kishte marrë ryshfet nga universitetet private, duke zbuluar për herë të parë se si ai dikur ish-kryeministër i kishte refuzuar kategorikisht, ofertat e kësaj natyre.

Berisha tha: Situata është emergjente. Njerëzve u dridhet dora kur shkojnë në dyqane për të marrë litrin e vajit tri herë më shtrenjtë se ç’e merrnin pak muaj më parë. Nafta është në çmimin më të lartë në Europë.  Ka rritur në mënyrë të tmerrshme, koston e punimeve dhe kështu produkte të tjera.

Ka një rënie dramatike të prodhimit të qumështit, të mishit , të vezëve. U bëmë eksportues në 2013-ën, ishte një arritje jo e vogël për ne. Ishte një arritje serioze.

Pra, ne do t’i rikthehemi subvencionit për çdo prodhim në bujqësi. Do të rishqyrojmë tërësisht paketën fiskale, e cila  është armiqësore nga fermerëve. Është absurde. Do të rishqyrtojmë tërësisht paketën fiskale me biznesin e vogël. Tani hyn në fuqi 23 %-shi. Bizneset janë pakësuar me 107 mijë gjatë këtyre tetë viteve. Kjo mbyll disa dhjetëra mijëra të tjerë. Shqiptarët ikin: ky është rezultati!”

“Garantoj se do të ketë një rritje të madhe rrogash në Arsim”

“Arsimi përbën një problem themelor për çdo komb. Ju siguroj që e kemi pasur në qendër absolute të vëmendjes dhe një nga aktet mendoj unë më të drejta ishte mbidyfishimi i rrogave të arsimtarëve; ishte ndërtimi dhe rindërtimi i mbi 1300 objekteve arsimore; shtrirja e dixhitalizimit, e laboratorëve të  informatikës dhe internetit në çdo shkollë.

Prapë do t’i rikthehemi, arsimi ka bërë hapa mbrapa, është pushtuar nga patronazhistët, ka rënë cilësia në mënyrë të ndjeshme.

U përdor një politikë armiqësore nga të rinjve. Çfarë bëri ky?!

Akt të parë rriti mesataren për të futur në universitet. Po të rrisësh mesataren në shtatë për t’u futur në universitet, përjashton pothuaj me ligj 80% të fëmijëve të  Shqipërisë rurale, se vetëkuptohet, gjimnazet e qyteteve janë në  nivel më cilësor dhe prindërit në qytete janë më të angazhuar për suksesin e fëmijëve të tyre sesa ai që punon nga mëngjesi në darkë.

Ajo s’mund të bëhej kurrë. E bëri kundrejt ryshfetit që mori nga universitet private. Tentuan ato me mua, tentuan në mënyrë të fuqishme, por morën një karton të kuq dhe një “jo” kategorike! Qeveria është përgjegjëse për arsimin e fëmijëve të qytetarëve shqiptarë.

Përsëri ne i rikthehemi arsimimit me forcën më të madhe, sepse pa arsimin nuk kemi të ardhme, duhet të ecim si komb i dijes.

Prandaj garantoj se do të ketë një rritje të madhe rrogash, se sistemi i patronazhistëve në arsim do të marrë fund dhe se drejtësia do të bëhet për të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë gjatë këtyre nëntë viteve”.

About Redaksia

Check Also

Bardhi: Edi Rama qetësohu, dosja penale për Olsin e Xibrakës ekziston e pezulluar!

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i është përgjigjur Edi Ramës, ndërsa shprehet …

Leave a Reply